MENU
klinika

Thuajse e panjohur...

Kanga e Mirditës heroit Skanderbeg!

21.03.2021 - 12:11

      Prof. As. Dr. Anton Papleka

Duke rrëmuar midis materialeve të mia, rastësisht gjeta një këngë që fliste për Skënderbeun. Këtë këngë të kënduar nga Ndue Gjini, e kishte mbledhur në Blinisht të Mirditës, më 1962, hulumtuesi i pasionuar Kolë Shtjefni (I). Pas gjase, për shkak të kontekstit të krijuar nga përkujtimi i vdekjes së Heroit tonë Kombëtar ose për shkak të një përqendrimi më të madh, tashti, ajo më bëri përshtypje më shumë, sesa kur e kisha lexuar disa vite më parë. Në mënyrë të veçantë, ajo më befasoi me forcën e saj artistike, e pakrahasueshme me disa tekste të tjera, të mbledhura e të botuara në Shqipëri si « Skanderbegu kishte thanë » (II, 6O) ; « Ky Murani i parë në Krue » (II, 70) etj, të cilat pak a shumë janë vargëzime të thata, kanë karakter përshkrues./Konica.al

Duke pasur parasysh këtë kontrast të theksuar, habitem që kjo këngë burimore, e cila duket se është mjaft e hershme, me një forcë emocionale dhe me një thellësi mendimi të spikatur, nuk është përfshirë në përmbledhjet folklorike të derisotme.

E quaj të udhës të ndalem në mënyrë të veçantë te mosha e kësaj kënge mirditore, te hershmëria e saj. Për të përcaktuar një gjë të tillë, të vetmit tregues që kemi në dorë, janë elementet substanciale dhe formale, të brendatrupëzuara në tekst. Para se të filloj t’i shkoqit këto elemente, do t’i përgjigjem një pyetjeje të thjeshtë : a ka dëshmi që vërtetojnë se kanë qarkulluar këngë për Skënderbeun në kohën e tij dhe më vonë ?

Informatën më të hershme për këtë çështje, na e jep Sabeliko: « E disa njerëz që meritojnë t’u besosh, më kanë rrëfyer se një numur i madh vajzash, në mes të rrezikut të luftës, atëherë kur çdo gjë të shtinte frikën e ushtrisë turke, mblidheshin në mes të rrugëvet në qytet, ku ai kishte qenë zot dhe këndonin lavdinë e kryetrimit të tyre të vdekur, ashtu siç e kishin zakon të vjetrit në gostitë për kujtim të njerëzve të mbëdhenj… » (III, 60-61)

Në relacionin e ipeshkvit të Tivarit, Marin Bicit, të hartuar njëqind e dyzet e dy vjet pas vdekjes së Skënderbeut, më 1610, shkruhet : « Në kishën e sipërthanun thonë se ka qenë vorrosë i famëshmi Aleksandër Kastrioti, i quejtun me emën tjetër Skanderbeg, i cili u da në shenj me shumë luftime të vlerta kundër turqve, të cilat, të qituna në vargje, këndohen n’atë gjuhë prej të gjithë shqiptarëve, edhe në prani të turqve. » (IV, 111)

Dëshminë e mësipërme, e përforcon edhe Frang Bardhi, i cili, në apologjinë e tij të titulluar « Skënderbeu », të botuar në Veneti më 1636, thotë : « Dhe vazhdimisht gjer në ditët e sotme bashkëkombësit tanë flasin për të dhe këndojnë me zë të lartë trimëritë e tij nëpër gostitë, siç thamë, dhe e quajnë Skënderbeun tonë, për antonomasi, me emrin e shquar « Kulçedra e Arbënit », dmth. Dragoi i Epirit. » (II, 73)

