Prej disa kohësh Japonia po kryen një ofensivë komplekse diplomatike, ekonomike dhe deri ushtarake në atë zonë të «re» gjeopolitike – Indo – Paqësor – që po definohet si një prej territoreve më të rëndësishme të shekullit të XXI. Tokio i ka dhënë jetë «Quad», një forme bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara, Indinë dhe Australinë për të frenuar ekspansionizmin kinez; ka forcuar bashkëpunimin me vendet e Juglindjes aziatike; ka intensifikuar partneritetin transpaqësor edhe pas daljes së Trump nga traktati. Rruga Detare e Mëndafshit e Pekinit has disa pengesa.
Është prania e Kinës ajo që përqëndron mendjet në Azi. Vitet e kaluara, përfshi epokën Trump, Japonia ka lëvizur në të kundërt të Europës, mbi të cilën fryma e Dragoit të largët është më pak shqetësuese: Tokio ka zhvilluar një strategji komplekse ekonomike, diplomatike dhe deri ushtarake për ta forcuar sigurinë e saj në rajon; aspak jashtë ombrellës amerikane, por pa qëndruar duke pritur nga Shtëpia e Bardhë. Shinzo Abe, Kryeministër në fuqi qysh nga viti 2012 deri në muajin gusht, ka qenë arkitekti i këtij aktivizmi të ri ndërkombëtar: tani, Kryeministrit të ri Yoshihide Suga do t’i duhet që ta shtyjë përpara në epokën Biden. Dy liderë të rinj, në Tokio dhe në Uashington, por një Japoni gjithmonë në projeksion të jashtëm: «Sërish një fuqi e dorës së parë», arriti të thotë Abe.
Në themel të pozicionit të ri strategjik japonez janë një ide gjeopolitike dhe ndërtimi pasues i një parneriteti sigurie. Themeli teorik është përkufizimi i rajonit indo – paqësor si zona në të cilën vendoset siguria e vendit. Japonia është një ekonomi e madhe, e 3-ta e botës, fuqimisht e orientuar nga tregëtia ndërkombëtare: liria e lundrimit në dete dhe në oqeane është strategjike për vendin. Kjo ka qenë e garantuar pë vite të tëra, në nivel global, nga Shtetet e Bashkuara. Tani, në vizionin e Abe dhe të niveleve drejtuese të diplomacisë japoneze ekziston rreziku që kjo të vihet në diskutim nga një Kina gjithnjë e më shumë afrimative në Azi, duke filluar nga Deti i Kinës Jugore, dhe gjithnjë e më shumë e projektuar nga një prani e fortë detare në të dy oqeanet, Paqësor e Indian, domethënë mbi rrugët e tregëtisë japoneze. Me fjalë të tjera, një politikë e jashtme e bazuar mbi «detet e hapura» është një strategji mbrojtëse e interesit kombëtar, paarasëgjithash ekonomike, për Tokion.
Vizioni i konceptuar nga Abe niset nga konsiderata e Indo – Paqësorit si qendra e gravitetit e dekadave të ardhshme, zona e gjerë në të cilën do të realizohen zhvillimet më të mëdha ekonomike dhe ku do të vendoset ekuilibri i ri ndërkombëtar, në tranzicion nga Atlantiku drejt Lindjes. Në këtë zonë Pekini lëviz prej vitesh gurët e tij, sidomos nëpërmjet Belt and Road Initiative, në mënyrë të veçantë Rrugën Detare të Mëndafshit. Konektiviteti i së cilës midis vendeve të ndryshme është infrastrukturore, por edhe e madhe për nga influenca politike. Mund të duket e kotë që një Japoni gjithësesi jo e madhe të vihet në konkurrencë, edhe pse jo gjithmonë në mënyrë eksplicite me gjigandin e fuqishëm kinez; fakti është se Tokio nuk mund t’ia bëjë pa të, në rast se nuk do të përfundojë në orbitën e Kinës: nacionalisht dhe historikisht e papranueshme. Në vizionin e Abe dhe të Suga, që ka qenë bashkëpunëtor i tij prej vitesh, Indo – Paqësori është kështu njëherazi një hapësirë gjeografike, që shkon nga Japonia deri në bregun lindor të Afrikës, një ide e së ardhmes dhe një strategji sigurie.
Për konceptin e ri gjeopolitik Abe foli qysh në vitin 2007, gjatë mandatit të tij të parë si kryeministër që zgjati vetëm një vit. Ide e rimarrë me forcë në 2012, e bërë një pozicion i definuar dhe e bërë publike nën titullin «Indo – Paqësori i lirë dhe i hapur»: Kryeministri e sqaroi gjatë një konference me vendet afrikane në gushtin e 2016 në Najrobi. Më 11 nëntorin e po atij viti, teksa bota kërkonte të rimerrte veten nga shoku i zgjedhjes së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Abe udhëtoi nga Tokio në Kobe në bordin e një shinkansen, trenit super të shpejtë japonez, për t’u takuar me Kryeministrin Indian Narendra Modi.
Nga takimi doli vendosmëria për të bashkëpunuar në ekonomi, arësim, diplomaci, teknologji, mjedis, kulturë. Një partneritet për t’u zhvilluar në një perspektivë që të dy liderët e quajtën indo – paqësore: jo më vetëm Azi, jo vetëm më Azi Jugore, jo vetëm më Paqësor, por një koncept më i gjerë e më domethënës, që e merr emrin nga baseni madh në të cilin Kina e Xi Jinping kërkon të shtrijë hegjemoninë e saj. Në fjalët e diplomacisë japoneze, është objektivi për të krijuar «një hark lirie e prosperiteti». Pastaj, politika e Free and Open Indo-Pacific ka hyrë në strategjitë e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe është afër qendrës së përpunimeve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare relativisht të ri.
Koncepti strategjik i Indo – Paqësorit nuk është pronësi ekskluzive e japonezëve dhe e Abe. Qysh në vitet 2004 e 2005, ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare kanadezë dhe australianë e kishin përdorur për të treguar risinë e ekuilibrave dhe të dinamikave të zonës. Në vitin 2011, Kryeministrja australiane Julia Gillard e përfshiu plotësisht në një vizion të ri rajonal për Australinë, vend i Paqësorit në Lindje dhe i Oqeanit Indian në perëndim. Qysh atëhere, ideja gjeopolitike e lidhur me termin ka ecur dhe është përthithur nga administrata Trump në 2019 dhe gjithnjë e më shumë nga qeveria indiane, sidomos pas përplasjeve në kufi me trupat kineze në Ladakh, verën e kaluar. Përreth idesë po zhvillohet tani një bashkëpunim lidhur me çështjet e sigurisë midis 4 vendeve – Japonisë, Australisë, Indisë, Shteteve të Bashkuara – që bashkëpunojnë në një forum informal të quajtur Quadrilateral Security Dialogue, shkurtimisht Quad: ngjarje të ndryshme prej vitesh nuk e kanë lënë që të ngrihet, por pas një takimi të vitit 2017 në Manila midis liderëve të të 4 vendeve, ka rinisur të funksionojë edhe në termat e bashkëpunimit për cështje ushtarake. Abe e quajti bashkëpunimin «diamanti i sigurisë demokratike të Azisë». Më prozaikisht, kuptimi i saj qëndron në nevojën për të menaxhuar «rritjen e Kinës, që është sfida dalluese e kohëve tona», me fjalët e Walter Lohman, Drejtor i Qendrës së Studimeve për Azinë të Heritage Foundation.
Dy vite më parë, Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi e kishte quajtur Quad «shkumë deti», domethënë pakogjë, e cila do të zhdukej shpejt. Kurse më 13 tetor të këtij viti është kthyer tek tema dhe e ka quajtur «e ashtuquajtura NATO indo – paqësore». Për të thënë se bëhet fjalë për një rrezik ndaj sigurisë që ka për qëllim të «imponojë mentalitet prej Lufte të Ftohtë dhe të provokojë përplasjen midis grupeve e blloqeve të ndryshme për të ushqyer konkurrencën gjeopolitike». Tani: Quad nuk është aleancë ushtarake dhe nuk është NATO e Azisë. Ama kur ka parë të intensifikohet bashkëpunimi midis të katërve, sidomos prej vendimit të Modi që të marrë pjesë plotësisht pas përplasjeve në kufi me Kinën, Wang ka frikë se mos një zgjerim i Quad në vende të tjera të rajonit i përgjigjet dëshirës amerikane për ta larguar nga Pekini, në linjë me vendosmërinë e Uashingtonit për ta «shkëputur» globalizimin amerikan nga ai kinez. Kështu, Wang e paraqet tani Kuartetin si një kërcënim ndaj stabilitetit rajonal; kritikë që përfshin edhe Tokion. Praktikisht, Japonia i ka kuruar në mënyrë të veçantë marrëdhëniet me vendet e rajonit, sidomos më ata të dhjetë të ASEAN, Aleancës së Juglindjes aziatike, që Abe i ka vizituar të tërë në vitin e parë e mandatit të tij të dytë.
Bëhet fjalë për vende që kanë raporte të forta ekonomike me Kinën, por ndërkohë kanë frikë se mos gëlltitet nga politika nënshtruese dhe lidhur me disa çështje territoriale agresive e Pekinit. Është rasti i Vietnamit, i Indonezisë, i Singaporit, i Filipineve. Duhet të ecin në nëpër një shteg shumë të ngushtë, të mos rreshtohen as me Uashingtonin, as me Pekinin. Chose is to lose, «Të zgjedhësh do të thotë të humbësh», ka përmbledhur Raja Nushwiran Zainal Abidin, ambasadori malajzian në Kinë. Bëhet fjalë për vende që e shohin vetëveten si një pol autonom në rendin botëror në valim, sigurisht jo gurë të dy superfuqive të mëdha. Dhe në këtë gjejnë mbështetjen e Tokios, e cila ka një marrëdhënie të fortë me Shtetet e Bashkuara, por është e vetëdijshme për shfaqjen e Azisë jokineze si aktor ekonomik e politik, në disa raste edhe si model governance pas menaxhimit të mirë të pandemisë. Një Shtëpi e Bardhë e banuar nga Joe Biden do të zhvillojë marrëdhëniet me Japoninë, patjetër, por edhe me demokracitë (nganjëherë të çala) të Azisë tjetër.
Paralelisht me zhvillimin e një strategji projeksioni më të madh ndërkombëtar nga pikëpamja diplomatike, në disa raste me tipare ushtarake pavarësisht kufizimeve të Nenit 9 të kushtetutës së saj pacifiste, Tokio e ka rritur politikën e ndihmave për zhvillimin (15.5 miliard dollarë në 2019) dhe ka intensifikuar bashkëpunimet rajonale lidhur me infrastrukturat në konkurrencë me Belt and Road Initiative kineze. Mbi të gjitha, ka mbajtur të palëvizur dhe bile ka promovuar TransPacific Partnership (TPP) edhe pasi Trump e ka braktisur. Bëhet fjalë për një marrëveshje tregtare midis 11 vendeve të basenit të Paqësorit në traktativat për të cilën Abe ka luajtur një rol lidershipi thelbësor që ka krijuar prestigj për Japoninë në rajon dhe më gjerë. Më shumë, strategjia e “3 Heshtave” për ta nxjerrë vendin nga vite stanjacioni, e dëshiruar nga ish Kryeministri në bashkëpunim me Bankën Qendrore, është bërë një rast që studiohet nëpër shkolla në nivel ndërkombëtar, e studiuar si në Shtetet e Bashkuara, edhe në Europë.
Kështu, Kryeministri Suga trashëgon jo vetëm një vend në lëvizje, por edhe sfidat e vjetra e së kaluarës, raporti ambig me Kinën e Xi dhe përplasjet e mundshme lidhur me ishujt e Detit të Kinës Jugore; marrëdhënia historike e keqe me Korenë e Jugut; kërcënimet e Koresë së Veriut; krizat e mundshme përreth Tajvanit fqinj dhe, në perspektivë, konfliktet e mundshme në Detin e Kinës Jugore, ku Tokio nuk merr pjesë në operacionet Freedom of Navigation e bëra nga Shtetet e Bashkuara, por ka një interes të konsiderueshëm po të kihet parasysh rëndësia e madhe e basenit si për Kinën, ashtu edhe për vendet e ASEAN. Japan is back, deklaroi Shinzo Abe disa vite më parë. Nuk i referohej vetëm ekonomisë, ku vendi ka ende probleme strukturore serioze, duke filluar nga demografia, por diplomacisë dhe ekonomisë. Ajo e sotmja është një Japoni që e ka kuptuar se bota është sërish në një epokë konkurrence midis fuqive dhe, për pasojë, përshtatet. Ndoshta i tregon diçka edhe Europës.