Duke komentuar listën e Partisë Socialiste të kandidatëve për deputetë, analisti Artur Zheji thotë se kryeministri ndryshe nga kreu i opozitës vendosi të shpërndajë përgjegjësinë, duke mos vendosur veten në krye të listës.
Sipas tij, Rama e di dhe vetë që mandati i tretë është një mision i pamundur, ndërsa shton se lista e PS është një dëshirë për të krijuar iluzionin e ripërtëritjes.
Artur Zheji: Figura kryesore që do ta prijë Partinë Demokratike në sfidën e saj është figura e Lulzim Basha, kurse Rama është munduar të shpërndajë peshën e përgjegjësisë dhe fasadës tek të tjerët.
E tha sot që doli për të riparuar dhe për të bërë ngushëllimet publike për ata që nuk morën vendin që prisnin dhe parashtroi këtë koncept; nuk mund t’i mbaj unë të gjitha dhe nuk mund ta ripërtërij dhe në një far mënyre ka të drejtë, tani nuk mund të rrinë duke ngrënë pilaf, duke sharë kryetarin dhe duke pretenduar fitoren. Disa nga këta i hodhi nga anija.
PS nuk ka kuaj ka mëza. Po u rrit mëzi dhe u bë kalë, nuk ka më vend në Partinë Socialiste. Kjo që bëri PS është dëshirë për të krijuar iluzionin e ripërtëritjes. Derisa një kandidat për deputet të bëhet deputet, derisa të fitojnë një peshë në grupin parlamentar, ato vite i duhen Ramës. Gjithë këta që i merr nga qerfulli socialist, të gjithë majtistë këta si zonja Bozo, kjo doktoresha.
Është një moment që Rama e di dhe vetë që mandati i tretë është një mision i pamundur, e di dhe vetë që nëse dhe humbet, të humbasë me faqe të bardhë me një ekip të tillë, ose përndryshe le të humbasë.
Ai e ndjen veten të mbifuqishëm, mendoj se kjo është sindroma e mandateve të treta, ai nuk mund të lërë në stol Pandeli Majkon, Fatmir Xhafaj e sidomos këtë, sepse janë njerëz që kanë ngrënë shumë goditje nga opozita, janë kafshuar poshtë brezit janë gjakosur për këtë mazhorancë dhe ndërkohë që kanë akoma plagët ti e lë në stol, duke e lënë në stol ja jep armikut që ta shqyejë.
Rama si një djalë i vërtetë shpirtëror i Sali Berishës, se nuk është fare Lulzim Basha djali i Berishës është në fakt Rama. Është një hibrid mes Enver Hoxhës dhe Sali Berishës këta i ka dy idhujt e vetë, por ka humbur një gjë nga doktori, ai nuk i lëshonte njerëzit.
Rama ka bërë disa lëshime problematike, Ditmirin për shembull, ka treguar që është një hakmarrës i paparë. Ai nuk mund të lërë zonjën Kodheli, këto kanë qenë yjet në ngjitje në PS figura referente dhe janë çuditërisht të masakruara nga opozita e Berishës.