Mësuesit e parë, ishin: Pandeli Sotiri, Thanas Sina, Petro Nini Luarasi, Janko Minxha, Nuçi Naçi, Thanas Nona, Hafiz Ali Korça, Kristaq Vaja dhe Nikollaq Zografi.
Kur Pandeli Sotiri, mësues dhe drejtori i parë i Mësonjëtores, filloi mësimin në gjuhën shqipe, numëroheshin 35 nxënës. Ata do të mësonin shkrim e këndim, gramatikën e gjuhës shqipe, histori, gjeografi, aritmetikë, dituri natyrore dhe edukimin fizik.
Kështu e prej këtu, do të niste udha e shkronjave shqipe, larë me gjak në histori.
Restaurimi dhe muzealizimi i Mësonjëtores së Parë shqipe në Korçë, tanimë quajtur Muzeu i Arsimit, është pritur me reagime.
Ndriçimi modern, lyerja e parketit, heqja e bankave, tavolinat e reja në bibliotekë dhe ndërrimi i vendit të instalacionit të ABC-së, ka sjellë një varg kritikash, raportojnë mediet vizive.
Ish-drejtori Vladimir Toroveci, thekson se “Shkronjat, jepnin mesazhin historik”.
Niko Kotherja, pjesë e grupit të punës, argumenton ndryshimet duke u ndalur në risitë.
“Modernizimi, ka vend të racionaliziuar. Muzeu ka video dhe audio të rralla” – argumenton, Kotherja.
Pa u ndalur te muzealizimi si i tillë, pasi nuk ka qenë detyrë e tij, Kotherja, sa i takon heqjes së bankave, thotë se nuk ishin origjinale. Dhe se, i vetmi objekt origjinal, është marrë nga Korça më 1978 dhe nuk gjendet më.
“Objekti i fundit origjinal, ishte karrigia e drejtorit. Nuk ishin origjinale, rindërtuam një bankë”, – shton ai.
Ish-drejtori Toroveci, vëren se, muzeu, nuk ruan frymën.
“Konceptimi duhej në baza tradicionale. Ç’kuptim ka muzeu, me objekte te reja?”, – tha ai.
Nga 7 marsi i vitit 1887, kur u çel mësonjëtorja e deri sa u kthye ne muze, godina ka funksione të ndryshme: nga burg në xhandarmëri dhe ambient i formacionit muzikor të Bandës së Lirisë, ndërsa është rrënuar nga tërmeti i vitit 1931.
Shndërrimi i Mësonjëtores së Parë Shqipe, pas restaurimit, ka ngjallur debat mes specialistëve.
Ish-drejtori argumenton se, nuk është ruajtur fryma e kohës dhe se muzeu, nuk ka kuptim me objektet e reja. Ndërsa përballë tij, një prej anëtarëve të grupit të punës, thotë se godina nuk ruante asnjë objekt origjinal.