Gjetja e telegramit nuk ishte e rastësishme, pasi, siç shpjegoi z. Kotherja për Shekulli, ai kishte pasur dijeni se një dokument i tillë ndodhej në arkivin e tij, që për shkak të zhvendosjes diku tjetër, e kishte bërë të vështirë rigjetjen.
“Tashmë sapo e gjeta telegramin – na bëri të ditur Kotherja – dhe për këtë gjë, ndihem tejet i lumtur. Ekspozimin e materialit, e kam vendosur për ditë më pas. Mendoj se, materiali që disponoj është mjaft i rëndësishëm.”
Kotherja shpjegoi gjithashtu se, ajo çka e bën të rëndësishëm këtë dokument, ka të bëjë me faktin se telegrami është shkruar me dorën e vetë Ismail Qemalit.
“Veç kësaj, telegrami që disponoj është telegrami i fundit, i dërguar nga kabineti i Ismaili Qemalit”.
Telegrami në fjalë, – vijoi më tej, Kotherja, – njofton dorëheqjen e qeverisë së parë shqiptare në janar të vitit 1914, për t’ia kaluar pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK).
“Siç e theksova edhe në fillim, telegrami është shkruar në turqisht, nga dora e Ismail Qemalit dhe është i panjohur deri më sot. Fatmirësisht, kemi edhe përkthimin e këtij dokumenti të fundit, i dalë nga qeveria e Vlorës. Telegrami është i fotografuar.”
Studiuesi Niko Kotherja është gjithashtu dhe autori i gjetjes së aktit të Shpalljes së Pavarësisë, por edhe i mjaft dokumenteve me rëndësi historike dhe kombëtare, si dhe i shumë fotografive, që deri më sot kishin mbetur të panjohura.