I ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’, konstitucionalisti Shkëlqim Hajdari paralajmëroi se asnjë kandidat i inkriminuar nuk do të ketë shanse të hyjë në parlamentin që do të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.
“Besoja që këtë herë sikur të kishin kërkesa pa fund, njerëz që e dinë të shkuarën e tyre nuk duhet të pranonin të hynin në lista. Prokuroria të funksionojë shpejt, pas kërkesës të KQZ, rezultatet të dalin para ditës së votimit, në mënyrë që të mos kemi ndryshime të rezultatit. Këta njerëz janë të pashpresë në parlament, do jenë një njollë negative, por nuk kanë asnjë shans që mënyra si funksionon ligji i dekriminalizimit t’i krijojë mundësinë të hyjnë në parlament” u shpreh Hajdari ndërsa kërkoi nga SPAK të mos ndikohet nga fushata elektorale në punën e saj.
“Kemi marrë disa rezultate nga SPAK, presim sa i takon korrupsionit të zyrtarëve të lartë. Shpresojmë mos ndikohet nga fushata po të vijojë punën e vet. SPAK duhet të ngrejë antenat dhe të presë cdo lloj ankimi që i vjen nga publiku media, organizata ndërkombëtare. Jemi para zgjedhjeve, të gjitha hetohen nga SPAK, duhet të jetë vigjilintë të godasë me masat më të ashpra. Të bëjmë cdo përpjekje që këto zgjedhje të jenë të pakontestueshme. Shqipëria ka nevojë për një proces të rregull, është kusht për negociatat, se sa të fitojë X parti apo tjetra. Procesi i zgjedhjeve është shumë i rëndësishëm, me qëllim që të fitojë procesi.” ndër të tjera Hajdari komentoi edhe procesin e nisur ndaj kryeprokurorit Adriatik Llalla.
“E kam denoncuar si po e drejtonte prokurorinë e përgjithshme, ishte personi që i bëri dëmin më të madh prokurorisë, me sjelljen e vet jo profesionale, pengues për reformën ishte shkaku kryesor, që pas betejës me të ndihem mirë që u finalizua zyrtari i parë i lartë, që sado ta dënojë gjykata, të kuptojnë gjithë zyrtarët e lartë që koha ka mbaruar, vjen një moment që do goditesh penalisht. “- tha Hajdari ndërsa theksoi se SPAK ka dosje nga jashtë që përfshin edhe zyrtarë të lartë, por nevojiten prova.
“Shpresoj që bashkë me zgjedhjet do kemi rezultate shumë të mira të SPAK, jam i bindur për këtë. Presim rezultate pozitive” u shpreh ai.