MENU
klinika

Vargjet përtej dhimbjes

Poeti i kulluar i shekullit XX

15.02.2021 - 13:53

        Xhuzepe Ungareti (Giuseppe Ungareti), poeti i madh italian i shekullit XX, konsiderohet si themeluesi i rrymës së hermetizmit, qëllimi i të cilit ka qenë përherë “poezia e kulluar”, poezi e lidhur ngushtë me natyrën dhe shpirtin njerëzor./Konica.al

Nuk e di se ç’poet kam qenë përgjatë këtyre viteve. Por e di që isha njeri: sepse kam dashuruar shumë, kam vuajtur shumë, kam bërë edhe gabime, jam munduar ta rregulloj gabimin, si të mundja dhe nuk kam urryer kurrë. Pikërisht atë që duhet të bëjë një njeri: të dashurojë shumë, madje të bëjë edhe gabime, të vuajë shumë dhe të mos urrejë kurrë”.

Këto janë fjalët e prononcuara nga Ungareti gjatë tetëdhjetë viteve. Do të kalojë kohë e gjatë dhe shumë gjëra do të ndryshojnë nga rinia e hershme në Aleksandri, Egjipt, larg asaj 1912-e, kur, në moshën njëzetekatërvjeçare, la vendlindjen për t’u nisur drejt Parisit, duke udhëtuar për herë të parë nëpër atdheun e prindërve, Italinë. Dhe Parisi i atyre viteve do të jetë jashtëzakonisht i gjallë dhe i frytshëm: atje ai do të gjejë eksponentët më të njohur të avangardës letrare dhe artistike, po edhe Ungareti nuk do të mbetet më pas (dy vjet më vonë, ai boton poezitë e para). Më pas, shpërtheu lufta dhe vitet u errësuan në baltën e llogoreve, mirëpo pikërisht atje shkruan përmbledhjen “Alegria”. Për herë të parë, Ungareti demonstron, se poezia nuk është një ushtrim i thjeshtë në retorikë: poeti i përmbahet fort karakterit shpëtimtar, një karakter që miku i tij, Moammed Sceab, nuk e bëri dot… Ungareti merr pjesë në jetën dhe në vdekjen e të tjerëve. Rrugëtimi i tij i gjatë shënohet nga humbje të mëdha, nga “goditje” siç do të shprehej Virxhinia Ulf, ato goditje që një poet si Ungareti i sublimoi në art, në një poezi dhimbjeje që zbulon në vetvete se ku e gjen poeti shpëtimin.

Vetëtima e buzës

Mijëra njerëz para meje,

Të ngarkuar edhe më shumë me vite,

Për vdekje i plagosi

Shkreptima e një buze.

Por ky s’është shkak,

Që të zbus vuajtjen.

Po më pe me mëshirë

Dhe më fole, përhapet një muzikë

Dhe unë harroj se plaga djeg.

Në një epokë në ndryshim, ku jeta është e brishtë dhe e pasigurt, si: “Në vjeshtë/mbi pemë/gjethe”, Ungareti trajton ndjenja të qëndrueshme dhe të përhershme: dhimbje dhe dashuri, guxim inkurajues, duke kaluar nëpër to në më shumë se gjysmë shekulli. Një jetë e vështirë, e ngurtësuar nga dhimbja, por edhe e hapur për çaste të shkurtra, të forta gëzimi, tejet të fuqishme për të hedhur dritë në rrugën për në Tokën e Premtuar. Nëse mendojmë se Ungareti ka qenë gjithmonë një endacak: “Në asnjë vend / në tokë / nuk mund / të martohem…”; mbase, për të, Toka e Premtuar, është poezia. Poezia e Ungaretit lindi larg klimës letrare italiane, larg konfrontimit me D’Anunçion, Paskolin dhe Karduçin, jashtë polemikave të kohës, nga nevoja për të marrë një pozicion brenda, kundër, ose për riorganizimin e këtyre trashëgimive. Gjithsesi, ai do t’i njohë më vonë dhe kjo do ta lejojë të hyjë tërthorazi në poezinë në gjuhën italiane. Do të jetë veçanërisht i afërt me Malarmenë dhe Leopardin, ku, më pas, nga Malarmeja do rrëmbejë “poezinë e tij aq të plotë me sekretin e qenies njerëzore, saqë çdokush mund të ndihet i tërhequr muzikalisht, edhe kur ende nuk e di se si ta deshifrojë kuptimin letrar”. /Konica.al/Poezia e Ungaretit nuk ka tendencë për elegancë të ushqyer nga sugjerime të rafinuara muzikore ose metrike, as për sofistikimin e zakonshëm për të tjerët, por për esencën e fjalës, një fjalë shpesh e zakonshme, popullore, e lashtë. Duke ndjekur gjurmët e Leopardit dhe Malarmesë, në mes të krizës gjuhësore në Evropë, Ungareti propozoi “gjuhën italiane të shekullit të njëzet, që nuk i ngjan asnjë tjetre, –  thotë Leone Piccioni, – një gjuhë kaq e njohur, sa mund t’i bëjë ballë kohës, sepse është e thjeshtë, sepse është spontane”.

