MENU
klinika

Kualifikueset e Botërorit 2022

Përmbys Portugalia, Belgjika e Holanda me goleada

30.03.2021 - 21:45

Shumë gola të realizuar në mbrëmjen e sotme të fushatës kualifikuese të Botërorit. Spikat fitorja e Portugalisë në Luksemburg, një sukses që erdhi me përmbysje 1-3. Ndërsa Belgjika shënoi 8 gola e Holanda 7, surprizë ndalesa në shtëpi 3-3 e Turqisë ndaj Letonisë.

Një ndeshje që konsiderohej e lehtë në letër për Portugalinë, u bë delikate pas 30 minutave të para, kur vendasit shokuan luzitanët me golin e Rodrigues. Në atë moment, Portugalia nisi ta merrte më seriozisht ndeshjen dhe barazoi në fundin e pjesës së parë me anë të Diogo Jotas.

Pjesa e dytë ishte akoma më e mirë për luzitanët, që përmbysën gjithçka me anë të Cristiano Ronaldos. Për të mbyllur çdo diskutim për 3 pikët mendoi mesfushori i talentuar i Sporting Lisbonës, Palhina, i cili shënoi me një goditje të bukur me kokë pas një goditjeje nga këndi. Ronaldo më parë humbi një rast vetëm për vetëm me portierin.

Kështu, Portugalia mori fitoren e dytë në 3 ndeshje në grup, duke u ngjitur në krye me 7 pikë, po aq sa Serbia, e cila më herët fitoi në Azerbajxhan ndaj ekipit që drejtohet nga De Biasi.

Holanda ka shpërthyer sonte ndaj kombëtares modeste të Gjibraltarit në “Victoria Stadium” duke shënuar shtatë gola dhe gjashtë nga të cilat në pjesën e dytë pas një pjese të parë ku vendasit u mbrojtën mëse mirë…

Protagonist në pjesën e dytë Depay me dy gola, ndërsa golat e tjerë erdhën nga De Jong, Ëijnaldum, Malen, Van de Beek! Megjithatë, dëmtimi i Blind duket vërtet një skenë horror për mënyrën se si e ka vendosur këmbën e tij në rënie. Futbollisti i Ajax u zëvendësua pas 54 minutash.

Sakaq, Turqia nga 3-1 u barazua 3-3 përballë Letonisë duke hedhur poshtë gjithçka të mirë që kishte bërë në pjesën e parë dhe në fillim të pjesës së dytë. Norvegjia merr fitore minimale ndaj Malit të Zi në Podgoricë falë golit të Sorloth. Haaland, 0 gola në 3 ndeshje!

Belgjika ka blinduar vendin e parë në Grupin E falë një fitoreje 8-0 të marrë në shtëpi kundër Bjellorusisë. Katër gola për çdo pjesë për belgët, që mbrëmjen e sotme kanë luajtur me ekipin e dytë, duke lënë në stol disa prej yjeve të tyre, si Lukaku, De Bruyne dhe Mertens.

Fitore edhe për Wales në Grupin E. Skuadra e Gareth Bale ka mundur 1-0 në shtëpi Republikën e Çekisë falë një goli të Daniel James në minutën e 82-të. Mesfushori 23-vjeçar i United ka shënuar me kokë pas një krosimi perfekt të Bale.

Të dy skuadrat e kanë mbyllur ndeshjen me 10 lojtarë. Schick është ndëshkuar nga çekët për sjellje antisportive, ndërsa Roberts i Uellsit për një goditje me bërryl.

Fitore të rëndësishme në Grupin H për Kroacinë dhe Sllovakinë. Kroatët kanë mundur 3-0 në shtëpi Maltën dhe tani kryesojnë renditjen me pikë të barabarta me Rusinë. Perisic (62′), Modric (76′, pen.) dhe Brekalo (90′) kanë shënuar për vendasit. Sllovakët kanë marrë fitoren e parë në grup pasi kanë mundur 2-1 në shtëpi rusët.