MENU
klinika

“Do ta ankimojmë menjëherë”

KQZ i hoqi 78 kandidatë nga listat, reagon PD: Vendim i njëanshëm dhe i paligjshëm

17.03.2021 - 21:02

Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të KQZ për të hequr 78 kandidatë nga listat e PD-së, me argumentin se janë të tepërta, mbi numrin e lejuar.

PD në deklaratën e saj thotë se ky vendim është i njëanshëm dhe i padrejtë, i nxitur nga interesat e maxhorancës.

Selia blu garanton se do ta ankimojë menjëherë këtë vendim në shkallët më të larta të ankimimit.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE

Vendimi i sotëm i KQZ për mosregjistrimin e plotë të listave të koalicionit është një vendim i padrejtë dhe i paligjshëm, i diktuar nga interesat politike të maxhorancës. Pasi ndryshoi rregullat e lojës në mënyrë të njëanshme, maxhoranca synon të imponojë rregulla të tjera, të cilat pamundësojnë përfaqësimin e plotë dhe të drejtë të të gjitha partive përbërëse të koalicionit tonë. Këto rregulla të njëanshme synojnë që të lënë të papërfaqësuara parti të cilat përfaqësojnë shtresa të ndryshme shoqërore dhe komunitete të caktuara, veçanërisht minoritetet. Asnjë vendimarrje e tillë nuk ka për të penguar koalicionin tonë që të garojë me potencialin e tij të plotë, njerëzor dhe programor. Kjo vendimarrje, si të gjitha vendimarrjet e padrejta, do të ankimohet menjëherë nga ana jonë në të gjitha shkallët ankimore. Asgjë nuk do të na ndalojë të sjellim ndryshimin në Shqipëri me njerëzit tanë të mrekullueshëm, që kanë nevojë dhe e duan kaq shumë ndryshimin! Ne do ta bëjmë të mundur këtë në datën 25 Prill me ndihmën e të gjithë shqiptarëve.