Ndjekur vetëm online, mbyll siparin Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit. Trupat pjesëmarrëse, me gjithë vështirësitë e lojës teatrale pa spektatorë ia dolën të ngjallin interes suksesshëm.
Teksa ditës së djeshme u njohëm me një listë fituesish, sot rrëmbeu trofenë një pjesë e fuqishme teatrale, me mesazhe të forta!
Festivali online mbarëshqiptar mbyllet kështu, duke i sjellë Teatrit Kombëtar, 3 çmime.
Shfaqja më e mirë, për “Galaksian – skena nga një ekzekutim”
Aktorja më e mirë, për Olta Dakun, që interpretoi Galaksian dhe aktori më i mirë i ri, për Igli Zarkën.
Regjisorja e shfaqjes u ndal në konceptin dhe mesazhet e një pjese, që e vë artistin, përballë propagandës dhe pushtetit.
“Nuk e kam pritur dhe jam e emocionuar. Janë të gjithë komponentët, që e bëjnë një shfaqje fituese; nga zgjedhja e pjesës, e aktorëve, e muzikës, kostumeve etj, te madhështia dhe mundësia për të vënë një shfaqje të madhe, të Teatrit Kombëtar. Artisti ka një shpirt të lirë. Shfaqja ka pasur shumë mesazhe, por më i rëndësishmi është bërtitja e të vërtetës dhe e vërteta, fiton gjithmonë”- tha regjisorja, Rovena Lule.
20 shfaqje të viteve të ndryshme nga teatrot shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni erdhën për 1 muaj, në faqen e Teatrit Kombëtar, duke bërë bashkë trupa të ndryshme, në një festival online, për shkak të pandemisë.
“Galaksia” ka në qendër një grua piktore në Venecien mesjetare, që e caktuar për të bërë një tablo mbi betejën e Lepantos, del kundër autoriteteve të kohës, Dozhes dhe klerit, për të dhënë të vërtetën sipas saj, çka bie ndesh me interesat mbi lavdinë që duan të përcjellin autoritetet.
Pjesa, që është një tekst me një mesazh të fuqishëm, shtron pyetjen nëse artistët blihen e shiten në çdo kohë, apo shmangin rolin e artistit të oborrit.
“Ishte mënyra më e mirë e votimit për një festival. Ishte votim i hapur dhe secila trupë votonte 19 të tjerat. Më vjen mirë për çmimin e Iglit, pasi për Oltën, nuk kisha dyshime që, nëse do të kishte një çmim për shfaqjen, Olta ishte e padiskutueshme. Është një ndër rolet me të bukura të një gruaje, në teatër”, – u shpreh regjisorja.
Festivali i organizuar nga Teatri Kombëtar dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, ku votuan vetë trupat, vlerësoi për regjinë më të mirë Dino Mustafiç, me çmim karriere, aktorin Bujar Lako pas vdekjes, si edhe aktorët: Gëzim Rudi, Gert Ferra, Arta Muçaj e Silvio Goskova.
Teatri Kombëtar ka mbyllur dyert prej një viti, për shkak të masave antikovid, ende pa një datë të saktë rithkimi…