I shtyrë nga informata se në Shqipëri ende këndoheshin këngë për Gjergj Kastriotin, studiuesi gjerman Johann Georg von Hahn u përpoq të mblidhte ndonjë prej tyre. Në librin e tij « Nëpër viset e Drinit e të Vardarit », ai flet për udhëtimin eksplorues që bëri me 1863. Në fshatin Bejan të Matit, të banuar nga shqiptarë myslimanë, ai takoi një plak të moshuar, për të cilin shprehet kështu : « Megjithatë ai na deklaroi që në rininë e tij të hershme kishte dëgjuar një ose dy këngë për Skënderbeun dhe që nga ajo kohë nuk kishte dëgjuar më këngë të tilla. » (V, 49)

Kjo informatë e mbledhur treqind e nëntëdhjetë e pesë vjet pas vdekjes së Skënderbeut nga një hulumtues i huaj, krejtësisht i paanshëm, na bind se Skënderbeu kishte mbetur i gjallë në kujtesën e shqiptarëve, qofshin të krishterë, qofshin myslimanë, se ata krenoheshin me emrin dhe me bëmat e tij. Ideologët dhe poetët e Rilindjes Kombëtare u mbështetën pikërisht te ky kujtim i pashuar për t’i dhënë një shkëlqim të ri modelit historik të shqiptarëve në kohërat e reja.

Duke pasur parasysh të dhënat e lartpërmendura, mund të pohojmë me plot gojën se këngët për Skënderbeun kanë qarkulluar pas pushtimit të Krujës e të Shqipërisë nga ushtritë e padishahut. Përveç këngëve të veçanta, të mbledhura e të botuara në Shqipëri, të cilat u kushtohen Skënderbeut dhe bashkëluftëtarëve të tij, kryetrimi i Krujës përmendet edhe në disa tekste të tjera. Në një këngë epike, shqiptari i krishterë Gjin Leka thotë me krenari : « Por thuej pashës e allajbegut, / S’lidhen t’birt e Skanderbegut… » (VI, 412) Ashtu si i krishteri, edhe shqiptari mysliman Hasan Zejni i referohet figurës së Skënderbeut dhe frymëzohet nga vendosmëria e tij : « -Demejr pasha ma kadalë,/S’ke nizamë me m’zanun gjallë./Skënderbeu nji fjalë na ka lanë:/ « Kush asht burr e asht shqiptar, /i ri a i vjetër, kush asht gjallë, /turkut luftën mos me ia ndalë… » (VI, 218)

Koha e Rilindjes Kombëtare, e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit qe si një përtëritje e epokës skënderbejane, e Lidhjes së Kapedanëve Shqiptarë, të krijuar në Lezhë më 1444. Për këtë arsye, prijësit shqiptarë u përudhën, u frymëzuan nga tradita që u kishte lënë Moti i Madh : « Haxhi Zeka në shall të bardhë:/ […] Tash me u lidhë me besë të zotit, / sikur t’parët na e kanë pasë motit, / sikur t’parët n’koh’ t’Kastriotit. » (VI, 266)

Emri i Skënderbeut ishte ngulitur aq thellë në kujtesën e popullit, saqë ai nuk përmendet vetëm në epikë, por edhe në lirikë, siç ndodh në një këngë dasme mirditore ku nusja sublimohet, duke thënë se ajo ishte stolisur me florinjtë e Skënderbeut : « Një tubë krushq që janë mbledhë bashkë, /Kanë shkue me marrë një vashë. /Ajo vashë si e bija e begut, / Paska florinjtë e Skanderbegut. (VII, 50)

Një nga këngët që kanë qarkulluar dikur për Skënderbeun, duhet të jetë edhe teksti që përbën objektin e kësaj qasjeje. Natyrisht, nuk mund të mëtohet që ai të ketë ardhur nga shekulli XV pa pësuar ndryshime, pa u modifikuar për t’iu përshtatur mjedisit ku qarkullonte. Para se të parashtroj disa argumente tekstore që vërtetojnë hershmërinë e kësaj kënge, po e njoh lexuesin me tekstin e saj të plotë.

NË MAL ZANA PO BËRTET

N’at mal Zana po bërtet,

Thotë: “Ka mbetë Shqipnia shkret,

Kur ka vdekë ai Skanderbeg!

Sikur rrfeja për hava,

Skanderbegu në luftë ka ra,

Tuj luftue pa ia da,

Derisa shpirt nuk ka pasë ma.

Kur ka dalun shpirti i tij,

Të gjithë Shqipnisë i ka ra zi.

Kur ka dalun ai shpirt i bardhë,

Të gjithë Shqipnia ka marrë vajë,

Deri lisat maje malit,

Kjanë për të dhe gurt e zallit.

Vajto, Zanë, ti pa pushue,

Kjaj gjithmonë, moj kjosh bekue!

Argumenti i parë që na shtyn të besojmë te karakteri burimor dhe te hershmëria e kësaj kënge, është qarkullimi i saj në zotërimet e Kastriotëve, banorët e të cilave, siç e tregojnë legjendat e shumta, e kanë ruajtur më mirë kujtimin e kryezotit të Arbërisë.

Kjo këngë nuk ka karakter triumfalist, glorifikues, madje edhe Skënderbeun nuk e lavdëron shkoqiturazi (në mënyrë eksplicite), por tërthorazi. Mbi frymën e këtij teksti hedh dritë edhe një nga fjalët kyç të tij, emri shpirt, i cili përsëritet ri herë. Kjo fjalë tregon se në këtë tekst nuk mbizotëron elementi luftarak, heroik, por elementi shpirtëror, shprehja e botës së brendshme të popullit të pikëlluar nga vdekja e kryetrimit të tij dhe nga shkretimi i vendit pas pushtimit turk:”N’at mal Zana po bërtet,/ Thotë:”Ka mbetë Shqipnia shkret,/Kur ka vdekë ai Skanderbeg!” Shkretimi i Shqipërisë së pari ishte një shkretim fizik, i shkaktuar nga ikja masive e shqiptarëve nga trojet e tyre: “Por treqind mijë trima / jetin (vendosën) e çajtin detin,/ se të bajën (për të ruajtur) besëzën.” (II, 110)

Tonaliteti i përmbajtur i kësaj kënge, dëshmon se ajo është ruajtur dhe është kënduar në rrethanat e robërisë otomane. Kur flitet për luftërat e Skënderbeut, asnjëherë nuk zihen ngoje me emër as ushtritë turke, as sulltanët. Emri i kundërshtarit qëllimisht mbetet si një element i fshehur në tekst, siç thotë Llosa, ose, po të përdorim një term të Heminguejit, ai është pjesa e nënujshme e ajsbergut. Emri i armikut, me të cilin u ndesh Skënderbeu njëzet e pesë vjet “pa ia da”, d.m.th. pa ndërprerje, lihet evaziv, sepse në fund të fundit , dëgjuesit e këngës e kanë të qartë se kundër kujt ka luftuar heroi i tyre. Ai është i njëjti armik që i mban në robëri, që ua ka shkretuar vendin dhe shpirtin. Gjendja e rëndë që mbizotëron në Shqipëri pas vdekjes së Skënderbeut, gjuhësisht shprehet me anë të foljes “qaj”, e cila, së bashku me sinonimet e saj, përsëritet pesë herë: bërtet, ka marrë vajë, kjan, vajto, kjaj.

