MENU
klinika

Për "faj" të Preç Zogajt

Realiteti… dhe “Gjyshi i tmerrshëm”

10.11.2019 - 12:39

          Një profesor letërsie i universitetit të Zagrebit, shkrimin e tij për një libër e niste kështu: dikush ma ngjeshi në dorë këtë roman dhe unë dashur padashur e lexova.

Unë nuk jam profesor dhe  romanin “Gjyshi i tmerrshëm” të Preç Zogajt, nuk ma ngjeshi në dorë askush; ai ndodhet ngahera në bibliotekën time. Në heshtje, kishim nisur një lloj gare me tim atë; kush lexonte më shumë.

Unë blija librat që më interesonin dhe ai blinte të vetët; im atë ndjesë pastë ishte si fshesë elektrike, lexonte gjithçka. Ndërsa unë, jo; derisa ishte në jetë fitoi ai. Tani librat që ai blinte i kam unë; ndjej një si lloj detyrimi për t’i marrë në dorë ato libra që deri dje i kam injoruar; nëse do t’ia dal do t’i lexoj, në të kundërt do t’i kërkoj ndjesë kujtimit të tij.

Përpara se të merrja në dorë romanin “Gjyshi i Tmerrshëm”, shfletova disa të tjerë, por nuk arrita t’i kaloja dhjetë faqet e para. Ndërsa Preç Zogaj, më turbulloi që në faqen e parë. Do ta përcjell këtë pjesëz, por në mënyrën që më tingëlloi…

 

Të premten mbrëma vjen haberi…

 

E di se nuk ka gjë në thellësinë e errët të sallonit.

As në drithërimat e perdeve, që duket

sikur po kundërshtojnë shpalosjen prej korrenteve

pikërisht sepse duan të fshehin fantazamat

në palat e tyre…

 

Kurorat e luleve përtej vetratës imitojnë

një dremitje të përjetshme engjëjsh.

Por nuk ka gjë.

Nuk mund të ketë gjë.

Arsyeja sundon në botën time.

Në këtë shtëpi tani ka vetëm sende.

 

 

Megjithatë kam një si pengim të lëviz

nga vendi, të kthej kokën majtas-djathtas apo,

të ngrihem dhe të shkoj të prek perdet,

të prek lulet, të mbyll vetratën që ka rrëshqitur

dy-tri pëllëmbë nga shinat…

 

Nuk më shijon të vërtetoj atë që di.

Thellë-thellë, do të doja të kishte diçka

dhe t’i mbaja, si njëherë e një kohë,

në një lloj bashkëjetese, karshillëku

apo dueli të vazhdueshëm dijen me magjinë,

lëndoren me hipnozën, të vërtetën

me virtualen, historinë me përrallën.

 

Dhe të vinte haberi.

Të shpërthente plazmën e televizorit,

të rrokullisej në parket. Qoftë edhe në trajtën

e hijes së dërrmuar nga lodhja e harrimit.

 

Ky ishte fillimi i romanit, pra prozë, por që në lexim të parë se si më tingëllonte; si të dëgjosh të recituara vargjet e një kënge, nuk e dëgjon muzikën por me mendje mundohesh t’ia bashkangjisësh recitimit. Në formën e prozës këto radhë më tingëllonin të paplota megjithëse të fuqishme; ndërsa kur i radhita kështu u mrekullova me forcën metaforike që të shtyn në udhëtim. E u detyrova të rishfletoj disa libra me poezi, që nga vizionari William Blake tek mbreti Baudelaire dhe ndjekësit e tij, të brezit të mallkuar Valeri dhe Verlaine, Rimbaud dhe Malarme. Jo për krahasim, por për t’i bërë një akuzë. (Në itali, një pjesë mediokre, mjaft e vogël e kritikës letrare, ajo pjesë që nuk pat arritur kurrë të thellohej në vrullin e shekullit të Blake, që e patën pranuar përdhunëshëm pa e kuptuar Whitman-in. Pasardhës të atyre që akuzonin Keates për papjekuri dhe Leopardin për pesimizëm, që nuk iu përqasën aspak poezisë frënge të shekullit të XIX. Nuk arrinte të kuptonte hermetizmin e brezit të artë italian. Ndaj jo pak herë akuzonin Ungaretin, Montalen dhe për më tepër Quasimodo-n për prozaizëm në poezi. Nuk kishin faj, nuk arrinin të thyenin dot murin metaforik të mbretëreshës poezi, evuoluar nga i pari i kësaj liste tek i fundit.) Dua ta akuzoj Preç Zogaj-in për poezizëm në prozë.

Poezizëm të ngjashëm për nga forma me poetët e brezit të mallkuar, për nga vizioni do e quaja pa frikë, këtë pjesë, pasardhëse aktuale e stilit të Blake.  Ajo lloj poezie që më tepër se nga të gjitha format e arteve pasqyroi mëdyshjen e qenies njerëzore që rritet progresivisht me rritjen e “njohurisë”. Megjithëse ajo fraza hyrëse, që mund të quhet edhe si titulli virtual i kësaj poezie të maskuar, më bëri mjaft për të qeshur. Jo për gjë por më kujtoi një baladë, këngë, rurale, groteske e cila pat fituar nuk e di se cilin edicion të festivalit folklorik të Gjirokastrës. Ajo zhgarravinë aritistike  pak a shumë kështu niste: që kur na erdhi haberi, dilni se erdhi, etj., etj., etj… E teksa vijoja me leximin dhe përballesha me një poetikë që lartësohej progresivisht përgjatë romanit. Aq sa më kujtoi një fjalim të Borgesit në auditoret e Buenes Airesit mbi letërsinë: Frëngët kanë një gjuhë të shëmtuar, por një letërsi të bukur ndërsa ne ispanikët, kemi gjuhë të bukur dhe letërsi të shëmtuar.  Për ne shqipfolësit, dalja në dritë e kësaj  vepre, e këtij lloj stili, më bën të them se kemi gjuhë dhe letërsi të bukur.

Me një subjekt që kridhej vrullshëm nën kthetrat e një procesi kafkian, me një “autolezionizëm” vetëlëndim sa fizik aq edhe hipnotik, me “dy personazhe” kryesor që krijojnë një lloj Manfredi bashkëkohor, por pa mëkat, një pyetje më tundonte kokën: çne kjo frazë kaq,… (nejse, nuk është akoma çasti për të përmendur këtë fjalë), kaq bazike, në hyrje të një rruzari metaforash që duket sikur grishin atë aparaturën që Lovekraft, ka vendosur në tregimin “Nga përtej”, që eksitonte gjendrën pineale dhe që do ta bënte njeriun të shihte përtej vizives, të dëgjonte përtej uditives, të nuhaste përtej olfatives. Nuk mund të besoja që Preç Zogaj, të ishte aq cinik sa ta niste romanin e tij pikërisht me një frazë thuajse pranë banalitetit, ndaj kërkova dhe gjeta ndihmën e hermetikëve. Ishin ata që më tepër se të tjerët, përdorën metaforën ambigue, atë lloj metafore që poshtë lëvores thuasje të vulgaritetit fshehin xixëllimin e diamantit. Vetëm pas vështrimit në këtë lloj prizmi, përpara m’u shfaq ajo që unë parandjeja dhe kërkoja; le të mbetemi nën krahët e baladës:

 

 

Të premten mbrëma, erdhi lajmi: ” Kostandini është ngritur nga varri!”

E di se nuk ka gjë “në thellësinë e errët të kalesës. As në drithërimën e faqeve të historisë që duket sikur duan të burgosin fantazmën e Kostandinit, ndër radhë të shkruara e të pashkruara. Përtej gurit të varrit, eshtrat imitojnë një dremitje të përjetshme Heshtje.”

Por nuk ka gjë.

“As ka pasur e as do të ketë gjë”.

“………- izmi sundon botën time.”

” Në këtë shtëpi tani ka vetëm të …….-ëta sende.

Megjithatë, kam një si pengim të ndryshoj qëndrim, të ngul vështrimin përtej historisë apo legjendës, të arrij dhe të lëvis faqet e historisë, ta mbyll atë gurë varri të lëvizur. Nuk më shijon të vërtetoj atë që di. Thellë- thellë do të doja të kishte diçka dhe të besoja, në një lloj bashkëjetese, karshillëku apo dueli të vazhdueshëm (u ngrit apo nuk u ngrit) dijen me magjinë, lëndoren me hipnozën, të vërtetën me virtualen, historinë me përrallën. Të shpërthente errësirën e natës që iu bë pelerinë dhe të rrokullisej mbi baltën e kësaj bote. Qoftë edhe në trajtën e hijes së dërrmuar nga lodhja dhe harrimi. (Nga lodhja e një udhëtimi të stërgjatë dhe harrimi, se ishte pikërisht ky  që e ngriti nga varri, harrimi dhe jo mallkimi i nënës së cilës i vdiqën nëntë bij)

Ndoshta i gjithë ky harbim mendor i imi nuk ka lidhje të drejtë për drejtë me romanin “Gjyshi i tmerrshëm”. Mirëpo këtu qëndron forca e një letërsie të mirëfilltë, forca e një poetike mrekullisht, thjeshtësisht çarmatosëse, pjellë e një talenti të natyrshëm. Talent që luan me prozën si një fëmijë me lodrat e veta, pa hile, pa dëshirën për të fituar kudo dhe kurdoherë, por thjesht, për kënaqësi. E arti në duar të tilla, lundron kënaqëshëm dhe nuk hidhet sa këndej e sa andej, si mbi një rrugë me gropa.

Ndokush mund edhe të habitet me këtë stërzgjatje, ngaqë nuk kam analizuar as më shumë se një faqe; por, ky nuk është për fajin tim. Për këtë, ka faj Preç Zogaj, ka faj talenti i tij.

Duhet të ndalem pak edhe tek subjekti, pasi edhe ai ka një rëndësi të veçantë, megjithëse me këtë formë arti, çdo lloj subjekti do të kalonte në plan të dytë. Merrni veprën e mbretit të prozës, Balzak, subjektet e tij nuk kanë asgjë jashtëtokësore, mirëpo stili e bën veprën e tij të paripërsëritshme, frymëzuese për brezat pasardhës.

Romani “Gjyshi i tmerrshëm” ka një subjekt të përbindshëm; edhe nëse ka ndodhur realisht, por më tepër nëse është krejtësisht pjellë e mendjes së Preç Zogajt. Nuk dua të them, se ka gjurmët e një absurdi kafkian, pasi është i një shkalle më të lartë; absurd shqiptar.

Dante Aligeri kur ndërtoi rrathët e ferrit, mendoi se kishte arritur, me madhështinë e vet, të krijonte të paimagjinueshmen, por harronte se kishte të bënte me njerëzit, meskinë (ja edhe fjala të cilës, akoma nuk i kishte ardhur koha dhe tani, këtë fjalë vendoseni në pikat e mësipërme), e kishin lënë për mbitokën, një rreth tjetër të ferrtë; rrethi i ferrtë absurd shqiptar i njollës në biografi. Vetëm meskiniteti njerëzor shkon përtej fantazisë së poetëve.

Mos u frikësoni nga fjala “meskin”, letërisa e madhe, këtij instikti njerëzor të pakushtëzuar, i bën jehonë. Duke u nisur nga Rusia e largët në lindje, nën palat e “Mantelit” dhe përmes “Frymëve të vdekura”, apo edhe nëpërmejt “Idiotit”, gjenialët, kanë zhveshur deri në paturpërsi, meskinen. Edhe në Francë, mbreti i romanit, Balzaku, e pikturoi meskinitetin tredimensionalisht. Po ashtu edhe “Portreti i Dorian Greit”, nuk ishte gjë tjetër veçse poetreti i meskinit. Nuk është aq e ulët sa ç’na duket, madje është më e lartë nga ç’e përdorim. Fjala “meskin” rrjedh nga italishtja dhe është një përcaktues që tregon varfëri; njeriu është meskin ngaqë është i vdekshëm. Mund të mundohesh ta veshësh veten me të gjitha shkëlqimet e mundshme, morale dhe fizike, por ajo për të cilën ke nevojë jetike është tepër meskine, bazike, e varfër; të ushqehesh. Gjithçka ecën me kokën lart, mbështet hapat mbi baziken meskine.

 

 

Preç Zogaj e mbyll romanin disi me mister, si të ishte ndjekës i Lovekraft-it, por unë e di të vërtetën e zhdukjes, apo vdekjes së Arturit. Ajo ka të bëjë me meskinen njerzore; personazhit kryesor, në një pikë duket sikur më tepër e mundon ekzistenca e ijnoruar e një femre në jetën e Arturit se sa zhdukja e tij; meskinizëm njerëzor. Madje edhe ai programi televiziv, “t’i gjejmë sëbashku”, nuk është tjetër përpos se pjellë e meskinizmit të maskuar me fisnikëri. Mania “morboze” e sëmurë e shumicës për të ditur përse, kur, ku, ndërsa realisht nuk ia ndjen as për të afërmit. Kjo masë vështruese rrit shikueshmërinë e një rrjeti televiziv, i cili rrit të ardhurat e veta me anë të sponsorëve. Paratë e tyre veshin e krehin gazetarët dhe prezantuesen. Pra edhe t’i gjemë sëbashku, mbi dramat njerëzore, meskinisht krijon përfitime materiale.

Në radhët e librit, Arturi thotë: “e kishte pleqërinë një farë rrobeje.” si të thuash; vishte fisnikërinë për të mbuluar meskinitetin.  Edhe kur merret vesh fundi i trishtë i një krijese njerëzore, njerëzit janë të ngërthyer në një lojë ideologjike meskine; një armik më shumë, një hero më pak. Askush nuk mendon për dramën e vërtetë; shkatërrimin e shumë jetëve falë meskinitetit njerëzor. Arturi, por edhe unë, po të kisha qenë në vendin e tij, do të kisha preferuar një gjysh të tmerrshëm, një armik të djalltë, se sa një asgjë të bymyer, pjellë të meskines. Të paktën, të gjitha vuajtjet absurde do të ishin të arsyetuara. Ndrësa kështu, çdo gjë shkon përtej meskines.

Është po aq shpërblyese, madhështore,  të vdesësh i kryqëzuar si Dismas krahas Jezukrishtit, sa ç’është meskine të kryqëzohesh dhe vdesësh si Krishti krahas Dismas.

Nëse lexohet me vëmendje kjo hyrje, që për mua, në një farë mënyrë shërben edhe shpjegimi i mbylljes, edhe autori vetë, ndihet i humbur si personazhi i vet. Kur thotë, që do të kish dashur t’i kishte sërish… Në fakt, ai ka një farë keqardhje edhe për realitetin në të cilin jeton. Më parë, jetonte me shpresën e një ardhmërie të artë, por zbuloi një reciklim meskiniteti.

“Njeriu, për të shpëtuar nga kruthi i meskinitetit, krijon alterego, por edhe ai zhduket, vdes, kur kupton se edhe pse mundohet është e burgosur brenda një krijese tmerrësisht, pandryshueshmërisht, meskine.

 Këto ditë, Preç Zogaj ka promovuar romanin e tij të radhës dhe kjo ese e imja, mund të tingëllojë paksa e vonuar, meqë merret me një vepër që ka kaluar në heshtje shumë vite; heshtje-virtyt i cinikëve.  Le të jetë ky një fillim, një katarsis për të gjithë ata që ndoshta, kanë dashur të thonë diçka, por kanë heshtur.

Për artin, nuk është kurrë vonë, të flasësh.

 

(Hamdi) Erjon Muça

06-11-2019 Pisa Itali

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kur përkthehej Enver Hoxha në takimin me Mao Ce Dun-in

” Arti i përkthimit gojor dhe Ankthet e përkthyesit”

Çmimi Kombëtar ‘’Lumo Skëndo’’

‘’Tregime të moçme shqiptare’’ nderohet me titull