Vendimi i KLGJ-së për gjyqtaren e Krujës, Enkeleida Hoxha, që u arrestua për korrupsion pak ditë më parë është shtyrë sërish dje dhe pritet që të jepet më 25 shkurt.
Seanca e djeshme në Këshillin e Lartë Gjyqësor u drejtua nga nënkryetari Maksim Qoku, i cili u shpreh se seanca e ardhshme do të jetë më 25 shkurt dhe avokati duhet të depozitojë mbrojtjen me shkrim më 23 shkurt. Qoku theksoi se magjistratja Enkeleida Hoxha duhet të saktësojë vullnetin për të qenë në seancë dhe sa u takon kërkesave të tjera, ato të diskutohen pas paraqitjes së mbrojtjes.
Një ditë para se të zhvillohej seanca, gjyqtarja e pezulluar e Krujës, Hoxha, i nisi një letër me shkrim dore Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku sqaronte se do të përfaqësohej në seancë nga avokati i saj, Ardian Visha. “Sot më datë 15.02.2021 u njoftova me shkrim përcjellë nga KLGJ-ja mbi pjesëmarrjen time në seancë, të caktuar për t’u paraqitur në datë 16.02.2021, ora 11:00, ju informoj se e ndodhur para disa kushteve të krijuara ditët e fundit, ju deklaroj se në atë seancë do të paraqitet avokati im, Ardian Visha”, shkruan Enkeleida Hoxha në letrën e saj drejtuar KLGJ-së.
SEANCA
Avokati i Enkeleida Hoxhës gjatë seancës së djeshme kërkoi pezullim të procesit, pasi sipas tij, magjistratja duhet të jetë në seancë dhe duhet kohë për mbledhjen e provave dhe për një propozim drejtuar ILD-së për marrëveshje. Nga ana tjetër, kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, nuk ra dakord me avokatin duke thënë se:
“Nuk jam dakord për shtyrjen. Procesi i rregullt ligjor përfshin edhe mbrojtjen nga avokati. Elementet e procesit të rregullt ligjor përmbushen me prezencën e avokatit. Sa i takon kohës që kërkohet për t’u njohur me faktet, dua të kujtoj se hetimi ndaj magjistrates ka nisur më 16 korrik 2020, pra prej asaj date ajo është njohur me dokumentet që ILD kishte në dispozicion dhe ka pasur mundësi e kohë për mbrojtjen. Edhe avokati ka pasur kohë, sepse është caktuar më 27 janar. Sa i takon marrëveshjes që përmendi avokati, unë nuk kam asnjë propozim zyrtarisht. Kur ta kem, do ta shqyrtoj, edhe pse Inspektori i Lartë i Drejtësisë është i qartë për këtë çështje”, u shpreh Metani. Këshilli pas kësaj është tërhequr për konsultim, ku më pas vendosi që seanca të shtyhej
LETRA E KLGJ PËR AGIM ISMAILIN
KLGJ i ka nisur një letër drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismailit, për dijeni edhe të prokurorit Altin Dumani, që të lejonin gjyqtaren Enkeleida Hoxha të ishte prezent në seancën e djeshme dëgjimore. Për të bërë të mundur zhvillimin e seancës dëgjimore në funksion të procedimit disiplinor të gjyqtares Enkeleida Hoxha, të parashikuar më datë 12.02.2021, ora 11:00, si dhe për të garantuar të gjitha të drejtat e saj në funksion të një procesi të rregullt ligjor, KLGJ kërkon nga ana juaj krijimin e kushteve për praninë e znj. Enkeleida Hoxha më seancën dëgjimore të datës 15 shkurt”, thuhet në letrën e Këshillit të Lartë Gjyqësor.