“Kur Mario Draghi vraponte në fushë, ai gjithmonë do të kalonte topin, ishte bujar” tregon Staffan de Mistura, një diplomat i KB dhe shok shkolle me kryeministrin e ardhshëm të Italisë.
“Mario ishte një lojtar skuadre. Jo futbollisti më i mirë që kishim por i mirë – dhe ai gjithmonë kishte një strategji”.
Bashkëpunimi dhe një vizion i qartë i drejtimit janë pikërisht cilësitë që do t’i duhen edhe një herë ekonomistit yll të Italisë ndërsa synon qëllimin për ta udhëhequr këtë vend përmes krizës së tij më të thellë ekonomike që nga Lufta e Dytë Botërore mes një pandemie që ka vrarë më shumë se 90,000 italianë.
Është kulmi i një karriere vezulluese për një njeri të cilin kolegët dhe miqtë e përshkruajnë si “serioz” dhe “të besueshëm”.
Një fëmijëri traumatike
I lindur në 1947 në një familje romake, Mario Draghi u rrit më shpejt seç duhej: ai ishte 15 vjeç kur i vdiq babai, menaxher në Bankën e Italisë. Ai humbi nënën e tij, një farmaciste, menjëherë pas kësaj.
“Më kujtohet kur isha 16 vjeç, kur u ktheva nga një festë në bregdet me një mik,” tha ai më vonë, “dhe ai mund të bënte ç’donte ndërsa isha në shtëpi me një grumbull letrash dhe faturat për të paguar. ”
Por në shkollë, ai mbeti i përqendruar dhe studioz. Kishte pak shenja të traumës personale me të cilën po përballej, thotë Staffan de Mistura, i cili së fundmi shërbeu si i Dërguari Special i Kombeve të Bashkuara për Sirinë. Shkolla jezuite, që ai ndoqi, i nguliti një ndjenjë të detyrës shoqërore,
‘Mbështetës i fortë i projektit evropian’
Pas një diplome ekonomie në Universitetin La Sapienza të Romës dhe një PhD në Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit, ekonomisti i ri dha mësim në universitete në Itali përpara se, në 1991, të emërohej drejtor i përgjithshëm i Thesarit Italian.
Atje, midis detyrave të tjera, ai punoi në negocimin e anëtarësimit të Italisë në monedhën e përbashkët.
Në të njëjtin komitet ishte Yannis Stournaras, i cili po punonte për anëtarësimin e Greqisë.
“Mario tregoi ekspertizë teknike – por edhe aftësi,” kujton Stournaras, i cili u bë ministër grek i financave në kulmin e krizës së borxhit të vendit në 2012 dhe tani është Guvernator i Bankës së Greqisë.
“Dy vendet tona kishin shumë probleme, por ai ishte një negociator për Italinë dhe një mbështetës i fortë i projektit evropian. Ishte e qartë se ai do të shkonte shumë më tej.”
Parashikimi ishte i duhur.
Mario Draghi u emërua guvernator i Bankës së Italisë në 2006, dhe më pas në 2011 president i Bankës Qendrore Evropiane – ku punonte shpesh me Yannis Stournaras.
Z. Diku tjetër
“Mario nuk ishte ai që favorizonte masat shtrënguese të tepërta,” thotë Stournaras, “ai ishte më i përqendruar në reformat strukturore.”
Disa bankierë të tjerë qendrorë dhe persona të brendshëm të BQE-së u ankuan për një stil më pak se kolegjial të udhëheqjes dhe prirjen për të besuar vetëm disa njerëz.
Zakoni i tij për t’u zhdukur nga takimet për një telefonatë ose për të biseduar me një zyrtar e bëri atë të njohur si “Z. Diku tjetër”.
Në 2012, Draghi mbajti një fjalim që ndryshoi rrjedhën e krizës, duke u zotuar se Banka Qendrore Evropiane do të bënte “gjithçka që duhet për të ruajtur euron. Dhe më besoni, do të jetë e mjaftueshme”. Kjo dhe politikat që pasuan çuan në një rënie të qëndrueshme të kostove të huamarrjes për anëtarët e borxhit të eurozonës, përfshirë Italinë, dhe i dhanë atij pseudonimin “Super Mario”.
Kur ai u largua nga BQE pas tetë vjetësh, Draghi u pyet se cili do të ishte hapi i tij i ardhshëm. “Pyet gruan time”, u përgjigj ai.
Draghi si ‘zgjidhja e fundit’ e Italisë
Ndoshta as gruaja e tij Serena nuk do ta kishte parashikuar krizën që solli Giuseppe Conte si kryeministër të Italisë muajin e kaluar, dhe emërimin e burrit të saj për të udhëhequr qeverinë e 67-të të Italisë që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Emërimi i tij ishte mjeti i fundit që kur partitë politike nuk gjetën shumicën,” thotë Enrico Letta, vetë kryeministri italian për një vit në 2013.
Nëse ai mund të formojë një qeveri, fokusi i Kryeministrit Draghi do të jetë në shpenzimin e më shumë se 200 miliardë eurove (175 miliardë funte) të fondeve të rimëkëmbjes së BE – “mundësia më e madhe për të transformuar Italinë që nga Plani Marshall i viteve 1950”, thotë Letta.
Nëse ekziston një person që potencialisht mund të kapërcejë ndarjet e thella politike të Italisë, ai është Mario Draghi.
“Cilësia e tij e veçantë është një kombinim i mirë midis të folurit dhe dëgjimit”, thotë ish-kryeministri.
“Shumë udhëheqës të mëdhenj flasin më shumë sesa dëgjojnë. Ai ka ekuilibrin e duhur.”
Mario Draghi thuhet se e mban orën e tij të dorës pesë minuta më herët, që tregon “fiksimin” me saktësinë.
Ai do të ketë pak kohë për të humbur për të rindërtuar vendin e tij.
Përkthyer dhe përshtatur nga BBC/ konica.al