MENU
klinika

Nga Financial Times

Një marrëveshje e re do shmangte ndarjen e Mbretërisë së Bashkuar

20.02.2021 - 14:23

Mundësia e ndarjes rritet nëse Johnson nuk vepron për të shpëtuar Bashkimin Anglo-Skocez 300-vjeçar.
Kryeministri Boris Johnson deklaroi këtë javë se devolucioni skocez ka qenë një katastrofë. Ai po përpiqej të distancohej nga vërejtjet e bëra ndaj tij në nëntor kur u tha deputetëve anglezë konservatorë se devolucioni kishte qenë “gabimi më i madh i Tony Blair”.

Por ai kishte të drejtë në atë kohë. Përpjekjet e Bler për të shuar nacionalizmin thjesht e nxitën më tepër atë. Deklaratat e Johnson tregojnë se sa të fuqishëm janë bërë nacionalistët.
Si gjysmë skocez, kam dëshirën për të pohuar identitete të dallueshme. Megjithatë, unë jam trembur duke parë se sa dobët ka funksionuar Mbretëria e Bashkuar gjatë pandemisë. Ajo që duhet të ishte një përpjekje në mbarë Mbretërinë e Bashkuar për të luftuar virusin u kthye në një proces fajësimi mes lidërve dhe vendeve dhe njëkohësisht u kthye në një motiv grindjesh mes tyre, me administratat Uellsiane dhe Skoceze që këmbëngulën për politika më të rrepta bllokimi ndërsa kërkonin edhe mbështetjen financiare nga qeveria qendrore në Londër.

Administrata në Westminster shpesh është ndjerë më shumë si një qeveri vetëm e Anglisë. Devolucioni është anësor, me deputetët Skocezë dhe Uellsit që votojnë për çështjet Angleze, ndërsa Deputetët Anglez nuk mund të votojnë për çështjet e rezervuara për Skocinë dhe Uellsin.
Ndërsa partia Nacionaliste Skoceze bën presion për një referendum të dytë për pavarësinë nëse ata fitojnë zgjedhjet e Skocisë në maj, Johnson duhet të vendosë nëse ai ka guximin të rishkruajë zgjidhjen kushtetuese. Kjo nuk mund të mohohet: perspektivat për “Britaninë globale” janë duke u zbehur, pikërisht kur MB është në një moment të komplikuar në botë.
Nëse Nicola Sturgeon, kryeministrja e Skocisë, “nuk del nga shinat” nga një hetim mbi trajtimin e ankesave të qeverisë së saj në lidhje me Alex Salmond, paraardhësi i saj, ajo do të përdorë një fitore në maj për të kërkuar një mandat për një referendum të dytë. Johnson planifikon të refuzojë këtë kërkesë mbi bazën që vendimi për referendumin e vitit 2014 do të zgjaste për një brez. Por shqetësimi në Douning Street është se Sturgeon do të zhvillojë një referendum këshillimor gjithsesi.

Disa nga ata që duan të ruajnë Bashkimin po i bëjnë thirrje Uestminsterit që t’i qetësojë nacionalistët me diçka që duket më federale. Kjo do t’i bënte Skocinë, Uellsin dhe Irlandën e Veriut vendet vetëqeverisëse në një partneritet më të barabartë, duke bashkëpunuar për çështje të përbashkëta. Një ofertë e madhe është e nevojshme. Siç ka theksuar ish-kryeministri Gordon Broun, parimi i lokalizmit është i shëndoshë: përqendrimi i tepërt i pushtetit në Londër pengon autoritetet lokale dhe kryetarët e bashkive.
Por do të ishte një federatë jo funksionale në të cilën Anglia kishte afërsisht tetë në 10 të njerëzve dhe një përqindje edhe më të lartë të prodhimit të brendshëm bruto. Kjo do të kërkonte ndarjen e Anglisë në rajone, diçka që votuesit e refuzuan nën drejtimin e Bler. Do të ishte një recetë për më shumë shtresa të qeverisë dhe burokracisë dhe më shumë duar të zgjatur për subvencione – me zhgënjimin e shtuar që modeli mund ta bëjë Skocinë pothuajse të pavarur pa pasur nevojë të mbledhë ushtrinë e saj, të krijojë monedhën e saj ose të paguajë në mënyrën e vet.

