MENU
klinika

“Pabarazitë në vaksina rrezikojnë jetë njerëzish”

Amnesty International: Shtetet e pasura kanë blerë mbi gjysmën e furnizimit

11.03.2021 - 12:45

Veprimet e kompanive farmaceutike dhe shteteve të pasura po bëjnë që miliarda njerëz që janë në rrezik nga sëmundja COVID-19, të kenë pak gjasa të marrin doza të vaksinave gjatë këtij viti, të cilat mund t’ua shpëtojnë jetën, thotë organizata Amnesty International, që ka lansuar një fushatë të re globale, përmes së cilës bëhet thirrje që të ketë qasje universale në vaksina.

Fushata “Ndarje e barabartë: Qasje universiale në vaksinat kundër COVID-19” u bën thirrje kompanive farmaceutike që të ndajnë njohuritë e tyre dhe teknologjinë, që të maksimizohet numri i dozave të qasshme të vaksinës në mbarë botën. Gjithashtu, përmes kësaj fushata, u bëhet thirrje shteteve që të ndalojnë pjesëmarrjen në “nacionalizmin e vaksinave” dhe të punojnë së bashku, që të sigurohen që ata që janë në rrezik më të madh nga COVID-19, në të gjitha shtetet, të mund të kenë qasje menjëherë në vaksinat kundër koronavirusit.

“Kush ka qasje në vaksinat kundër COVID-19, kur dhe me çfarë çmimi, janë disa prej pyetjeve më të rëndësishme dhe më të debatueshme që sot përballen shoqëritë tona. Por, përgjigjet po formësohen nga interesat e shteteve të fuqishme dhe kompanive”, tha Stephen Cockburn, kreu i departamentit për Drejtësi Ekonomike dhe Sociale në Amnesty International.

“Deri më tani, ato (shtetet dhe kompanitë) kanë krijuar një situatë të rrezikshme të pabarazive globale në qasjen në vaksina dhe situata ka dalë jashtë kontrollit. Disa shtete të pasura janë përpara (në vaksinim), ndërkaq pjesa tjetër e botës po lufton që të ia nisë këtij procesi. Të gjithë meritojnë një mundësi që të kenë qasje në vaksina – dhe kur vjen puna për të drejtat tona të shëndetit, nuk ka vend për diskriminim”, shton Cockburn.

Sipas Amnesty International, shtetet e pasura kanë blerë mbi gjysmën e furnizimit të vaksinave, edhe pse këto shtete paraqesin vetëm 16 për qind të popullatës globale. Këto shtete kanë administruar mbi 60 për qind të dozave të vaksinave që janë në botë, ndërkaq mbi 100 shtete ende nuk kanë vaksinuar asnjë person.

“Askujt nuk duhet t’i mohohet qasja në kujdesin shëndetësor, përfshirë qasja në vaksina bazuar se ku ata jetojnë, kush janë apo edhe sa para fitojnë. Me një presion të mjaftueshëm ndaj njerëzve të duhur, ne mund të sigurohemi që sistemi i vaksinimit kundër COVID-19 të garantojë të drejtat njerëzore”, tha Stephen Cockburn.

Ndarja e njohurive dhe teknologjisë
Paratë e miliarda taksapaguesve janë shpenzuar për të ndihmuar kompanitë si AstraZeneca, Moderna dhe Pfizer/BioNTech për të zhvilluar dhe prodhuar vaksinat, por pavarësisht kësaj, këto kompani – dhe të tjera – sipas Amnesty International, po refuzojnë të ndajnë kërkimet që kanë bërë, njohuritë e tyre dhe teknologjinë. Kjo do të thotë se kompanitë e tjera farmaceutike nuk mund të përfitojnë nga këto përparime shkencore, në mënyrë që të prodhojnë vaksinat e tyre gjë që do të rriste furnizimet me vaksina dhe të njëjtat do të mund të ishin të qasshme për shtetet që kanë buxhete më të vogla.

Për shembull, në maj të vitit 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë krijoi një vegël për qasje në teknologjinë e krijimit të vaksinave kundër koronavirusit (COVID-19 Technology Access Pool, C-TAP), në mënyrë që kompanitë të mund të kenë qasje në të dhënat dhe njohuritë dhe më pas të licencojnë prodhimin dhe transferin e teknologjisë te një prodhues tjetër potencial. Kjo vegël ka për qëllim që të sigurohet që njerëzit kudo të mund të kenë qasje sa më shpejt në vaksina. Por, deri më tani, asnjë nga kompanitë farmaceutike nuk i është bashkuar C-TAP, thuhet në raportin e Amnesty International.

Amnesty International porosit që qeveritë duhet të përmbushin obligimet e tyre sa u përket të drejtave të njeriut dhe të mbështesin propozimet për të hequr disa nga dispozitat e Marrëveshjes TRIPS, një traktat ndërkombëtar që mbikëqyr të drejtat për pronën intelektuale. Kjo marrëveshje, shpesh ka kufizime sa i përket asaj se kur, ku dhe si mund të prodhohen ilaçet. Këto dispozita të kësaj marrëveshjeje, nëse hiqen, do të mundësonin që të zbatoheshin patentat për pronë intelektuale dhe mbrojtje të pronës, që tani për tani po krijojnë pengesa që më shumë kompani të prodhojmë vaksina kundër COVID-19. Megjithatë, pavarësisht se një gjë e tillë mbështetet nga shumica e shteteve me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ky propozim po kundërshtohet nga shtetet e pasura.

Teksa disa shtete refuzojnë që t’i mbajnë përgjegjës prodhuesit e vaksinave, sa i përket përgjegjësive që ata kanë për të drejtat e njeriut, për të zgjeruar qasjen në vaksina për sa më shumë persona, ndarjet e thella dhe pabarazitë në mes të shteteve dhe komuniteteve, vetëm sa janë ekspozuar edhe më shumë. Amnesty International thotë se personat që janë më në rrezik nga pandemia COVID-19 po vuajnë më së shumti, pasi shumë shtete dhe kompani farmaceutike po vazhdojnë të prioritizojnë marrëveshjet dypalëshe në vend se të sigurohen se të gjithë njerëzit, në çdo shtet, të kenë mundësi të barabartë sa i përket marrjes së vaksinës kundër koronavirusit.

“Teksa shënojmë njëvjetorin e shpalljes së pandemisë COVID-19, ne nuk mund të qëndrojmë duarkryq dhe të shikojmë këtë tragjedi duke ndodhur, kur ne kemi zgjidhje në tavolinë”, tha Tamaryn Nelson, këshilltar shëndetësor në Amnesty International.

“Në mes të garës së qeverive për të vaksinuar fillimisht të gjithë popullatën e tyre dhe kontrollit të ashpër që mbajnë kompanitë farmaceutike mbi patentat e tyre, ne po harrojmë që jeta e njerëzve është në rrezik. Askush nuk është i sigurt derisa të gjithë të jemi të sigurt”, shtoi Nelson.

Amnesty International thotë se është koha që kompanitë farmaceutike dhe shtetet të përmbushin obligimet dhe përgjegjësitë e tyre për të drejtat e njeriut. Kjo organizatë thotë se po bën fushatë për kompanitë, përfshirë AstraZeneca, Pfizer/BioNTech dhe Moderna, që ato të ndajnë njohuritë dhe teknologjinë e tyre, në mënyrë që të gjithë personat, në mbarë botën, të kenë qasje në vaksinë. Kjo organizatë kërkon nga shtetet që të rrisin presionin ndaj kompanive dhe të bëjnë pjesën e tyre, duke punuar në mënyrë kolektive, që të sigurohen që të gjithë personat në mbarë globin, që janë në rrezik nga sëmundja COVID-19, të vaksinohen sa më shpejt që të jetë e mundur./REL

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin