MENU
klinika

Rishikohen vendimet e kompensimit për 10 mijë pronarë

Çfarë ndryshimesh paraqet raporti i ATP?

29.03.2021 - 10:23

Mbi 10 mijë pronarëve në vend do t’u rishikohen vendimet e kompensimit të pronës. Në fillim të 2020 Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut i la si detyrë Agjencisë së Trajtimit të Pronave që, kompensimi i pronarëve të bëhet më shumë se 10% e vlerës totale bazuar në të dhënat e zërit kadastral. Kjo detyrë nuk është zbatuar dot gjatë 2020 për një pjesë të madhe të pronave dhe për këtë arsye është vendosur rishikimi i vendimeve në mënyrë që pronarët të përfitojnë më shumë, pra sipas vendimit për kompensim jo më pak se 10%.

Këtë lajm e ka bërë të ditur vetë Agjencia e Pronave përmes raportit vjetor të 2020 të publikuar në faqen e saj zyrtare. “GJEDNJ në 7 Maj të vitit 2020 la disa detyra: të sigurojë kompensimin e jo më pak se 10% të vlerës totale që do të kishin përfituar kërkuesit, nëse vlerësimi financiar do të ishte kryer, duke iu referuar zërit aktual kadastral të pasurisë së shpronësuar. Për këtë ATP bëri disa ndryshime si; vlerësimi financiar i vendimeve që preken nga ndryshimi i zërit kadastral në kohën e shpronësimit me zërin kadastral aktual. Nëpërmjet këtij ndryshimi brenda afatit 3 mujor të vitit 2021 do të kryhet përllogaritja e vlerës financiare me shtimin e saj me 10% të vlerës. Nga këto ndryshime do të preken afërsisht 10 120 subjekte që vlera fillestare e vlerësimit do të rishikohet me qëllim vetëm për të përfituar më tepër. Fatura parashikohet të jetë afërsisht 18.2 mld lekë”, thuhet në raport.

Ndërkohë, ndryshimi tjetër përcakton se, vendimet e kompensimit që do të ekzekutohen do të indeksohen me normën e interesit nga momenti i plotësimit të dokumentacionit deri në momentin e ekzekutimit. Në këtë kuadër çdo vendim përfundimtar do të rillogaritet duke i dhënë dhe indeksimin e normës së interesit nga momenti i plotësimit të dokumentacionit sipas formularit deri në momentin e ekzekutimit.

Arrihet kompensimi 100 për qind

Kompensimi 100 për qind financiar i vlerës së pronës, ishte një tjetër detyrë e dhënë nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut për ATP. Por edhe ky vendim ka nisur zbatim vetëm në muajt e parë të 2021, por që janë në pritje dhe do të marrin kompensim të plotë edhe 10 mijë pronarë të tjerë. Vendimi për këtë çështje sqaron se kompensim 100% në cash do të jepet për ato prona që vlera reale është mbi 1 milion lekë. Nga shqyrtimet e Agjencisë së Pronave pritet që në 2021 të përfitojnë 60% e pronarëve.

“Ndryshime të tjera sa i përket lehtësimit procedural dhe përfitimit financiar. Këtu përcaktojmë se brenda 2021 do arrihet kompensimi me 100% cash për vendime me vlerë financiare deri në 1.500.000 lekë. Si rezultat i këtyre ndryshimeve, bëhet e mundur që të aplikojnë dhe përfitojnë 10 085 subjekte, të cilët do të kompensohen financiarisht me vlerë financiare të plotë. Me këtë ndryshim do të kompensohen rreth 60% e vendimeve nga 18 730 që janë gjithsej”, sqaron Agjencia e Pronave.

Një tjetër ndryshim që pritet t’u japë zgjidhje shumë çështje pronash në 2021, është ai i heqjes e bashkimit të vendimeve ku pronarëve u njihej pronësia dhe e drejta për kompensim. Nga ky ndryshim pronarët do të përfitojnë vlerë më të lartë kompensimi dhe parashikohen mbi 3 mijë pronarë përfitues.

“Heqja e bashkimit të vendimeve që kanë njohur të drejtën për kompensim. Rezultojnë rreth 3 708 vendime ku një subjekt ka minimalisht dy vendime me të njëjtin emër ish pronari. Bashkimi i vendimeve për subjektet që kishin një vendim me vlerë pozitive dhe një vendim me vlerë të ezauruar (negative), i ndalonte subjektet të shprehnin interesin për të aplikuar, pasi iu ulej vlera financiare që duhet të përfitonin”, thuhet ndër të tjera në raport.

Sipas Agjencisë, këto përfitime do mund të arrihen përgjatë këtij viti sepse, në bashkëpunim me Ministrinë Drejtësisë dhe Avokatura e Shtetit u hartuan ndryshimet përkatëse në Vendimin nr. 223, datë 23.03.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, i cili u miratua me VKM.

7 tipologjitë që ka ndërtuar Agjencia e Inteligjencës Financiare

Nga pasuritë e paluajtshme te korrupsioni, si u pastruan paratë

Ministrja Koçiu jep lajmin për mjekët dhe infermierët

“Rihapen aplikimet për kredi të lehtësuara…”

Mbi 198 milionë dollarë humbje çdo vit

Si klima na godet ekonominë?