Në qendër të kësaj kënge është një ngjarje asnjanëse (neutrale) nga pikëpamja politike, siç është vdekja e një njeriu nga pleqëria dhe nga sëmundja. Lajmi për vdekjen e Skënderbeut e kishte ngazëllyer aq shumë sulltan Mehmetin II, i cili kishte thirrur:”Më në fund Europa dhe Azia janë të miat. Mallkuar të krishterët. Ata humbën shpatën dhe mburojën. Bota s’ka për të parë kurrë një luan të tillë.” (VIII,121) Si argument plotësues për moshën e madhe të kësaj kënge mund të shërbejë edhe ngjashmëria e saj me këngën arbëreshe “Vdekja e Skënderbeut”.(II, 108)
Një tjetër element i lashtë i tekstit që po shqyrtojmë, është figura e Zanës, e bartur nga epika legjendare. Procedimin e Homerit, i cili në vargun e parë të “Iliadës” i drejtohet muzës frymëzimdhënëse, e përdor edhe aedi shqiptar që përmend një figurë mitologjike, e cila ka të njëjtin funksion si muza greke, Zanën e Malit, mbrojtëse e poezisë epike, por edhe elegjiake :”N’at mal Zana po bërtet,/Thotë: ”Ka mbetë Shqipnia shkret,/Kur ka vdekë ai Skanderbeg.”

Sipas traditës gojore shqiptare, lidhjet e kryezotit të Arbërisë me këtë hyjni ktonike janë të hershme. Në legjendën kosovare “Skënderbeu e Zana”, qenia e mbinatyrshme e mënd me qumështin e saj hyjnor kapedanin shqiptar, ashtu siç bën me kreshnikun Muji në rapsodinë “Fuqia e Mujit”:”Zanës i erdh keq për ni trim, tuj u lutë, shtrydhi ni pikë gji n’fletë t’rapuhës edhe ja dha Skenderbegut”. (IX, 207)

Duhet të vihet në dukje ruajtja me besnikëri e emërtimit vendas “Zanë”, i cili nuk është zëvendësuar me termin oriental “Milaçe”, siç ka ndodhur në një baladë të mbledhur po në këtë krahinë: “Po thotë vasha me lot për faqe:/ S’kenki, o bjeshkë, ju me “Milaçe”…(VII, 85)

Procedimi që përdor këngëtari duke i vënë fjalët që thuhen për luftërat, për vdekjen dhe për pavdekësinë e Skënderbeut në gojën e një qenieje të mbinatyrshme, të Zanës, mund të ketë funksion të dyfishtë: ai mund të shërbejë si për të sublimuar heroin e vdekur ashtu dhe si një artifis letrar për t’iu shmangur censurës së pushtuesit, për ta mbrojtur interpretuesin e këngës nga ndonjë pasojë negative.

Një ndër elementet e trashëguara nga mënyra e të menduarit mitik, nga besimet animiste, është edhe shpirtëzimi i natyrës , pjesëmarrja e saj në ngjarjet njerëzore. Një praktikë e tillë është mjaft e shpeshtë në poezinë gojore shqiptare. Në epikën legjendare:”Dritë ka dalë e drit-o nuk po ban,/ Ka ra dielli e me nxe nuk po nxe![…]/Janë zanë rob Muji me Halilin!” (X, 229) Në epikën historike:”Dielli asht ra, po s’po ban dritë,/Asht nis’ lufta në Junik!” (VI, 378) Në lirikë:”E Deçiqi, i kjosha true;/ T’dahet katrash, t’kjaj me mue!”(VII, 179) Ose:”Të kjajnë katër qoshet e konakut,/ E katër anët e çardakut,/ Edhe ‘kjajnë buzmat e zjarmit…” (VII, 199) Personifikimi i përdorur në këngën “Në mal Zana po bërtet” i jep përmasa kozmike dhimbjes për vdekjen e Skënderbeut, të cilin nuk e qajnë vetëm shqiptarët, por edhe lisat, gurët dhe një qenie e mbinatyrshme, siç është Zana e Malit:”Të gjithë Shqipnia ka marrë vajë,/ Deri lisat maje malit,/ Kjajnë për të edhe gurt e zallit.” Ky procedim poetik është i pranishëm edhe në këngën arbëreshe “Vdekja e Skënderbeut”:”Shkoi një ditë mjegullore,/Mjegullore dhe helmore,/Toka, qielli doi t’valtojë[…]/Gjegjëtin (dëgjuan) maljet e u ndajtin (u çanë)” (II; 108-109)
6.Në këngën “Në mal Zana po thërret”, hasen një varg klishesh poetike tradicionale, siç është krahasimi i Skënderbeut me rrufenë:”Sikur rrfeja për hava,/Skënderbeu në luftë ka ra…”Me një varg të vetëm, veçanërisht me krahasimin “si rrufeja”, këngëtari ka arritur të sintetizojë artin ushtarak të Skënderbeut, i cili, sipas specialistëve bazohej te sulmet e befasishme dhe të rrufeshme. Krahasimi i kryezotit të Arbërisë me rrufenë, me këtë armë që përdor dragoi për të vrarë kuçedrën në mitologjinë shqiptare, ndeshet edhe në këngë të tjera:”Skënderbeu, rrfé prej qiellet,/ Pashallarve iau njef hilet.”(VI, 319) Në një këngë kosovare thuhet:”Skënderbeu mjekërzi,/si rrufé në luftë tuj pri.” (IX, 220)

Klishe poetike tradicionale është edhe ai lloj metonimie kur emri i vendit përdoret për të shenjuar banorët e tij:”Çka ka Limi që dirgjet(rrjedh) gjak/ Po lufton Shqipnia e ngratë…” (VI, 283) Një metonimi të tillë e hasim edhe në këngën që po shqyrtojmë: “Të gjithë Shqipnia ka marrë vajë.” Krahas bukurisë poetike dhe ngarkesës emocionale, metonimia rrit fuqinë shprehëse, e bën më të dendur kuptimësinë e tekstit. Ajo shpreh idenë se bashkimi kombëtar i krijuar nga Skënderbeu me Besëlidhjen e Lezhës, kishte lënë gjurmë të pashlyeshme në vetëdijen e popullit. Megjithëse këngëtari ka qenë mirditor, ai nuk e ka përmendur emrin e krahinës së tij, por ka përmendur tri herë emrin e atdheut të përbashkët: Shqipninë.

Fondit të klisheve poetike tradicionale, i përket edhe epiteti “i bardhë”, me të cilin karakterizohet personaliteti i Skënderbeut: ”Kur ka dalun ai shpirt i bardhë…” Sipas Dumézil-it, në ideologjinë trifunksionale indoeuropiane, ngjyra e bardhë ka pasur konotacion mitologjik dhe i referohej botës qiellore. Duke i vënë një epitet të tillë Skënderbeut, nxiret në pah tipari i tij më i qenësishëm: të qenët shpirtbardhë, shpirtmadhësia, humanizmi i heroit shqiptar në marrëdhënie e tij edhe me kundërshtarët politikë. Këtë tipar të kryezotit të Arbërisë e thekson edhe Marin Barleti në skenën ku përshkruan Moisi Golemin, i cili, i penduar për tradhtinë që ka bërë, kërkon falje:”I pikëlluar sa s’ka, i ra përpara në gjunjë dhe, si ndonjë lutës, i kërkoi me lot në sy që ta falte e të mos i bënte gjë, jo se e meritonte, po për vetë bujarinë e shpirtit të tij.” (XI, 468)

Skënderbeu tregohej shpirtmadh jo vetëm ndaj bashkëkombësve të penduar për tradhtinë e tyre, por edhe ndaj turqve të mundur e të zënë robër. Kur Hasan beu i kërkoi mëshirë, Kastrioti iu përgjigj:”Të mundur, ne flasim sa më urtë, sa më bukur, kurse fitimtarë, kurrë s’do të dinim të flisnim kështu” dhe , duke kapur dorën e armikut, e porositi të mos dëshpërohej, sepse s’kishte për të pësuar asgjë të keqe dhe të denjë për një skllav.”(XI, 561)

