Fluturimi i dytë provë i raketës futuriste “Starship”, e kompanisë SpaceX, përfundoi me një tjetër shpërthim të martën.
Kompania e sipërmarrësit Elon Musk lëshoi prototipin e saj të fundit të raketës “Starship” në pjesën juglindore të Teksasit, dy muaj pasi prova e mëparshme përfundoi me një shpërthim të madh.
“Duhet të punojmë ende për realizimin e zbritjes”, tha inxhinieri i kompanisë SpaceX, John Insprucker. “Duhet të kujtojmë se fluturimi ishte një provë”, shtoi ai.
Një prototip tjetër i raketës “Starship”, ndodhej shumë afër vendit të nisjes në Boca Chica të Teksasit, gjatë provës të së martës, që zgjati 6.5 minuta.
Elon Musk po zhvillon raketën “Starship” për të dërguar njerëzit në Mars, mbase pas disa vjetësh. Kjo është faza e përparuar e anijeve të tij hapësinore për udhëtimet në Hënë dhe Mars, që janë në plan të leshohen në hapësirë me një mega raketë të quajtur “Super Heavy” e cila është në krijim e sipër.
SpaceX u përpoq të lëshonte raketën Starship javën e kaluar por nuk arriti të merrte miratimin e nevojshëm nga Administrata Federale e Aviacionit, duke nxitur një reagim të ashpër në Twitter nga Elon Musk.
SpaceX nuk ishte në përputhje me rregullat e sigurisë për fluturimin e 9 dhjetorit, tha një zëdhënës i Administratës Federale të Aviacionit të martën dhe duhej të bënte korrigjime përpara se të vazhdonte me operacionet e lëshimit të raketës. Sipas Administratës Federale të Aviacionit, fluturimi i së martës i plotësonte të gjitha kriteret e sigurisë. Megjithatë, në një njoftim tjetër kjo agjenci tha se do të hetonte shkaqet e shpërthimit të raketës “Starship” për të parë nëse është e nevojshme të bëhen përmirësime në procedurat e sigurisë gjatë provave të këtij lloji.