MENU
klinika

Priten nga Kurti dhe Ministri i Shëndetësisë

Mbërrijnë në Kosovë vaksinat e para anti-Covid

29.03.2021 - 14:03

Bëhet fjalë për 24 mijë doza të vaksinës së “AstraZeneca”, të ardhura përmes programit COVAX.

Kontingjentin e parë të vaksinave e ka pritur në aeroportin “Adem Jashari” kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë Arben Vitia.

Kosova është vendi i fundit në rajon që do të nisë fushatën e imunizimit të popullsisë kundër koronavirusit. Autoritetet tashmë kanë hartuar një plan të imunizimit, të ndarë në tri faza, ku fillimisht pritet të vaksinohen punonjësit e shëndetësisë, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike.

Në fjalën e tij, Kurti tha se kjo ngjall shpresë të madhe për shpëtimin e njerëzve, sidomos personelit shëndetësor.

 

 

“Është ky kontingjent i vogël por që ngjall shpresë të madhe në vendin tonë për fillimin e shpëtimit të jetës së njerëzve, sidomos personelit shëndetësor dhe popullsisë në rrezik. Secila jetë në secilin vend të botës është e çmuar dhe e baras vlefshme andaj bota ka nevojë për solidaritet ndaj këtij armiku. Deri tani kemi mësuar se virusi nuk njeh kufij, racë apo etni dhe askush nuk është në asnjë vend i sigurt derisa të gjithë jemi të sigurt.

Më lejoni të falënderoj aleancën COVAX dhe të gjithë që po kontribuojnë vaksinim të barabartë në mbarë botën. Vendi ynë është i vogël dhe i varfër andaj ka nevojë për mbështetje e solidaritet nga të gjithë e sidomos nga miqtë tanë SHBA-të e BE që janë edhe më të rëndësishmit në këtë donacion. Kohën që shkoi Kosova ka humbur kohë që na ka kushtuar shumë jo veç në menaxhimin e pandemisë dhe ka kushtuar jetë njerëzish, ajo nuk mund të kthehet mbrapa siç nuk mund të kthehet mbrapa qindra jetë njerëzish që kemi humbur. Vaksinimi duhet të fillojë menjëherë. Në dy javët e fundit kemi mesatarisht 10 vdekje në ditë dhe trend në rritje, kemi humbur 16 mjekë e 8 infermierë dhe në një vend me kaq pak banorë i ngjajnë një vendi në kohë lufte, andaj masat tona duhet të jenë të shpejta e të drejta që t’i shmangim vdekjet, sot është tejkaluar numri prej 500 vdekjeve në vitin 2021 në Kosovë, prej janar, shkurt e deti më tani kemi 504 të vdekur në Kosovë nga COVID-19”, tha Kurti.