MENU
klinika

Zgjerohet harta e vendeve në BE që ndërpresin vaksinimin

Rama e përdori si garanci, Suedia pezullon “AstraZeneca”!

17.03.2021 - 08:28

Ndërsa pjesa dërrmuese e vendeve të Bashkimit Europian kanë bërë një pauzë, duke ndalur aplikimin e vaksinës “AstraZeneca”, Kryeministri Rama ka bërë të kundërtën duke kërkuar përshpejtimin e procesit.

Jo më larg se dje edhe Suedia, të cilën kreu i qeverisë e përdori si garanci, ka lajmëruar pezullimin e vaksinimit me “AstraZeneca”. Ndërkohë që të hënën, hartës së shteteve që ndalën procesin iu bashkuan edhe Gjermania, Franca dhe Italia. Masa për pezullim të përkohshëm është ndërmarrë deri në përfundim të hetimit të nisur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Europiane e Barnave. Së paku, ky është argumenti i përdorur nga vendet të cilat vendosën bllokimin e dozave të vaksinës “AstraZeneca”. Kjo ka sjellë edhe reagimin e kompanisë, e cila ka garantuar për monitorim të vazhdueshëm të sigurisë së vaksinës.

“Një rishikim i kujdesshëm i të gjitha të dhënave të disponueshme të sigurisë për më shumë se 17 milionë njerëz të vaksinuar në BE dhe Britani të Madhe me vaksinën kundër COVID-19, “AstraZeneca”, nuk ka treguar prova të një rreziku në rritje të embolisë pulmonare, trombozës së venave (DVT) ose trombocitopenisë, në të gjitha grupmoshat e përcaktuara, gjini, grup ose në ndonjë vend të veçantë”.

RAMA

Ndërkohë, në vendin tonë procesi vijon normalisht që prej së shtunës. Edhe në deklaratën e djeshme, Kryeministri la të kuptohet se nuk do të ketë asnjë ndalesë, për sa kohë një gjë e tillë nuk kërkohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë apo Agjencia Europiane e Barnave.

Në mbrëmje, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të mos pezullojë procesin e vaksinimit me “AstraZeneca”.

“Nuk kanë asnjë faj njerëzit që të shqetësohen nga lloj-lloj lajmesh, lloj–lloj lëvizjesh që mund të kenë 1000 arsye. Kjo është luftë e madhe për jetën, por është dhe luftë e madhe tregtare, nuk diskutohet. Polonia, Hungaria, Çekia, Sllovenia, Kroacia, Serbia, Kanadaja, Belgjika kishte konfirmuar sot prapë që do vazhdojnë, sepse nuk ka asnjë evidencë shkencore dhe nuk mund të ndalojmë vaksinimin thjesht për një dyshim që lidhet me një seri tjetër. Të gjithë, edhe pjesa që ka bërë pezullimin, presin konfirmimin e OBSH-së dhe të EMA-s. EMA është Agjencia Europiane e Barnave, që deri më tani ka konfirmuar vetëm vlerën dhe dobinë e vaksinës dhe nuk ka dhënë asnjë shenjë luhatje. Nëse do thonë ndaloni, do ta ndalojmë. Ajo që unë sot po flisja me Londrën, është që aty janë bërë miliona vaksina “AstraZeneca” e nuk ka fare asnjë shqetësim nga askush dhe Agjencia Britanike e ka rikonfirmuar dhe vazhdon vaksinimin”, tha Rama nga Durrësi, ku ndoqi vaksinimin e mësuesve dhe pedagogëve.

VAKSINIMI

Janë 41 shkolla në të gjithë vendin, të cilat janë kthyer në pika vaksinimi që prej ditës së shtunë. Vetëm dje mësohet të jenë kryer 2666 vaksinime antiCOVID, ndërsa nga fillimi i vaksinimit janë kryer 30,031 vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe arsimtarët.

Përgjatë këtyre tri ditëve, vuri në dukje shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino, nuk ka pasur efekte anësore të rënda, gjëra që janë të zakonshme me vaksinën. Doktoresha vijon të këmbëngulë se dërgesa e mbërritur në vendin tonë nuk është e njëjtë me serinë e bllokuar në vendet e Bashkimit Europian.

“OBSH-ja ka thënë që të gjitha partitë që janë shpërndarë në vende si tonat dhe vende të tjera janë një parti që nuk kanë të bëjnë fare me partinë, të cilat janë bllokuar dhe tërhequr, që ka pasur një dyshim”. Prej 11 janarit, kur u injektua edhe doza e para e deri më tani në vendin tonë kanë mbërritur mbi 80 mijë vaksina “Pfizer” dhe “AstraZeneca”. Përmes një akti normativ të depozituar së fundmi në Kuvend, qeveria i ka çelur rrugën edhe vaksinave kineze si edhe asaj ruse, edhe pse nuk janë të aprovuara nga Agjencia Europiane e Barnave.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Analiza e shefit të Kardiokirurgjisë, Prof.Edvin Prifti

“Inteligjenca virale” dhe të pathënat e vaksinave të Koronavirusit

“Shkollat do kthehen në pika vaksinimi”

Mbërrijnë 38.400 vaksinat e AstraZeneca, Rama i pret në aeroport