MENU
klinika

Lamtumirë, mjeshtër!

Agim Krajka është Dritë që nuk do të fiket kurrë

02.03.2021 - 14:00

        Me hidhërim e morëm ikjen drejt parajsës të kompozitorit, artistit të shquar Agim Krajkës , “Nder i Kombit”.

Brezi im është rritur me këngët e muzikës së lehtë të kompozuara nga mjeshtri Agim Krajka.

E kush nuk i mësonte dhe këndonte këngët e Agim Krajkës, shumica e tyre u bënë hite. Sa herë mblidheshim në mbremjet tona festive me nxënësit shumë prej këngëve të tij këndoheshin dhe kërceheshin me shpirt duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga artisja e madhe e Kombit Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961. Kënga përshtatej shumë me rininë e tyre të hershme, me çapkënllëqet e moshës, me dashuritë e para dhe të fshehura, me ndonjë papërgatije në mësim. Le të kujtojmë dy strofat e para, në fakt unë duke i shkruar po i këndoj si:

“O ra zilja m’nisi frika/ kur mësuesi hyri në mësim/ dhe në vend si s’më ra pika/

Kur ai thirri emrin tim/ Unë asnjë fjalë s’kisha mësuar/ Se mbrëmë në takim isha me ty/

Po nisi lemza e bekuar/ Në d’rrasë të zezë shihja dy sy”…

Ai solli emancipimin në art, në muzikën e lehtë, popullore, të përpunuar e orkestrale. Kontributi i tij në art dhe muzikë përfshin një periudhë prej tri dekadash. Ai është vleresuar me mbi 15 çmime të dyta, 3 çmime të treta dhe vetëm një çmim të parë në Festivalin e vitit 1987, me këngën “Nuk e harroj”, të kënduar nga motrat Libohova.

Agim Krajka ishte dhe një idhull si fizarmonist. Ai luante me gishtat në tastierë sikur bënte balet në ajër dhe pushtonte skenën duke sjellë emocione tek dëgjuesit e shumtë.

Edhe këtu në Amerikë, në aktivitete të ndryshme i kam dëgjuar shpesh, këngët të kompozuara nga Agim Krajka.

Në New York, ku na hodhën fatet, do të kishim shansin të takoheshim përsëri me Agim Krajkën. Ai jo vetëm që ishte një kompozitor i madh, por dhe njeri, patriot i shquar. Ai është në kujtesën tonë artistike dhe njerëzore. Një ditë, Agim Krajka na telefonoi në kolegj në Brooklyn, ku punonim të dy me Qemalin. Doemos e mirëpritëm me shumë gëzim telefonatën e tij. Pasi na falënderoi për organizimin me studentët për festën e Flamurit, na tha se dëshiroj të vij te marr pjesë me grupin tim, për t’ju përshëndetur ju dhe të huajt në atë kolegj, me këngë shqiptare.

Ardhja e tij në festën e Flamurit Kombëtar ishte shumë emocionante, i dha programit më shumë gjallëri dhe art. Agim Krajka shoqërohej nga bashkëshortja e tij, e ëmbla Ami dhe grupi i fëmijëve në violinë dhe piano, si motrat simpatike Alba dhe Jona Çano, si dhe Albert Stanaj, me të motrën e talentuar. Ata sot janë rritur dhe integruar plot kulturë në botën amerikane. Kur artistët e vegjël filluan t’u binin veglave muzikore nën drejtimin e Artistit të shquar Agim Krajka, salla u elektrizua dhe filluan të duartrokisnin pa pushim.

Agim Krajka ishte dhe një orator i shkëlqyer, fjala e tij u dëgjua me shumë vëmendje, mesazhet e tij ishin dritëza shqipërie. Takoheshim në aktivitete të ndryshme, me plot respekt dhe mirënjohje. Pas disa muajsh, në emër të studentëve të Kolegjit në Brooklyn, Qemal Zylo i dha pllake mirenjohje në shkollën shqipe që ishte e hapur në atë kohë në Bronx, ku ata debutonin të dy me Amin. Çfarë mirësie buronte nga shpirti i tyre! Agim Krajka jetoi me familjen në New York, për 16 vjet, pastaj u kthyen përfundimisht në folezën e ngrohtë në Shqipëri, që e donte aq shumë derisa dha frymën e fundit. Shpirti i tij do të behet dritë që s’do të fiket kurrë.

Artistët e mëdhenj jetojnë përjetësisht me veprat që lenë pas.

Lamtumirë Agim Krajka, artist i shquar i Kombit!

 

Nga: Keze Kozeta Zylo

1 Mars, 2021

New York