MENU
klinika

Ҫfarë duhet të dimë për Tiroiden dhe ekzaminimet për vlerësimin e saj?

Tiroidja dhe rëndësia e diagnostikimit në kohë

28.02.2021 - 13:08

Ҫfarë duhet të dimë për Tiroiden dhe ekzaminimet për vlerësimin e saj?

Tiroidja është nga organet më të mëdha endokrine e vendosur në pjesën e përparme të qafës. Ajo ka formën e fluturës  dhe shërben për  prodhimin e hormoneve të tiroides, të cilat marrin pjesë në disa proçese të rëndësishme në organizëm.

Hormonet kryesore të tiroideve janë Triiodothyronina (T3), Thyroxina (T4) dhe TSH i prodhuar në hipofizë. Për  prodhimin e T4 dhe T3 është e nevojshme prania e Jodit.

Tek fetuset tiroidja është e formuar rreth javës së 12 të shtatzanisë. Tiroidja është një organ që, tek fëmijët ndikon edhe në zhvillimin e trurit në tre vitet e para të jetës. Tek të porsalindurit, një në 3.500-4.000 lindje ka problem me tiroiden. Lidhja mes hormoneve të tiroides dhe zhvillimit të trurit, është arsyeja që tek të posalindurit të kërkohet analiza e funksionit të tiroides. Nëse kemi patologji të lindura të tiroides atëherë menjëherë duhet të fillohet trajtimi tek të porsalindurit, për të mos patur probleme me zhvillimin e tyre mendor e fizik.

Rëndësia e jodit

Një i rritur duhet të marrë 150 mcg jod/ ditë.

Gjatë periudhës së shtatzanisë dhe ushqyerjes me gji të fëmijës rriten kërkesat e organizmit për jod duke shkuar ne 200-250 mcg/ditë.

Mosmarrja e sasisë së duhur të jodit stimulon tiroiden të rrisë përmasat e saj. Mungesa e tij lidhet direkt me ç’rregullimin e një sërë funksionesh të organizmit.

Sëmundjet më të shpeshta të tiroides mund të çojnë në prishjen e funksionit të tiroides dhe/ose në dëmtimin e strukturës së tiroidesPrishja e funksionit të tiroides mund të çojë në uljen ose në rritjen e prodhimit të hormoneve të tiroides, duke shkaktuar atë që quhet hipotiroidizëm dhe hipertiroidizëm.

Pacientët mund të kenë njëkohësisht edhe prezencë të nodujve të tiroides dhe ç’rregulime të funksionit të tiroides.

Cilat janë shenjat e hypotiroidizmit dhe hipertiroidizmit ?

  • Shenjat e hypotiroidizmit apo uljes së prodhimit të hormoneve të tiroides janë:
  • Shtim në peshë, lodhje, ndjenjë e shtuar të ftohti, ulje e memorjes dhe koncentrimit, konstipacion, lëkurë e thatë, fryrje në fytyrë, shtrëngim në fyt, rënie të flokëve, ulje e të rrahurave të zemrës , ç’rregullime të ciklit menstrual dhe në stade të avancuara edhe ngjirje zëri, fryrje të këmbëve, vështirësi në gëlltitje etj
  • Shenjat e hipertiroidizmit apo rritjes së prodhimit të hormoneve të tiroides janë:
  • Rënie në peshë, nervozizëm, rritje e të rrahurave të zemrës, ankth, dridhje të duarve, ç’rregullime të gjumit, ndjenjë e shtuar nxehtësie, dobësi muskulare, diare, rënie e flokëve, shtrëngim në fyt dhe në disa raste shoqërohet edhe me fryrje të syve. Në rastet e të moshuarve hasen edhe aritmi të zemrës.

Dëmtimet e ndërtimit të tiroides mund të çojnë në ndryshime të përmasave të tiroides ose/dhe në krijimin e një ose disa nodujve në tiroide.

Nodujt e tiroides mund të dallohen edhe me sy të lirë, si një fryrje në pjesën e përparme të qafës, mund të preken me dorë vetë apo nga mjeku gjatë vizitës mjekësore.  Metoda më e mirë për të evidentuar nodujt e tiroides është ekzaminimi me ekografi.

Në cilat raste një pacient duhet të drejtohet për konsultë tek mjeku Endokrinolog?

Ju duhet të paraqiteni për një kontroll tek mjeku Enkrinolog në rast se:

  • Hasni shenjat e ç’rregullimit të funksionit të tiroides (të shpjeguara më lart)
  • Vëreni zmadhim të përmaseve të tiroides
  • Vëreni ose prekni noduj në tiroide
  • Keni patur histori personale me patologji të tiroides përpara se të filloni një shtatëzëni apo ato të cilat kanë histori familjare me këtë sëmundje
  • Prindërit vënë re një ngadalësi në zhvillimin fizik të fëmijës apo hiperaktivitet të tyre
  • Fëmijët kanë kaluar sëmundje të tjera gjatë fëmijërisë të cilat janë trajtuar me rrezatim apo nëse vihet fryrje e tiroides tek fëmijët
  • Hasim aritmi tek të moshuar, për të përjashtuar ç’rregullimin e funksionit të tiroides.
  • Të sëmurët të cilët marrin medikamente që cilat mund të dëmtojnë funksionin e tiroides 

Bazuar në të dhënat klinike mjeku endokrinolog përcakton edhe ekzaminimet që duhet të kryhen për vlerësimin e tiroides.

Cilat janë ekzaminimet që kryhen për vlerësimin e tiroides?

 Pas konsultës mjekësore që kryhet nga mjeku specialist endokrinolog, për vleresimin e tiroides këshillohen të kryhen disa ekzaminime mjekësore të tilla si:

  • Analiza për matjen e nivelit të hormoneve në gjak: TSH, FT4; FT3, si edhe hormone të tjera të cilat përcaktohen nga mjeku rast pas rasti
  • Ekografia e tiroideve
  • Shintigrafia e tiroides, ekzaminim I cili përdoret për të vlerësuar nodujt e tiroides

Së fundmi, vlen të theksohet se, në rastet e pacientëve me noduj të tiroides, krahas vlerësimit të funksionit të tiroides nga mjeku specialist endokrinolog, pacientit i bëhet vlerësim edhe për kancerin e tiroides, sëmundje kjo e cila në vitet e fundit ka patur një incidencë në rritje. Ёshtë e rëndësishme të dihet se kanceri i tiroides  në stadet e para të tij nuk jep shenja klinike të dukshme. Për këtë arsye, diagnostikimi në kohë nëpërmjet kryerjes së kontrolleve rutinë, bën të mundur që edhe kirurgjia të kryhet në kohën e duhur duke krijuar premisa për një ecuri shumë të mirë post-operastore të këtyre lloj patologjive mjekësore .

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN