Ambasadori i Japonisë dhe Avni Ponari mbjellin pemë për kryeqytetin
Pas krijimit të shtegut të qershive në liqenin artificial të Tiranës, ku u mbollën 200 pemë qershie, Ambasadori i Japonisë në Tiranë, SH.T.Z. TAKADA Mitsuyuki, në bashkëpunim me Z. Avni Ponari, Konsull Nderi i Japonisë në Shqipëri që prej vitit 2009, i dhuruan sot qytetit të Tiranës edhe një numër tjetër të konsiderueshëm pemësh qershie.
Pemët u mbollën në Parkun Rinia Tiranë, i rikonstruktuar së fundmi.
Më herët, Ish-Ambasadori i Japonisë Makoto Itto së bashku me Avni Ponari morën pjesë në mbjelljen e pemëve të qershisë nga qeveria Japoneze në kodrat e liqenit të Tiranës, për t’ju bashkangjitur kështu projektit të gjelbërimit të kryeqytetit.
Qeveria Japoneze ka dhënë kontribute të herëpashershme në Shqipëri, si në fushën e shëndetësisë, mbrojtjes së mjedisit, parandalimit të fatkeqësive, projekte mbi shkëmbimet kulturore ndërmjet dy vendeve tona, si dhe investimet ekonomike në tërësi si dhe investimet në përmirësimin e kushteve në shkolla në veçanti, në të gjithë Shqipërinë, që nga Bajram Curri, Valbona në Veri e deri në Gjirokastër, Sarandë e Konispol në Jug.
Avni Ponari, në cilësinë e Konsullit të Nderit të Japonisë në Shqipëri prej 12 vitesh, ka luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e bashkëpunimeve ndërmjet dy vendeve dhe në tërheqjen e investimeve japoneze në Shqipëri.
Perandori i Japonisë, e dekori z. Ponari në vitin 2020 me medaljen e “ Urdhërit të Diellit që Ngrihet, Rrezet e Arta me Fjongon e Qafës” (The Order of the Rising Sun, Gold Rays with Neck Ribbon), i pari titull i këtij lloji i akorduar një personaliteti në Shqipëri.