Mbërrin poeti

E kthehet mandej në dritë me këngët e saj

Dhe i shpërndan.

Nga kjo poezi

Më mbetet

Hiçi

Sekretit të pazbërthyeshëm.

(“Porti i varrosur”, qershor 1916)

Fjalë dhe kompozime të thjeshta, të shumëllojta, si rrjedhojë edhe të vështira, ndonjëherë të paqarta, siç i atribuoheshin shpesh në kohën e “Porti i Varrosur”, por poezia nuk mundet, si çdo art, të shkëputet nga kjo vështirësi, fara e së cilës qëndron në sekretin e jetës dhe ekzistencës, në një rrekje disi të ngathët jo aq për ta zbuluar, se sa për ta kapur dhe për të treguar praninë e saj në grushtin e shtrënguar. Mirëpo, sekreti, edhe teksa rrëshqet nëpër gishta, mbetet ende i fshehur nga vetë poeti dhe vetëm kësisoj ai do të jetë në gjendje të veprojë si burim frymëzimi poetik. E frymëzuar nga humanizmi, nga ndjenja e vdekjes, nga dëshira për një harmoni të përkryer midis njeriut dhe gjithësisë, poezia e Ungaretit, lirikut dhe përfaqësuesit më të madh të hermetizmit italian midis dy luftërave, është një kapitull i veçantë i poezisë italiane të shekullit XX. Në vitin 1922 Ungareti shprehet: “Misteri ekziston, ndodhet brenda nesh. Mjafton të mos e harrojmë… dhe me misterin, dorë për dore, edhe masën”, jo të misterit, por tonën. Ungareti e liroi vargun nga lëkura e vjetër për ta bërë fjalën të shkëlqejë me intensitet të përtërirë: në hap, në ritëm, në frymëmarrjen e natyrës. Ritme që janë “fantazmat e një trupi që kërcejnë me britmën e një shpirti”. Respektimi i fjalës, me tërë qenien fizike dhe morale për “një sekret që na jep lëvizje”, këtu gjendet harmonia poetike.

Këtu

Jetojnë përgjithmonë

Sytë që u mbyllën për dritën

Me qëllim që të gjithë

T’i hapnin

Përgjithmonë

Në dritë

(Për të vdekurit e rezistencës, 1968)

Për Ungaretin, me vuajtjet e shumta që përhapen në shekullin XX, poezia mund të marrë vetëm misionin e saj të përjetshëm fetar. Hera-herës zhytet në një njehsim në solidaritet me njerëzit dhe natyrën; poeti lidh fragmente të jetës përmes forcës jo edhe aq modeste të fjalës. Poeti ruante kujtime të momenteve njerëzore dhe kujtimeve njerëzore, gjë që nuk e bëri sipas kronikave, por sipas gdhendjeve të shpirtit. Poezia e Ungaretit nuk është kurrë jashtë realitetit historik në të cilin ai vetë është gdhendur. Edhe konstantet e ndjenjave, të këngës dhe të misterit, dallohen për një konkretizm të hekurt. Pjesëmarrja e tij në poezi, por edhe në ekzistencën njerëzore, është historike, pasi tregoi dhe ndau rrethanat dhe fatin e një epoke. “Poezia ime është një ditar, – thotë, – ditari – aq intim sa bëhet universal – i pranisë së tij midis të ngjashmëve përgjatë rrjedhës së ashtuquajtur jetë”./Konica.al

Univers

Një arkivol freskie

i bëra

vetes

me detin.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Për "faj" të Preç Zogajt

Realiteti… dhe “Gjyshi i tmerrshëm”