Rama është tashmë, pa dyshim, njeriu kyç i tranzicionit të rraskapitshëm shqiptar. Është ky rezultat, në mënyrë të padiskutueshme, një rezultat parësor në karrierën e tij personale. Ai ka ecur, ka vrapuar, është ngjitur apo është kacavjerrë, është gërvishtur dhe është plagosur shumë herë në këtë të përpjetë. Askush nuk e kish kuptuar dot më parë, as miqtë, as bashkëpunëtorët apo edhe as armiqtë e aleatët e tij, se ku, Ay, Marshalli i ardhshëm, na e kish fshehur gjithë këtë ambicie…
Por kjo është një temë tjetër, për një herë tjetër.
Për hir të së vërtetës, të cilën armiqtë e tij, të shumtë tashmë, nuk e pranojnë publikisht, por e diskutojnë tavolinave në mënyrë të vazhdueshme, mjaft prej tyre, kanë një admirim të fshehtë ndaj tij. Marshalli e di këtë dhe e shijon edhe Ay, në vetminë e tij, admirimin e tyre të fshehtë…
Vetmia e Marshallit është në të vërtetë një shpellë, që mund të nxërë vetëm një ujk të vetëm të vet mjaftueshëm dhe thellësisht asocial.
Sepse, Ay, në thelb është shumë i vetmuar, pavarësisht se me sa çakej, Ay, rrethohet, në tufën e tij luftarake…
Por edhe kjo është një çështje tjetër, një temë për një herë tjetër.
Shumëkush, miqtë, Ay, Marshalli, madje dhe armiqtë apo kundërshtarët e tij, harrojnë se popullit me “P” të madhe dhe me qese të vogël dhe që bën një gjumë të shqetësuar me ëndrra të pamundura, Populli, pra, nuk i pret dhe aq hollë arsyetimet mbi gojëtarinë dhe look-un e Marshallit (i patë gjyzlykët e tij të reja të diellit, flakë në modë? Apo ngjyrat e xhaketave të kadifenjta e më the e të thashë?)
Sepse populli i ëndrrave të shqetësuara, shumë i madh në numër dhe mjerisht edhe në varfërinë e tij, nuk e di dhe refuzon të dijë se çfarë është vaniteti i modës, kur ka kaq shqetësim për të nesërmen e foshnjave që lindin më pak, nga frika ekzistenciale e arsyeshme e prindërve të tyre…
Ata, pra, që të gjithë së bashku thirren popull, po gjejnë gjithmonë e më pak arsye që t’i besojnë nevojës së madhe të Marshallit për një mandat të tretë.
Aq më tepër kur shoqërohet në votëkërkimin e tij, nga ca ministra kaq të njollosur e të përfolur, që nuk kanë parfum tjetër përreth tyre, përveç aromën e tipografisë së thasëve me kartëmonedha që kanë trafikuar tërë jetën e tyre…
Kësaj, pra, Ay, nuk i shpëtoi dot, rrudhjes së buzëve dhe tkurrjes së shpatullave të të shumtëve që e shohin, tashmë pa asnjë kureshtje! Sado të mëdha dhe premtuese të jenë rrenat e tij, ato nuk ngjisin më, sepse të paktën rrenat e reja, duan njerëz dhe ekip të ri.
Porse Ay, si edhe të mëparshmit, nuk mundet të çlirohet dot nga ata, me të cilët ka ndarë pushtet dhe shumë të mira materiale (po ruajmë elegancën këtu…)
Përse Ramës i ndodhi ajo që nuk duhej t’i ndodhte?!
Zvetënimi i përditshëm, të bërit i rëndomtë në përditshmërinë e tij dhe pamundësia për të gjetur gënjeshtra magjike si gjithë këto vite…
Sa keq, vërtet keq!