Kërkesat e Shqipërisë në Paris: T’i këthehen Shtetit Shqyptar, mëvetesía e të cilit âsht njohun e garantisun prej Konferencës së Londrës më 1913; Viset shqyptare qi i janë dhânë Malit të Zi me vêndimet e Kongresit të Berlinit e me ato të Konferencës së Londrës 1913; Viset shqyptare qi i janë dhânë Serbís me vêndimet e Konferencës së Londrës 1913; Viset shqyptare qi i janë dhânë Greqís me vêndimet e Konferencës së Londrës 1913…
Menjëherë pas luftës së parë Botërore, pas bilanceve tragjike në përfundim më 1919, diplomacia botërore, e mbledhur në pallatin e mbretërve të Francës, do të rivendoste barazpeshat e pasluftës në kornizën e ndryshimeve epokale historike që kishte pësuar kontinenti në luftën më mizore, me 16 milion viktima dhe 20 milion të plagosur e të gjymtuar.
Në këto kushte, kur Shqipëria ishte ende e pushtuar nga trupat e ndryshme të ushtrive të huaja, të cilat për më shumë se tre vjetësh kishin asgjësuar çdo lloj organizimi shtetëror të banorëve të saj, më 25 dhjetor 2018 u mblodh Kongresi i Durrësit me përkrahjen e Italisë, që pati si përfundim kryesor të tij zgjedhjen e një Qeverie e caktimin e Dërgatës, në mbrojtje të çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes.
Sjellim në kujtesë për këtë padrejtësi ndaj një vendi të vogël, letrën e një prej atdhetarëve më mendjendritur, Mid’hat Frashëri (25 mars 1880 – 3 tetor 1949), i cili nuk kurseu asgjë për Shqipërinë, shqiptarët e gjuhën shqipe.
Zoti Drejtor!
Po bëhet zhurmë sikur Konferenca e Paqes mendon t’i japë Jugosllavisë pjesën veriore të Shqipërisë (deri në lumin Drin) si kompensim për Fiumen; ka zëra se jugu i Shqipërisë (zona e Korçës dhe Gjirokastrës) do t’i jepen si holokaust Greqisë, ndërsa Italia, ashtu si luani i përrallës, do të marrë pjesën tjetër (Vlorën dhe mandatin mbi Shqipërinë).
Nuk ka dyshim se mbi këtë vendim, Konferenca do të verë vulën me fjalët: Vdis Shqipëri! Në shekullin e njëzetë, tre fuqitë e mëdha liberale të universit, Franca, Britania e Madhe dhe Italia po kryejnë ndaj Shqipërisë të njëjtin krim që Rusia, Prusia dhe Austria kryen në shekullin e tetëmbëdhjetë ndaj Polonisë.
Kur hyri në luftën e madhe, Anglia deklaronte se do të luftonte për mbrojtjen e kombeve të vegjël. Zoti Klemenso, në fjalimin që mbajti në Strasburg më 4 nëntor 1919, tha: “Krerët e qeverive të vendeve më të përparuar të botës janë mbledhur në Paris për të ribërë hartën e Evropës në emër të së drejtës së popujve për vetëvendosje”.
Presidenti Wilson, i një mendimi me Aleatët, përfshirë edhe Italinë, deklaronte se kjo luftë titanike pati për qëllim çlirimin e popujve të shtypur, mbrojtjen e të dobëtve, triumfin e drejtësisë dhe të ligjit ndaj forcës brutale. Shqipëria, e gjymtuar për herë të parë më 1878, për herë të dytë u copëtua më 1913, në Konferencën e Londrës. Megjithatë, kjo konferencë e përbërë nga përfaqësuesit e kombeve të mëdhenj: Francë, Angli, Itali etj. njohu një Shqipëri të vogël të pavarur. Shqiptarët mbetën në këtë copë të vogël toke, por ata mbahen fort, për të mos vdekur. Ata dëshirojnë pavarësinë e plotë të vendit të tyre dhe hedhin poshtë çdo lloj mandati.
Vallë, traktati i vitit 1913 paska qenë thjesht një letër pa vlerë?
Në Evropë po masakrohet Shqipëria, ndërsa po krijohen shtete të pavarur në Azi. Kjo është një ironi apo një komedi makabre?
Cili është morali?
Delegat i shoqërisë panshqiptare “Vatra” në SHBA
Lumo Skëndo
*Marrë nga “L’europe nouvelle”, Nr. 4, 24 janar 1920
—
Letër që Mid’hat Frashëri shkuajti për drejtuesin e Konferencës së Paqes në Paris, më 1919