Eksodi i parë ai i viteve ‘90 ishte ‘bekim’ për gjithë vendin, jo vetëm për ata që ia dolën të emigronin. ‘Eksportuam’ varfërinë dhe mjerimin drejt Italisë e Perëndimit mbarë; e varfërinë këtu ne e ‘ngopnim’ për vite e vite me remitanca e tyre. Ama, ky ‘eksodi’ i fundit është kthyer në mallkim për shoqërinë tonë. ‘Hemorragjia e trurit’, kështu mund të sintetizohet shkurtimisht çfarë po ndodh, sidomos mes të rinjve dhe profesionistëve (elitave) që janë “palca” e fabrikës sonë sociale. Kosto drastike që po paguajmë si komb, për qeverisjen dhe vendimarrjen e këtyre dekadave.
Çdo vit, afro 10% e maturantëve dhe studentëve shqiptarë sipas evidencave të autoriteteve zyrtare zgjedhin të studiojnë jashtë vendit. Ndërsa, ata që aktualisht jetojnë jashtë në masën gati 80% refuzojnë të ri-kthehen në Shqipëri, sipas studimeve të ndryshme të publikuar. Rritja e varfërisë dhe e papunësisë, si dhe e pasigurisë socio-ekonomike, kriminalizimi që është lodhur së qeni “underground” e po hyn me ‘karshillik’ në çdo aspekt social; shoqëruar edhe nga trendi kaotik i urbanizimit, shërbejnë si një lloj ‘Spastruesi’ të kombit.
Për çdo kënd këtu bëhet gati “mission impossible” karriera pasi është shumë e lidhur me lidhjet politike dhe ekonomike. Deri dje ishin pikërisht vetëm ata që kanë këto lidhje të kishin tendencë që të ktheheshin, pasi lidhjet e tyre ishin të qëndrueshme. Kishin dhe ende kanë mundësi të zënë punë, kanë mundësi të krijojnë një karrierë në administratën publike; ama gjithnjë e më shumë edhe ata refuzojnë të rikthehen pasi ky vend është bërë i pabanueshëm. Në një kohë kur të gjithë ata që janë të rinj nga familjet e mesme, që janë intelektualë, janë elitat e reja të Shqipërisë, që ëndrrën e tyre kanë patur arsimimin e fëmijëve, pjesa më e madhe e tyre nuk kthehen dhe me të drejtë. Mjedisi nuk u ofron atyre mundësinë për t’u kualifikuar, për të patur progres profesional dhe për të ngritur këtu familjen e tyre.
. . .
E teksa nuk i kthejmë dot pas, të paktën Diasporën dhe kontributin e saj ta vlerësojmë dhe vëmë në efiçensë.. Fatkeqësisht, kontributin e emigrantëve tanë e kemi limituar vetëm në remitancat, të cilat për hir të së vërtetës e kanë mbajtur gjallë ekonominë shqiptarë, qysh në fillim të viteve ‘90, kur kontributi i tyre ka qenë gati 28% dhe deri më sot kur niveli i tyre ka rënë ndjeshëm në 9% të PBB-së.
Në dekadat e fundit, suksesi ekonomik i shumë vendeve në zhvillim ka qenë kryekëput i varur nga roli, kontributi dhe pjesëmarrja politike, intelektuale dhe ekonomike e diasporës së tyre. Prandaj, duhet të shkojmë përtej diskutimit të votës së emigrantëve apo ndonjë kandidimi sporadik si instrument i marketingut politik të momentit. Është e pafalshme që roli i diasporës në zhvillimet tona politike, ekonomike dhe sociale në rastin më të mirë ka qenë në nivele simbolike dhe shpesh është shfrytëzuar si garniturë e folk-propagandës politike të “samiteve” vjetore.
Paradoksalisht, Shqipëria nuk po shfrytëzon sa dhe si duhet ndoshta asetin e saj më të madh: diasporën. Ndërsa po humbasim nga defiçiti demografik, kemi shansin të përfitojmë nga ‘dividendi’ i diasporës shqiptare, e cila sot në numër është më e madhe se vetë popullsia jonë rezidente.
. . .
Një qeveri e përgjegjshme dhe patriotike duhet të shfrytëzojë potencialin investues të diasporës shqiptare, duke e ftuar atë edhe në financimin e investimeve publike strategjike. “Bonot e diasporës”, sidomos edhe për shkak të krizës aktuale ekonomike, do të ishin instrumentet e duhura afatgjata për të rimëkëmbur ekonominë dhe për ta bërë diasporën ‘aksionere’ të zhvillimit të vendit.
Prandaj, kemi nevojë për ‘dividendin e diasporës’ që të rininvestohet në Shqipëri. Nëse ia dalim ta rikthejmë shtetin e së drejtës duke instaluar një sistem meritokratik vlerash në shoqërinë shqiptare; nëse i japim fund pandëshkueshmërisë përmes një sistemi gjyqësor realisht të pavarur; nëse e hapim ekonominë ndaj konkurrencës së tregut të lirë dhe investimeve të huaja; e nëse thyejmë monopolet që kanë ‘intubuar’ ekonominë… ndoshta vetëm atëherë kemi mundësinë që të përmbysim trendin e emigracionit dhe pse jo, ta kthejmë Shqipërinë në ‘tokën e premtuar’ të të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë nëpër botë.
PhD (c). Igli Tola
Pedagog Ekonomie, UT