MENU
klinika

Disa informacione të rëndësishme

Cilat janë planet e vaksinimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor?

03.01.2021 - 10:52

Ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor po përpiqen të sigurojnë sasi të mjaftueshme të vaksinës kundër Covid-19, shumë pyetje mbeten ende pa përgjigje: Sa vaksina do të ketë në dispozicion, kur do të nisë vaksinimi, dhe sa do të kushtojnë ato në total?

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, po shtojnë përgatitjet e tyre për një shpërndarje të vaksinave. Ato janë pjesë e sistemit COVAX, të krijuar në prill nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Komisioni Evropian dhe Franca për të siguruar qasje të barabartë në diagnostikimet, trajtimet dhe vaksinat anti-Covid-19.

Të hënën, Komisioni Evropian miratoi një paketë prej 70 milion eurosh nën Instrumentin e Para-Anëtarësimit (IPA II) për të ndihmuar financimin e qasjes së Ballkanit Perëndimor në vaksinat kundër Covid-19 të blera nga vendet anëtare të BE-së.

Sipas KE, paketa do të shpërndahet në formën e granteve, të cilat do të ndihmojnë në mbulimin e kostos së vaksinave për grupet më të prekshme në rajon, si dhe pajisjet e nevojshme të vaksinimit. Ky fond do t’i japë mundësi Ballkanit Perëndimor të blejë një numër vaksinash nga Marrëveshjet e Blerjes në Avancë të BE-së me 6 kompani prodhuese.

Për disa, COVAX është mënyra e vetme

Për disa vende të Ballkanit Perëndimor, sistemi COVAX do të jetë mënyra e vetme për sigurimin e vaksinave. Sipas gazetës malazeze ‘Vijesti’, Mali i Zi është mbështetur deri më tani vetëm tek COVAX. Më 9 tetor, Podgorica ra dakord të paguante 646.000 euro për 248.800 doza, ose të mjaftueshme për 20 përqind të popullsisë.

Ministri i Shëndetësisë në atë kohë, Kenan Hrapoviç, tha se nisma COVAX ishte “opsioni më i favorshëm për të gjitha vendet më pak të zhvilluara dhe vendet në tranzicion, përfshirë Malin e Zi, për blerjen e vaksinës anti-Covid-19, pasi siguron një shkallë të lartë të sigurisë dhe transparencës”.

Edhe Maqedonia e Veriut, një vend me pak më shumë se 2 milion njerëz, pret të marrë 800.000 doza përmes nismës COVAX, me qeverinë e Shkupit që ka paguar tashmë 6.7 milion euro për të paguar blerjen e saj. Gjithashtu, ajo po synon të sigurojë 800.000 doza të tjera direkt nga prodhuesit, duke përfshirë Pfizer dhe AstraZeneca.

Kosova u regjistrua këtë muaj në iniciativën COVAX. Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, njoftoi se 360.000 doza vaksine do të sigurohen falas. Zemaj ka thënë se vendi ka në plan të sigurojë një total prej 1.2 milion dozash përmes kanaleve të ndryshme. Ismete Humolli, përfaqësuese e OBSH-së në Kosovë i tha Zërit të Amerikës se vaksinimet në vend mund të fillojnë në mesin e majit ose fillimin e prillit.

Shqipëria

Shqipëria ka siguruar 500 mijë dozat e para të vaksinës, duke përmbyllur kështu marrëveshjen zyrtare me kompaninë amerikane Pfizer. Lajmin e ka bërë me dije kreu i qeverisë Edi Rama në konferencën e parë për shtyp për vitin 2021. Ai tha se sasitë e siguruara në marrëveshjen e përfunduar, do të mbërrijnë në Shqipëri në tre faza të ndryshme.

Edi Rama shtoi se vaksinimi i mjekëve do të kryhet në një strukturë të posaçme që po ngrihet në stadiumin kombëtar “Air Albania”. Ndërkohë ambasada ruse në Shqipëri i ka kërkuar qeverisë shqiptare të negociojë me autoritetet ruse për të blerë vaksinën e tyre ‘Sputnik-V’ kundër Covid-19.

Përveç COVAX, serbët po shohin mundësinë e blerjes së vaksinave ruse dhe kineze

Edhe pse presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, njoftoi paraprakisht se 1 milion doza do të mbërrinin në Serbi deri në fund të dhjetorit, deri tani janë siguruar vetëm 5.000 doza të vaksinës Pfizer-BioNTech. Vuçiç thotë se Serbia ka siguruar deri më tani 1.8 milion doza vaksinash përmes nismës COVAX, dhe dërgesa e parë prej 10.000 dozash pritet në dhjetor. Por presidenti serb tha se Beogradi po negocion gjithashtu edhe me Rusinë dhe Kinën.

Por ashtu si Serbia, edhe Republika Srpska, një njësi federative në Bosnje Hercegovinë po synon të blejë vaksinën Sputnik të prodhuar nga Rusia. Por që kjo vaksinë të përdoret në mënyrë të ligjshme, ajo duhet të miratohet nga Agjencia Boshnjake për Produkte Mjekësore dhe Pajisjet Mjekësore, dhe jo vetëm nga ministria e Shëndetësisë e Republikës Srpska. 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“I papranueshëm diferencimi që BE i bëri Ballkanit”

Rama: Kemi rënë dakord me Pfizer për të nisur…