Për një vaksinë kineze të siguruar përmes Turqisë, qeveria ka paguar 20 dollarë.
Në Fletoren Zyrtare është zbardhur dje vendimi “Për kryerjen e pagesës së dozave të vaksinave, që rrjedh nga marrëveshja me distributorin ‘Keymen Ilaç Sanayi ve Ticare’ për furnizimin me vaksinat ‘Coronavax’”. Në vendim përcaktohet kalimi në arkën e Ministrisë së Shëndetësisë i një fondi në vlerën e 10 milionë dollarëve për të mbuluar efektet financiare të kontratës.
DËRGESA NGA STAMBOLLI
Bashkë me Kryeministrin Rama, dje nga Stambolli kanë mbërritur 192 mijë dozat e para të vaksinës kineze. Pavarësisht se u tha se do të mbërrinin 1 milion e kusur doza, fakt është që kontrata fillestare është nënshkruar për 500 mijë doza. “Ne kemi të kontraktuara 500 mijë vaksina ‘Sinovac’ dhe kemi siguruar 1 milion. Kemi preferuar të bëjmë një kontratë fillimisht me 500 mijë për të parë më tutje të gjitha dinamikat, sepse është një proces shumë dinamik dhe këtu kemi ecur në mënyrë strategjike për të ruajtur një ekuilibër të plotë dhe me planin dhe me nevojat në raport me kategoritë dhe me numrin e përgjithshëm, por dhe me ecurinë e tregut”, tha Rama. Kjo do të thotë që vlera e një vaksine kineze të prodhuar nga ‘Sinovac’ është 20 dollarë. Por, edhe pse me një shkallë efikasiteti të reduktuar në raport me vaksinat e tjera që janë në qarkullim, vaksina kineze ka të njëjtën kosto me vaksinën “Pfizer”, e cila po ashtu kushton 20 dollarë. Ndërkohë që është dyfish më e shtrenjtë në raport me vaksinën ruse “Sputnik” që kushton 10 dollarë dhe 5-fish më shumë në raport me vaksinën e Oksfordit “AstraZeneca”, e cila kushton as as më shumë sesa 4 dollarë.
FABRIKË VAKSINASH
Por duket se pakti i bërë në Turqi shkon përtej sigurimit të vaksinave antiCovid. Rama tha dje se kanë nisur bisedat për të sjellë në Shqipëri fabrikën e prodhimit të vaksinave, e cila veç vaksinave prodhon edhe produkte të tjera farmaceutike, që siç vuri në dukje Kryeministri do të mbulojnë edhe nevojat e tregut vendës. Kjo do të thotë që kapitulli i çelur me Turqinë dhe Kinën sapo është hapur dhe vaksinat janë vetëm fillimi. “Prodhimet e kësaj fabrike janë prodhime, të cilat lehtësisht mund të eksportohen, janë prodhime të rralla, që mund të eksportohen dhe që mbulojnë edhe nevojat e tregut vendas. Sigurisht, në gjithë këtë proces, fiton Shqipëria, fiton shëndetësia jonë dhe fitoni ju dhe të gjithë, bashkë me ju dhe me mua. Kështu që këtë merak mos e kini!” tha Rama.
VAKSINIMI
Brenda qershorit pritet të mbërrijnë edhe 1.2 milionë doza të tjera të vaksinës kineze. Me premtimin për mbërritjen e dërgesave të tjera nga “Pfizer”, “Sputnik” dhe “AstraZeneca”, Rama tha që deri në fund të majit do të përmbyllet procesi i vaksinimit për 500 mijë persona. “Ministria e Shëndetësisë, autoritetet përkatëse që mbulojnë gjithë këtë proces do të japin leje të posaçme për të gjithë të moshuarit, të cilët do të jenë në regjistrat e vaksinimit. Siç e kemi thënë, duke filluar nga moshat më të larta e duke zbritur poshtë, që të kemi brenda majit të vaksinuar të gjithë shqiptarët mbi moshën 60 vjeç. Kjo është pjesë e ambicies sonë”.