MENU
klinika

Një qëndrim i tillë i Turqisë, krejt i papritur

Pse Turqia po kthen kokën pikërisht tani nga Perëndimi?

10.02.2021 - 12:53

I parë në sfondin e armiqësisë dhe fyerjeve – për shembull, pretendimi i presidentit Erdogan se “nazizmi në Perëndim është ende i gjallë” – dëshira e Turqisë për “të çelur një faqe të re”në marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara dhe BE-në,vjen si një zhvillim i befasishëm.

Por ndoshta nuk është e tillë, pasi SHBA-ja ka vendosur së fundmi sanksione ekonomike ndaj Turqisë, ndërsa Bashkimi Evropian është partneri i gjashtë më i madh tregtar i Turqisë, dhe një burim kryesor i investimeve të huaja. Por çfarë e ka shkaktuar këtë ndryshim të papritur të kursit nga ana e Ankarasë?

Pa dyshim që kjo lëvizje ka lidhje me me kolapsin ekonomik të Turqisë, varfërinë dhe papunësinë në rritje në vend,dhe shanset e zvogëluara të Erdoganit për t’u rizgjedhur në detyrë. Siç theksohet në një analizë të SWP (Instituti Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë) me seli në Berlin, oferta e anëtarësimit të Turqisë në BE nuk ka qenë aq shumë e motivuar nga dëshira për reforma demokratike, sesa është parësi një instrument për të lehtësuar zhvillimin e saj ekonomik.

Po ashtu, Koray Çalişkan, politolog në Universitetin Boğaziçi, argumenton se arsyeja pse AKP hoqi dorë nga anëtarësimi në BE, ishte se ajo ka vendosur një hegjemoni totale në politikën civile, pas mënjanimit të ushtrisë.

Dhe për të frenuar ndikimin e ushtrisë, AKP kishte nevojë për mbështetjen e BE-së. Dhe këtë e bëri përmes një serie gjyqesh në formë show gjatë viteve 2008-2013. Ndërkohë,prej vitit 2013 qeveria turke e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, e braktisi fasadën e të dukurit një regjim liberal, duke nisur shtypjen e zërave kundër, si brenda ashtu edhe jashtë partisë.

Kryetari i AKP-së për Stambollin, e bëri të qartë se nuk do të kishte më të ardhme për liberalët, të cilët me herët e kishin mbështetur këtë parti. Ndërkohë,eurodeputetja Marietje Schaake deklaroi në emër të grupit Renew Europe se:“Ëndrra jonë për një Turqi evropiane, është shndërruar në një makth!”.

Në verën e vitit 2013, ajo që nisi si një protestë e aktivistëve të mbrojtjes së mjedisit kundër shkatërrimit të Parkut Gezi në Stamboll, u përhap në 80 nga 81 provincat e Turqisë, si një protestë kundër sundimit autoritar, gjë që u prit me një reagim të ashpër nga regjimi.

E njëjta gjë po ndodh me shtypjen aktuale të protestave nga studentët në Universitetin Boğaziçi kundër emërimit nga presidenti Erdogan (në vend të lejimit të zgjedhjeve të lira) të rektorit të ri të universitetit.

Çdo ditë burgosen kundërshtarët dhe kritikët e dyshuar të qeverisë, ndoshta në përgatitje të zgjedhjeve të parakohshme. Mbi 292.000 njerëz janë arrestuar dhe 96.000 janë burgosur që nga grushti i dështuar i shtetit i vitit 2016,ndërsa më shumë se 130.000 nëpunës të administratës publike janë shkarkuar nga puna.

Gjithsesi, përballë një denoncimi të gjerë të abuzimeve me të drejtat e njeriut nga autoritetet turke, presidenti Erdoğan ka deklaruar se 2021-shi do të jetë viti i reformave demokratike dhe ekonomike. Por ai e ka quajtur “hipokrit” vendimin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për lirimin e liderit kurd Selahattin Demirtaş, teksa e ka shpërfillur urdhrin e

Këshillit të Evropës për të liruar mbrojtësin e të drejtave të njeriut, Osman Kavala.

Ish-ministri i Jashtëm (dhe më vonë kryeministër) Ahmet Davutoğlu, formuloi dikur strategjinë e politikës së“zero problemeve me fqinjët”, por ajo qasje ka qenë e dëmshme. Në vitin 2013 këshilltari kryesor i politikës së jashtme të Erdogan (dhe sot zëdhënësi tij) Ibrahim Kalın shkroi në Twitter mbi “vetminë e çmuar” të Turqisë. Por tani, sidomos pas Marrëveshjeve Abraham mes Izraelit dhe disa vendeve arabe, ajo politikë po e çon drejt izolimit.

Sikurse komentoi kohët e fundit i dërguari i presidentit Trump në Siri, James Jeffrey,  Katari, Azerbajxhani dhe Bullgaria nuk përfaqësojnë një aleance të qëndrueshme rajonale. Zgjerimi agresiv i Turqisë në Siri, Libi, Irak, dhe mbështetja për Azerbajxhanin në Nagorno Karabak, vështirë se mund të konsiderohet si ndërtim i besimit.

Dhe as përplasja e Turqisë me Greqinë dhe Qipron në Mesdheun Lindor. Në samitin e fundit të BE-së në dhjetor, unioni ra dakord që të shtyjë një vendim mbi sanksionet deri në samitin e ardhshëm që do të mbahet në mars.

Apeli i presidentit francez Emmanuel Macron që Evropa të rifitojë sovranitetin e saj ushtarak, u injorua sërish, dhe Këshilli Evropian vendosi t’ia kalojë topin SHBA-së, dhe të presë për të dëgjuar se çfarë do të vendosë administrata e re.

Deri më tani, ajo që ka dominuar është politika e kancelares gjermane Angela Merkel për “një dialog konstruktiv” dhe “një axhendë pozitive”. Ishte Merkel, ajo qe ndërmjetësoi marrëveshjen e 18 marsit 2016, e cila e bindi Turqinë të mos lejonte dyndjen e miliona refugjatëve drejt Evropës.

Në këtë rast, roli i Gjermanisë është më pak se i lavdishëm, pasi ishte thirrja e Merkel “Wir schaffen das” (Po, ne mund ta bëjmë këtë) në gushtin e vitit 2015, që provokoi emigrimin e mbi 1 milionë refugjatëve në Evropë nga Lindja e Mesme.

Njëkohësisht, ishte Gjermania ajo që i dha Turqisë tanket “Leopard” për ofensivën e saj në Afrin të Sirisë në vitin 2018, dhe që bashkëpunon në prodhimin e 6 nëndetëseve të klasit 214. Në një video-konferencë ditën e Krishtlindjes me Merkel, Erdogan e vlerësoi kancelaren gjermane si një udhëheqëse largpamëse.

Por ai nuk ngurroi t’i rikujtojë Marrëveshjen e 18 Marsit, e cila përfshinte liberalizimin e vizave për qytetarët turq, një përditësim të Bashkimit Doganor, një ripërtëritje të bisedimeve të anëtarësimit,dhe 6 miliardë euro fonde të premtuara për menaxhimin e flukseve të emigrantëve.

Në një telefonatë të zhvilluan me rastin e Vitit të Ri me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Erdogan rikujtoi Marrëveshjen e 18 Marsit, teksa theksoi se Turqia e sheh të ardhmen e saj në Evropë. Ai i kërkoi Von Der Leyen të injorojë “kapriçot” e disa vendeve anëtare të BE-së dhe “problemet artificiale”të krijuara prej tyre.

SHBA i sheh disi ndryshe gjërat. Presidenti Joe Biden nuk ka komunikuar ende me Erdogan. Por Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan deklaroi gjatë një telefonatë me shefin e kabinetit të Ursula von der Leyen,se Uashingtoni ka rënë dakord të bashkëpunojë me BE-në për çështje me interes të përbashkët, përfshirë Kinën dhe Turqinë.

Sullivan bisedoi edhe me Ibrahim Kalin. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, ka kundërshtuar një embargo armësh ndaj Turqisë, pasi sipas tij kjo do të ishte “strategjikisht e gabuar”, pasi Turqia është anëtare e NATO-s. Sidoqoftë, Thesari i SHBA-së i ka drejtuar një memorandum Departamentit të Mbrojtjes, ku e përcakton Turqinë si një qendër logjistike të Shtetit Islamik.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN