MENU
klinika

Thjesht e pastër: art...

E njihni Teto Ollgën amerikane?!

19.03.2021 - 19:11

      Teksa lexon shkrimin nga Jennifer Keishin Armstrong, për BBC, nuk do të jenë të paktë ata që, përmes kësaj gruaje, e cila sfidoi veten në radio dhe televizion – madje u bë yll – do t’u vijë ndërmend, aktorja shumë e talentuar jona. Në fakt, ajo ka vetëm një emër: Teto Ollga!

Me një diferencë kohore jo shumë të largët, amerikania Gertrudë dhe Teto Ollga, kanë të dyja dashuri të njëjtë për rolin, për filmin, për ekranin, për vënien në skenë, që habitshëm, ishte një dashuri pa kushte. Nuk njihte hapa mbrapa.

Një vetëmohim ky, në Shqipërinë e Violeta Manushit, në skenë dhe ekran, me dhe pa censurë – por i tillë e madje, deri në mbijetesë edhe lufta e Gertrudës, për artin e saj, në Amerikën e Depresionit të madh./Konica.al

Të gjithë ata që e kanë admiruar aktoren korçare, të çdo moshe qofshin, duke lexuar jetën e kësaj gruaje amerikane që nuk u mposht asnjëherë, shpesh do të shohin t’u kalojnë para syve, sa e sa role të aktores speciale shqiptare, lindur për të qenë zëri dhe figura e shumë grave të një vendi të vogël, të varfër e në tentativa jo të dështuara, për të bërë art, kinema!.. /Konica.al

***

Armstrong, shkruan: Më 1948, shumica e njerëzve të botës së spektaklit, nuk donin që të kishin punë me televizionin… Televizioni komercial po fillonte të ngatërrohej nëpër këmbë dhe askush, s’e dinte çfarë të bënte me gjithë ato orë transmetimi. Shfaqjet ishin me buxhet të ulët, bazike dhe rrallë herë ishin plotësisht me skenar. Gjithçka transmetohej LIVE- DREJTPËRDREJT. Vetëm dy për qind e popullatës amerikane zotëronin televizorë, që ishte tejet i shtrenjtë (një model 12-ësh kushtonte 985 dollarë, apo mbi 10 mijë dollarë të ditës së sotme). Programet përfshinin Gillette Cavalcade of Sports (për boks), emisionin me instruksione You Are an Artist, shoun për fëmijë Kukla, Fran and Ollie. Kukullat ishin të mëdha atëbotë – të thjeshta, të lira dhe relativisht pagabueshme. Madje, kukullat, nuk kërkon të paguheshin.

Ylli i zërit radiofonik, Gertrude Berg, pa këtë rrëmujë dhe deshi të ishte aty. Patjetër. Ajo qe bërë një prej zërave më të famshëm në SHBA me emisionin e saj në radio, Goldbergët, që e kishte krijuar, shkruar e ku kishte luajtur për 17 vjet, shumicën prej tyre në rrjetin e radios, CBS. Ajo e luante Molli Goldbergun, një nënë e dy fëmijëve, që i fuste hundët gjithmonë, ishte e ëmbël, por kategorike. Familja rronte në banesat kolektive të Bronksit dhe ballafaqohej me telashe të parëndësishme që lindnin mes familjarëve, fqinjëve dhe miqve. Përgjatë Depresionit të Madh dhe Luftës së Dytë Botërore, Molli ishte bërë sensacion prej radio-komedie. Ajo ishte votuar gruaja më e besueshme në SHBA, duke u renditur pas Zonjës së Parë, Eleanor Roosevelt.

Sidoqoftë, më 1948-ën emisionit të saj në radio i erdhi fundi natyrshëm, pasi që fëmijët që e kishin dëgjuar, ishin rritur e larguar. Tash, kur televizioni qe shfaqur, ajo kishte një ide: Po sikur, ajo t’ia niste nga e para, por kësaj radhe në televizion? Ishte gati 50 vjeçe, por nuk i druhej kësaj. Ajo e mendonte: si mund të bëhej televizioni i zgjedhur, nëse do të mund ta merrte në radhët e veta, një yll kaq të madh?

Andaj, shkoi në zyrën e William S. Plaey-t, zotëria sipërmarrës e joshës në krye të radios dhe televizionit CBS dhe kërkoi që t’i jepej mundësia në ekran. Ideja e saj ishte refuzuar nga televizionet e tjera, si ABC, apo NBC dhe një rrjet i katërt televiziv, i udhëhequr nga prodhuesi i televizorëve DuMont – dhe ishte refuzuar një herë edhe nga Paley, po ashtu. Por tashmë, ajo ia kujtoi: e kishte ndihmuar Paley-n, që ta shpëtonte radion e tij përgjatë Depresionit. E meritonte një shans.

Këtë herë, në vjeshtën e 1948-ës, i trokiti fati. Kjo rezultoi me serinë e parë komike televizive. Goldbergët dhanë modelin për projektet që zakonisht njihen si sitkomët e parë familjarë klasikë, si Father Knows Best dhe Leave It to Beaver. Por, në disa aspekte kryesore, emisioni i saj nuk ishte fort si klasikët me familjet e bardha të klasës së mesme, që erdhën pas saj: ajo nënvizonte me fort krenari hebraizmin e familjes së saj televizive, duke përfshirë edhe ushqimet e hebrenjve, festat e tyre dhe shënjuesit më të gjerë kulturorë – familjes i shkohej shumë në Pincus Pines, një destinacion fiktiv i Catskills. Ajo fliste me një aksent jidish. Ajo na e dha frazën e parë të kapshme televizive: “Juhuuu, zotëri Blum” të cilën e bërtiste nga dritarja e banesës së saj, kur donte të bënte thashetheme me fqinjën.

Po ashtu, Berg ishte pioniere edhe në një mënyrë tjetër: edhe para të famshmes Lucille Ball dhe emisionit të saj I Love Lucy, më 1951, ajo e kishte prodhuar dhe kishte luajtur ne emisionin e vet. Berg madje, kishte shkuar edhe më larg, duke e shkruar tërë materialin vetë, gjithashtu edhe pikat publicitare. Ajo u bë yll aq i njohur i ekranit sa arriti të kishte linjën e saj të fustaneve të shtëpisë, si dhe një libër të famshëm gatimi. Mirëpo, një përplasje me Listën e Zezë të Hollivudit e shkurtoi karrierën e saj premtuese televizive dhe gati sa nuk e fshiu trashëgiminë e saj, si nëna e parë hebraike e televizionit, një tregim që e shtjelloj në detaje, në librin tim të radhës, Kur gratë shpikën televizionin – shkruan Armstrong.

Pasi Paley i dha dritën jeshuile, Goldbergët u transmetuan LIVE në CBS më 10 janar, 1949. Shfaqja e vinte theksin në mjetin qendror retorik – prindrit imigrantë dhe fëmijët e tyre të asimiluar – duke i përzgjedhur joçifutët, si fëmijët Goldberg: Arlene McQuade si Rosalie në pubertet dhe Larry Robinson, si adoleshentët Sammy. Eli Mintz, luante krahun e djathtë të Molly-t, dajën David. Ndërsa burri i saj, interpretohej nga Philip Loeb, një aktor teatri dhe aktivist në shoubiz. Siç e do fati, kasti kryesor kishte aso kimie të menjëhershme në ekran e që e dimë swe është kyçe në suksesin e gjatë të serive televizive – edhe pse në atë kohë askush nuk e dinte sesi duket diçka e tillë. Ishin Berg dhe Loeb, në veçanti që e formonin një çift mjaft të pëlqyeshëm dhe natyral televiziv.

Seria ishte ashtu si e përshkruan revista Life, “një hit i menjëhershëm në televizion…një klasik i kësaj fushe, Goldbergët përdorin një formulë bazike të rregulluar aq përshtatshëm për televizionin, mund t’iu prijë një numri të plotë serish shtëpiake televizive”. Kritiku i parë i madh televiziv i The New York Times, Jack Gould, e kishte thënë kështu: “Goldbergët arritën në televizion javën e kaluar dhe ka dalë fjala këtë mëngjes, se ata me shumë gjasë do të qëndrojnë për aq gjatë sa kanë vendosur”.

Si rezultat, seria shpejt bëri një sponsor, kafenë e shpejtë e të dekafeinuar, Sanka dhe Bergu erdhi me një mënyrë mendjemprehtë që ta promovonte: ajo vetë i shkruante reklamat e pastaj vetë i thoshte në rolin e personazhit të saj. (Atëkohë, emisionet shkruheshin nga një reklamues edhe për mënyrën sesi reklamat prezantoheshin në transmetim). Sekuencat [e reklamave] që rezultuan, e që ishin të ndërthurura brenda vetë episodeve, ishin po aq të pëlqyeshme sa syzhetë. Ajo mund të predikonte se sa nervozë mund të ishin të gjithë mysafirët gjatë vizitës së fundit të familjes në Pincus Pines – deri kur ajo i njoftonte të gjithë me mrekullitë e Sankës: 97 për qind e kafeinës i hiqet”, thishte ajo,” edhe krejt çka mbetet brenda është gjumi”; blerjet e Sankës ishin rritur për 57 për qind mes shikuesve të saj.

Goldbergët ishin mes top programeve televizive në ranglistat e Hooper-it që ishte shërbimi i atëhershëm i matjes së audiencës. Seria u bë i pari ish-shou radioje që u arriti të jetë aq i popullarizuar në televizion, saqë u rikthye në radio si simulkast dhe u bë e para seri televizive nga e cila doli edhe një version filmi. Berg fitoi çmimin e parë Emmy të dhënë ndonjëherë për aktoren më të mirë, duke e mposhtur Betty White-n – një tjetër pioniere që udhëhiqte një emision ditor në Los Angeles, dhe e kishte prodhuar sitkomin e vet, Life with Elizabeth.

Berg e ngriti famën në një nivel të ri – në atë nivel që e bënte atë të njihej rrugëve, dhe jo vetëm të ishte një zë i mirënjohur. Ajo kishte qenë gjithmonë mjeshtre e vetë-mitizimit, duke e ndërtuar veten brenda një imazhi të përsosur të nënës hebraike. Tash e çoi lojën edhe më lart: e krijoi dhe promovoji linjën e vet të fustaneve të volitshme të shtëpisë edhe pse ajo vet blinte vetëm tesha të shtrenjta, gëzof, dorëza e kapela. Ajo ishte autore e një libri gatimi në zërin e personazhit të saj, edhe pse vetë nuk gatuante kurrë; ajo kishte një ndihmëse në shtëpi për këtë. Një titull hutues në një profil të saj më 1950 e përmblidhte me përsosmëri: “Gertrude Berg më shumë si Molly e saj e dashur se sa si vet”.

Censurimi

Bergu ishte rrugës për t’u bërë njëra prej legjendave të para të televizionit me Goldbergët. Por, më pas, burri i saj në ekran, Philip Loeb, u përfshi në listën e të dyshuarve për komunistë në publikimin e 1950-ës, Kanalet e Kuqe, në të cilën listë ishin edhe emrat e 151 aktorëve, muzikantëve, shkrimtarëve dhe gazetarëve të radiotelevizioneve saqë grupi që qëndronte pas, Konsultuesit e Biznesit Amerikan, i konsideronte kërcënim për demokracinë amerikane – apo së paku ‘kontradiktorë’ mjaftueshëm për t’i trenbur rrjetet radiotelevizive dhe reklamuesit që t’i marrin në punë. Sponsori i Goldbergëve, General Foods, që më parë ishte shumë i kënaqur me rezultatet sensacionale të Bergut me Sankën, kërkoi që Loeb të pushohej nga puna. Ajo kishte refuzuar dhe madje në një moment, kishte kërcënuar se do të udhëhiqte një bojkot kundër korporatës. Për një kohë, General Foods dukej të ishte tërhequr, duke premtuar se nuk do të rendiste në listë të zezë, asnjë të dyshuar për komunizëm dhe e mirëpriti Loeb-in që të vazhdonte me Goldbergët.

“Sistemi i Transmetimit Columbia mund ta mohojë, por a nuk duhet që shumica e të listuarve të Kanalit të Kuq” ta shohin të nevojshme që t’i fitojnë biskotat e havjarin në rrjete të tjera vjeshtën e ardhshme?” kishte shkruar Jack O’Brian në New York Journal-American. “Përfshirë edhe Philip Loeb dhe Goldbergët?”.

Mirëpo, CBC pa kurrfarë ceremonie, anuloi Goldbergët gjatë pauzës së verës 1951, duke pohuar se e kishin bërë për “arsye ekonomike” edhe pse seria kushtonte vetëm 11 mijë dollarë për episod – një shumë mesatare, veçanërisht për një shfaqje që hynte në top 20-en e asaj kohe. “

Berg kishte siguruar një ujdi për vete, me rivalët NBC, mirëpo kaluan muaj teksa ky rrjet provonte të siguronte sponsorë. Më në fund u bë e qartë: nuk do të kishte sponsorë dhe kështu as Goldbergë, për aq gjatë sa Loeb ishte pjesë e marrëveshjes. Berg u zmbraps dhe u mor vesh me Loeb-in që ta lejonte atë të largohej nga shou, por ai të vazhdonte të paguhej për aq gjatë sa emisioni të vazhdonte. Berg, zgjodhi ta zëvendësojë dy herë Loeb-in – një herë Robert H Harris-in e pastaj, me Harold J. Stone-n. Mirëpo kimia nuk ishte kurrë më e njëjtë dhe koha sa nuk kishin qenë në transmetim, ua kishte humbur momentumin Goldbergëve. Seria pluskonte në orarin e NBC-së, deri sa përfundoi në rrjetin DuMont dhe përfundimisht, në sindikacion. Në të njëjtën kohë, I Love Lucy u dha premierë në CBS më 1951, të hënave mbrëma, pasi fillimisht ishte menduar që të bëhej çift me Goldbergët e që do t’i bënte formacionet e para televizive të fuqishme të sitkomeve. I Love Lucy u bë sensacion i menjëhershëm. Pas saj, ylli i serisë, Lucille Ball, u bë legjendë.

Më 1955, Philip Loeb, në pamundësi për të gjetur punë dhe duke u zhytur në borxhe, si pasojë e kujdesit për djalin e sëmurë mendërisht, vdiq nga mbidoza e hapjeve të gjumit në Taft Hotel të Manhattan-it. Vdekja e tij u vlerësua gjerësisht, si rezultat i drejtpërdrejtë i listës së zezë. Goldbergët, çalonin deri më 1957.

Bergu, që nuk zmbrapsej lehtë, rishpiku veten në fund të viteve ’50-të, si aktore serioze dhe vazhdoi të shkruajë, duke kaluar skenën e Broadway-t. Ajo fitoi një çmim Tony më 1958, për performancën në dramën A Majority of One, që flet për një grua hebraike amerikane, e cila dashurohet në anije me një japonez teksa mban zi për vdekjen e djalit të saj, në Luftën e dytë. Berg, vdiq prej zemrës më 1966, në moshën 66-vjeçare. Asokohe kishte qenë duke përgatitur dy drama.

Nuk pat më asnjë protagonist hebre në televizion deri më 1972, me serinë Bridget Loves Bernie, që trajtonte martesën mes një gruaje katolike dhe një burri hebre. Mirëpo edhe kjo seri ishte jetëshkurtër dhe ishte “shumë hebraike”, term që u bë standard i refuzimit në dekadat që vijuan. Më 1969, kur producentët James L. Brooks dhe Allan Bruns ia propozuan CBS-së, idenë që ta bëjnë personazh kryesor të serisë së tyre, The Mary Tyler Moore Show, një të divorcuar, ata po ashtu u prekën nga një dozë disi antisemite: “Hulumtimet tona tregojnë që audiencat amerikane nuk i tolerojnë divorcet te protagonistët e serive po kaq sa s’i tolerojnë hebrenjtë, njerëzit me mustaqe dhe ashtu ndodhi prapë, edhe me refuzimin e parakohshëm të krerëve të NBC-së ndaj episodit pilot të Seinfeld më 1989: ‘Shumë njujorkez, shumë hebraik’.

Mund ta falënderojmë Gertrude Bergun, që megjithatë, e zbuti rrugën për serinë shumë hebraike të The Mary Tyler Show, si dhe për personazhin shumë njujorkez të Rhoda Moirgenstern-it, për Seinfeld-in, për The Nanny-n, për Transparent-in, dhe për The Marvelous Mrs. Maisel.

Në fakt, personazhi i Sophie Lennon-it në Maisle, luajtur nga Jane Luynch, mund të shihet pak edhe si homazh ndaj Bergut. Sophie është një komediane që paraqet në skenë shtëpiaket e modës së vjetër dhe me aksent, por në fakt, jeton në një shtëpi luksoze, vishet përsosut dhe flet si një njujorkeze e klasës së lartë, kur nuk është duke performuar. “A e kupton se kush jam, çfarë jam, për këtë punë?” – ajo shpërthen në episodin e sezonit të tretë. Është koha që ta pranojmë Gertrude Bergun, për atë që ajo ishte për biznesin e televizionit – dhe trashëgiminë e komedisë së saj, që ende sfidon./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Violeta Manushi, mbretëresha e komedisë që jeta i qeshi vetëm në skenë

Qyteti është ende, vetëm zonja s’ka më


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit