Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Eno Jaço, gjatë një konference për mediat tha se qeverisë do ti dorëzohen mbi 40 rekomandime për klimën e biznesit, përfshirë sanksione dhe penalitete për zyrtarët e korruptuar.
Një risi që pritet të zbatohet deri në fund të vitit është edhe adaptimi i një pikëshënuesi vlerësimi për votën e politikanëve dhe deputetëve mbi legjislacionin për çështje të biznesit.
“Ajo që ne propozojmë, janë kondicione në legjislacion për ta ngushtuar hapësirën e abuzimit në fondet publike, ku drejtësia të ketë një mundësi më të mirë për ta analizuar rastet që kanë të bëjnë me korrupsionin”, u shpreh ai.
Jaço theksoi se kërcënimi më i madh ekonomisë shqiptare i vjen nga korrupsioni, prandaj ai duhet adresuar. Duke folur mbi pikëshënuesin për deputetët, ai deklaroi se është një instrument kompleks që do të bazohet te votimet në Kuvend.
“Instrument që duam ta sjellim në Shqipëri, që vlerëson në mënyrë të vazhdueshme qëndrimin e politikanëve pro biznesit. Pikëshënuesi është një instrument pak kompleks, nuk përfshin vlerësimet njerëzore por në bazë të fakteve dhe shifrave. Ka të bëjë me votimet që deputetët bëjnë në legjislacionin, nëse është pro biznes ose jo. Është diçka shumë kompleks për tu ndërtuar. Unë e parashikoj që të jetë në fund të vitit”, tha Jaço.
Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë u pyet edhe mbi programin e taksës së sheshtë të propozuar nga PD dhe atë progresive që zbatohet nga qeveria. “Dhoma Amerikane e Tregtisë nuk favorizon asnjë parti politike, jemi neutral. Natyrshëm që bizneset mund të kenë një tendencë për taksa sa më të ulëta. Ajo është e rëndësishme për ne është një sistem i ndershëm, i barabartë për të gjithë, që inkurajon formalizimin e ekonomisë shqiptare. Ndryshimet e shpeshta në ligj nuk favorizojnë investimet e huaja”, tha ai.
Duke u ndalur te ndikimi i pandemisë te klima e biznesit Jaço tha se legjislacioni në Shqipëri nuk është përshtatur për të mbështetur E-Commerce, pra tregtinë digjitale.
“Por legjislacioni nuk është i përshtatur për të mbështetur tregtinë E-Commerce (tregtia dixhitale). Këtu gjej rastin për të thënë që ka një vëmendje më të lartë. Edhe në vitin 2021 duhet të përshtaten bizneset me një normalitet të ri. Do ishte naive të besojmë që sa të mbarojë pandemia do kthehemi në realitetin se si ka qenë përpara. Do jetë shumë e rëndësishme edhe mbështetja e sektorit shtetëror në lidhje me këtë përshtatje të re”, vijoi ai.