Barleti thotë se bujarinë, mëshirën e mrekullueshme, Gjergj Kastrioti i kishte në gjak prej natyre. Këtë tipar të tij, e kanë admiruar edhe bashkëkohësit, siç merret vesh nga një letër përgëzimi që i dërgonte Republika e Raguzës më 1452: ”Ne nuk gjejmë fjalë të mjaftueshme për të lavdëruar ose admiruar madhështinë e pabesueshme të shpirtit tuaj dhe urtësinë e burrërisë suaj të pashoqe…” (XII, 57)

Nga pikëpamja gjuhësore, bie në sy se në këngën “Në mal Zana po bërtet” përdoret një shqipe e pastër. Aty ndeshet vetëm orientalizmi “hava”. Studiuesit janë të mendimit se orientalizmat në gjuhën shqipe janë të hershme, meqenëse fjalë të tilla si “penxhere”, “monosaqe”(manushaqe) janë të pranishme edhe në këngët arbëreshe.

Dëshmi të hershmërisë së këngës mirditore për Skënderbeun janë edhe disa shprehje frazeologjike mjaft arkaike si: ”ra në luftë”, me kuptimin: luftoi; “ka marrë vajë”, me kuptimin: vajtoi; “ra në zi”, me kuptimin: e mbuloi zia, mbajti zi etj.

Në këtë tekst, ka disa asonanca si: shkret/Skanderbeg; i bardhë/vajë; malit/ zallit. Kjo dukuri tregon se rima, e cila ka filluar të përdoret në mesjetë, ende nuk kishte një shpeshtësi të atillë, sa të krijonte monotoni. Edhe rima foljore me “ue” haset vetëm një herë.
Nga pikëpamja e brendisë vihet re se faktet që paraqiten në këtë këngë kanë një saktësi historike të madhe. Aty thuhet se Skënderbeu zhvilloi luftime të pandërprera “Derisa shpirt nuk pati ma”. Të njëjtën gjë e pohon edhe Barleti:” Duke u ngritur nga shtrati me gjymtyrë që i lëkundeshin e i dridheshin, po kërkonte armët dhe mburojën e vet dhe po jepte urdhër që t’ia shalonin kalin.” (XI, 655)

Me saktësi është paraqitur edhe pikëllimi që shkaktoi vdekja e Skënderbeut:”Kur ka dalun shpirti i tij,/ Të gjithë Shqipnisë i ka ra zi.” Barleti shkruan:”…trupi i tij u përcoll me vaj nga të gjithë ushtarët dhe me pikëllim nga gjithë princërit dhe kapedanët.”(XI, 656) Një tablo e ngjashme ndeshet edhe në këngën arbëreshe “Vdekja e Skënderbeut”:”Kur vëdiq Skënderbeu,/ ma bijën përmisurith/ trimat e Arbërit.”(II, 110)

Jehona e kësaj zie kombëtare ka ardhur deri në ditët tona, siç e vërteton kjo legjendë e ruajtur në Mat:”Xhokat e zeza na kanë metë për zi të Skanderbegjut. Kur vdiq Skanderbegju, poplli u vesh me xhoka të zeza, ma xhamadanë e me xhedikë të zi.” (II, 146) Një legjendë e ngjashme ka mbijetuar edhe në Kosovë:”Thonë se xhurditë bahen me lesh t’ zi, n’shej zie, si shej i s’keqes që e gjet popullin shqiptar mas vdekjes së Skënderbeut.” (IX, 213) Në Ulqin, thuhet:” Qysh mbas vdekjes së Gjergjit, na e mbajmë polin e zi si shej jazit.” (IX, 213)

10.Kënga ”Në mal Zana po bërtet”, e mbledhur më 1962, duhet të jetë e hershme, sepse ajo nuk është kontaminuar nga fryma dhe nga stilemat e “folklorit të ri”, të cilat ndeshen në ndonjë këngë tjetër për Skënderbeun:”Se Shqipnia s’asht pa zot,/ se e udhëheqin Kastriotë…” (II, 82) Ose:”Skënderbe, Hero i Kombit,/Ti në Lezhë po pushon/…vepra jote heroike/ ec përpara dhe s’ndalon.” (II, 85)

Mbyllja e këngës ku i bëhet thirrje Zanës të vazhdojë të vajtojë pa ndërprerje, tregon se kënga është krijuar në një kohë kur pushtimi turk i ngjante një fataliteti historik dhe në horizont nuk dukej asnjë shenjë e afrimit të ditës së pavarësisë kombëtare:”Vajto, Zanë, ti pa pushue,/Kjaj gjithmonë, moj kjosh bekue!”
Shkurtësia, konciziteti i këtij teksti, të përbërë nga pesëmbëdhjetë vargje, sa gjysma e vargjeve të këngës arbëreshe ”Vdekja e Skënderbeut”, flet në të mirë të hipotezës se gjatë shtegtimit të tij nëpër breza, ai është latuar nga dalta e kohës, është zhveshur nga çdo gjë e tepërt. Megjithëse ky tekst është minimalist për nga sasia e vargjeve, ai është maksimalist për nga ndjenjat dhe mendimet që u përcjell dëgjuesve/lexuesve…
Në librin e tij “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”, Vladan Georgevitch ka shkruar:”Ndërsa fqinjët e parë të shqiptarëve, serbët, kanë një epopé nacionale të mrekullueshme që, për nga vlera e saj poetike, është krahasuar me “Iliadën” e Homerit nga historianët më të mirë të letërsive të botës, ndërsa këto epopé serbe këndojnë edhe trimëritë e Skënderbeut, shqiptarët vetë e kanë harruar heroin e tyre të vetëm popullor, saqë ata nuk e dinë ku gjendet varri i tij, siç thonë udhëtarët austriakë që kohët e fundit kanë kaluar nëpër Shqipëri.”(XIII, 30)

Kënga “Në mal Zana po bërtet” së bashku me ciklin e madh të ruajtur nga arbëreshët, së bashku me këngët e mbledhura në Shqipëri e në Kosovë, hedh poshtë argumentin e rremë të disa autorëve tendenciozë e keqdashës, të cilët, për të mohuar shqiptarësinë e Gjergj Kastriotit, kanë thënë se shqiptarët nuk kanë këngë për heroin e tyre kombëtar.

Në përfundim të kësaj qasjeje, do të doja të theksoja se brendia dhe forma e këngës mirditore, të cilën u përpoqa ta shqyrtoj, na japin të drejtë të themi se ajo është burimore dhe e hershme. Ajo që mund të pohojmë me siguri të plotë është se ky tekst që i kushtohet Skënderbeut, nderon jo vetëm figurën e kryetrimit shqiptar, por edhe gjeninë poetike që e ka krijuar.

Referenca bibliografike:

1.Arkivi i folklorit në ish-Institutin e Kulturës Popullore, kutia nr. 2O28, fletorja nr. 1

Epika historike, 1, Tiranë, 1983
III. Frang Bardhi, Skënderbeu

IV.Relacione mbi gjendjen në Shqipërinë Veriore dhe të Mesme, në shek. XVII, Tiranë, 1963

Johann Georg von Hahn, Nëpër viset e Drinit e të Vardarit, Tiranë, 20O1
VI.Epika historike, 2, Tiranë, 1981

VII.Visaret e Kombit, vëllimi III, Tiranë, 1937

VIII. Athanas Gegaj, Arbëria dhe Gjergj Kastrioti Skënderbe, Tiranë, 1999

Gjurmime albanologjike, Folklor dhe etnologji, I, Prishtinë, 1971
X.Epika legjendare, vëllimi i parë, Tiranë, 1966

Marin Barleti, Historia e Skënderbeut, Tiranë, 1983
XII.Historia e Shqipërisë për shkollat e mesme, Tiranë, 1973

XIII.Vladan Georgevitch, Les Albanais et les Grandes Puissances, 1913

Prof. As. Dr. Anton PAPLEKA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit