MENU
klinika

Gjyqtarja: Kërkoj kohë për…

Shkarkimi i Enkeleida Hoxhës, çfarë ndodhi dje në KLGJ?

05.03.2021 - 09:19

Ashtu siç ishte parashikuar, dje u zhvillua seanca për shqyrtimin e kërkesës së ILD-së, për shkarkimin e gjyqtares Enkeleida Hoxha, ku pas kërkesës së kësaj të fundit, kryetarja e KLGJ-së ka vendosur të shtyjë seancën për 11 mars në orën 10:00.

Gjyqtarja Hoxha u arrestua pasi akuzohet se është përfshirë në një skemë korruptive në Gjykatën e Krujës. Enkeleida Hoxha zbriti nga fugoni i Drejtorisë së Burgjeve e prangosur dhe me maskën antiCOVID, të cilën e mbajti gjatë gjithë seancës në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Gjatë kësaj seance, kryetarja Naureda Llagami u shpreh se KLGJ-ja vendos të mospranojë kërkesat e avokatit për thirrjen e dëshmitarëve dhe marrje provash pasi ajo që pretendohet të provohet me prova nuk ka lidhje me objektin e hetimit disiplinor.

“Vendimi është unanim”, u shpreh ajo. Ndërsa vetë gjyqtarja e arrestuar Enkeleida Hoxha, gjatë fjalës së saj, tha se i duhej kohë për të përgatitur parashtrimin.

“Kërkoj kohë që të përgatis parashtrimin tim mbi këtë procedim disiplinor”, u shpreh Hoxha, ndërsa avokati i saj, Ardian Visha tha se magjistratja kishte të drejtë. “Paragjykim i çështjes”, u shpreh Visha.

Nga ana tjetër, kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, është shprehur se nuk ka ndonjë arsye ligjore për shtyrje të seancës, pasi avokati i saj ka qenë prezent në çdo seancë duke bërë parashtresat dhe pretendimet në emër të klientes të tij, por për shkak të gjendjes në cilën ndodhet gjyqtarja është treguar mirëkuptues për kërkesën e saj.

“Nuk shoh realisht arsye ligjore për shtyrje, sepse avokati ka qenë prezent në çdo seancë dhe ka bërë parashtresën dhe ka paraqitur pretendimet në emër të klientes së tij. Por në kuadër të respektit të gjendjes në të cilën ndodhet magjistratja, tentoj të jem mirëkuptues ndaj kërkesës së saj dhe shprehem pozitivisht, por jo më shumë se disa ditë shtyrja”, tha Metani.

Duke respektuar të drejtën e magjistrates për t’u mbrojtur, seanca e radhës u caktua më 11 mars, në orën 10:00.

SEANCA E SHKURTIT

Seanca e 16 shkurtit në Këshillin e Lartë Gjyqësor u drejtua nga nënkryetari Maksim Qoku.

Qoku theksoi se magjistratja Enkeleida Hoxha duhet të saktësojë vullnetin për të qenë në seancë dhe sa i takon kërkesave të tjera, ato të diskutohet pas paraqitjes së mbrojtjes. Një ditë para se të zhvillohej seanca, gjyqtarja e pezulluar e Krujës, Hoxha, i nisi një letër me shkrim dore Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku sqaronte se do të përfaqësohej në seancë nga avokati i saj, Ardian Visha.

“Sot më datë 15.02.2021 u njoftova me shkrim përcjellë nga KLGJ-ja mbi pjesëmarrjen time në seancë të caktuar për t’u paraqitur në datë 16.02.2021 ora 11:00, ju informoj se e ndodhur para disa kushteve të krijuara ditët e fundit ju deklaroj se në atë seancë do të paraqitet avokati im Ardian Visha”, shkruan Enkeleida Hoxha në letrën e saj drejtuar KLGJ-së.

Avokati i Enkeleida Hoxhës, gjatë asaj seance kërkoi pezullim të procesit pasi sipas tij, magjistratja duhej të ishte në seancë dhe duhej kohë për mbledhjen e provave dhe për një propozim drejtuar ILD-së për marrëveshje. Nga ana tjetër, kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, nuk ra dakord me avokatin duke thënë se:

“Nuk jam dakord për shtyrjen. Procesi i rregullt ligjor përfshin edhe mbrojtjen nga avokati. Elementët e procesit të rregullt ligjor përmbushen me prezencën e avokatit. Sa i takon kohës që kërkohet për t’u njohur me faktet, dua të kujtoj se hetimi ndaj magjistrates ka nisur më 16 korrik 2020, pra prej asaj date ajo është njohur me dokumentet që ILD-ja kishte në dispozicion dhe ka pasur mundësi e kohë për mbrojtjen.

Gjyqtarja dhe avokati u lanë në burg edhe nga Gjykata e Apelit

Për gjyqtaren e Krujës, Enkeleida Hoxha, seanca e tri ditëve më parë në Apelin e Posaçëm nuk përfundoi ashtu sikurse edhe ishte parashikuar. Kolegët vendosën që gjyqtarja Hoxha duhet të qëndrojë në masë sigurimi “Arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve që kanë nisur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ashtu si gjyqtarja, në burg u la edhe partneri i saj, avokati Aldo Tabaku. Gjatë seancës, avokatët kanë kërkuar ndryshim të masës së sigurisë ndaj gjyqtares dhe avokatit Tabaku. Avokati që mbron interesat e gjyqtares në gjyq, argumentoi se masa ndaj saj duhet të jetë më e butë, kjo për shkak se është nënë e dy fëmijëve dhe kanë nevojë për përkujdesjen e saj. Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme i ka qëndruar së njëjtës kërkesë si në Shkallë të Parë, atë të vazhdimit të masave “Arrest me burg” për secilin të ndaluar.

Në saj të përgjimeve nga hetimet e SPAK-ut, gjykatësja Enkeleida Hoxha del se është përfshirë në një aferë korruputive bashkë me avokatin Aldo Tabaku dhe punonjës të tjerë të Gjykatës.

Një skemë e mirëfilltë kriminale në Gjykatën e Krujës për të liruar të burgosurit kundrejt miliona eurove. E kthyer në simbolin e gjyqtarëve që hapin dyert e burgut për të dënuarit e përjetshëm, Enkeleida Hoxha ra në rrjetat e SPAK-ut së bashku me nëntë persona të tjerë që në bashkëpunim me njëri-tjetrin po tentonin të hapnin dyert e qelive për një tjetër të dënuar në FushëKrujë.

SPAK zbuloi planin për lirimin e të dënuarit për 6 mijë euro

Gjyqtarja, eksperti mjekoligjor, avokati, kryesekretarja e Gjykatës dhe familjarët e të dënuarit Saimir Petani, u bënë bashkë me qëllimin për t’i zbutur atij dënimin. Duke shfrytëzuar afrimitetin me Enkeleida Hoxhën, avokati Aldo Tabaku sipas përgjimeve të SPAK-ut, dyshohet se ka ndikuar te gjyqtarja Hoxha, e cila nën këtë influencë i zbriti të dënuarit 6 muaj burgim, për shumën e 6 mijë eurove.

Falë hetimeve të këtij procedimi u bë e mundur të evidentohej një skemë e mirëfilltë kriminale, sipas së cilës persona të dënuar, të cilët vuanin dënimin në burgun e Fushë–Krujës, përfitonin ulje dënimi kundrejt dhënies së përfitimit të parregullt.

Të dënuarit kujdeseshin fillimisht që si mbrojtës të tyre të zgjidhnin avokatin Aldo Tabaku dhe ky i fundit falë marrëdhënies që kishte krijuar me gjyqtaren Enkeleida Hoxha, mundësonte që të dënuarit të përfitonin uljen e dënimit kundrejt shumave të parave të dhëna si përfitim i parregullt. Hetimi ka provuar se gjithë kjo bëhej kundrejt përfitimit të parregullt të shumave të konsiderueshme në euro, që shkonin nga 6 deri 12 mijë euro.

Në këtë skemë të kundërligjshme ishte përfshirë dhe sekretarja gjyqësore, Emanuela Mallkuçi, e cila në një rast ka siguruar kundrejt marrjes së përfitimit të parregullt që kërkesa e të dënuarit të kalonte për shqyrtim te gjyqtarja Enkeleida Hoxha.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga divorci, tek fëmija me një prokuror e lidhja “intime” me avokatin

Vetëshkatërrimi i një gjyqtareje që liroi nga burgu gjithë “të fortët”

Kërkesa që bindi treshen e Gjykatës për vendimin

Si u lirua nga burgu 15 ditë pas arrestimit kardiokirurgu Edvin Prifti