Është e qartë, Brexit ka ndryshuar ekuacionin duke shkelur dëshirat e skocezëve për të qëndruar në BE dhe duke rritur ndjenjën pro pavarësisë. Johnson duhet ta quajë blofin e Sturgeon mbi çdo referendum këshillimor, pasi argumenti i saj për thyerjen e angazhimeve të mëparshme të SNP nuk do të kishte më shumë peshë sesa ai i separatistëve në Katalonia, referendumi jokushtetues i të cilit në 2017 e ka lënë atë në harresë. Por diçka duhet bërë.

Një përgjigje do të ishte prezantimi i një Akti të ri të Unionit: një zgjidhje shumë më e mirë me përgjegjësi të qarta. Kjo do të përcaktonte Mbretërinë e Bashkuar si një shtet unitar me kompetenca të përshtatshme të transferuara dhe me respektin e duhur për identitetin e secilit komb.
Por gjithashtu do të rikonfirmonte një identitet britanik dhe do të mbante sovranitetin përfundimtar në Uestminster. Pala skoceze e krahut të majtë Skocez ka propozuar një akt të tillë, i cili gjithashtu do të vendoste një mundësi më të lartë për referendume dhe do të kishte meritën e kufizimit të aftësisë së Douning Street për të bërë ndryshime ad hoc për t’iu përshtatur vetvetes.

Do të duhej kohë për të zgjidhur detajet se cilat çështje do të shpërndaheshin dhe cilat do të rezervoheshin. Kjo mund të përpunohet në diçka si “forumi i kombeve” i propozuar nga Broun. Johnson duhet të rrezikojë. Si një ish-kryetar i Bashkisë së Londrës, partia e të cilit ka shtyrë përpara politikat për kryetarët e bashkive të zgjedhur, ai e di se Britania e Madhe është tepër e centralizuar. “Unë mendoj se devolucioni mund të funksionojë shumë mirë” , tha ai këtë javë. “Por kjo varet shumë nga ajo që bëjnë autoritetet”.
Pavarësisht nga ekspozimi i natyrës së shkëputur të Bashkimit, pandemia ka treguar gjithashtu disa nga përfitimet e saj. Vaksinat janë shpikur në Mbretërinë e Bashkuar, duke përdorur pjesën e madhe të shtetit britanik.

Johnson kurrë nuk do të fitojë mbi nacionalistët. Ai u ka paraqitur atyre një objektiv ideal për të përjetësuar mitin se Anglia nuk i intereson. Por sulmet e SNP tregojnë zbrazëtinë e çështjes së tyre. Pohimi i tyre se Skocia mund të lulëzojë jashtë Bashkimit është jo bindës. Në fakt mund të paguajë një çmim të rëndë ekonomik për shkëputjen, pa marrë parasysh sa të mëdha janë shpresat e SNP që Skocia do të bashkohej pa probleme me BE dhe do të lulëzonte pas kësaj.
Uestminster dhe partia Konservatore kanë shikuar larg nga realitetet e devolucionit për shumë kohë, duke ecur në heshtje në katastrofë. I ndjeri Tam Dalyell, një deputet i Laburistëve, dikur e quajti devolucionin “një autostradë pa dalje në një shtet Skocez”. Ndërsa jemi pranë kryqëzimit përfundimtar, Johnson duhet të mbajë ritmin e tij. Është koha të mendojmë shumë për një zgjidhje të re dhe të drejtë kushtetuese – por jo të pranojmë Sturgeon, partia e të cilit, në fund të fundit, mund të mos jetë përgjithmonë.

 

Opinion nga: Camilla Cavendish

Përkthyer dhe përshtatur nga Financial Times/ Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN