Serbia mund të ketë kapacitete për të prodhuar vaksinën ruse kundër koronavirusit Sputnik V deri në fund të këtij viti, ka thënë ministri serb pa portofol Nenad Popovic.
Më herët gjatë ditës, Popovic ka thënë se Serbia duhet të blejë pajisjet e nevojshme për të nisur prodhimin e vaksinës Sputnik V. “Ka mungesa të mëdha të këtyre pajisjeve në botë”, ka thënë ai. Javën e kaluar, presidenti serb, Aleksandar Vuçic ka thënë se shteti që ai udhëheq do të investojë sado që duhet për të nisur prodhimin e brendshëm të vaksinës ruse. Nën programin shtetëror të vaksinimit, serbët tani mund të vendosin nëse dëshirojnë të vaksinohen me vaksinë të kompanive, Pfizer/BioNTech, atë kineze të kompanisë Sinopharm, apo atë ruse.
Me rreth 8 për qind të popullsisë së vaksinuar me të paktën një dozë të vaksinës kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, Serbia është një prej vendeve me shkallën më të lartë të vaksinimit në botë, duke qëndruar mbrapa, Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe. Këtë javë, Serbia ka pranuar 500,000 doza të vaksinës kineze dhe 50,000 të asaj ruse.