MENU
klinika

Mes kaosit dhe shpresës, si nisi vaksinimi masiv!

Të moshuarit, orë të tëra në radhë dhe pa kurrfarë distance sociale

29.03.2021 - 07:56

E diela e 28 marsit nuk ishte aspak e qetë. Me të dëgjuar lajmin për nisjen e vaksinimit masiv, dhjetëra të moshuar dolën nga shtëpitë për të injektuar lëngun e jetës, disa në sheshin “Skënderbej” e të tjerë në qendrat shëndetësore.

Për t’u imunizuar nga COVID-19, dhjetëra syresh u përballën me potencialin e infektimit, duke pritur bashkë me një familjar shoqërues, për më shumë se një orë në radhë. Me shpresën se do t’i jepet fund pandemisë, moshat e treta u renditën si dikur në pritje se kur do t’u thirrej emri. Përpos kësaj panorame, ata ndjehen entuziastë dhe të sigurt, pavarësisht llojit të vaksinës që po u injektohet. “E kam pritur me padurim vaksinimin, megjithëse jo atë kineze. Por jemi bindur që duhet bërë”. Dy çadra me nga dhjetë pika vaksinimi secila zbardhën dje sheshin “Skënderbej” e do të vijojnë të qëndrojnë aty. Bashkë me ato në stadiumin “Air Albania”, këto janë dy qendrat më të mëdha në Tiranë për vaksinimin, përveç atyre në qendrat shëndetësore. Për mbarëvajtjen e procesit, në qendër u angazhuan mjekë e infermierë, edhe nga forcat e armatosura. Më shumë se sa injektimi, më tepër kohë është shpenzuar për leximin e formularit disafaqësh me të dhënat mjekësore dhe efektet anësore.

Pak metra larg sheshit ku kryheshin injektimet nën syrin e medias dhe Kryeministrit, në qendrat shëndetësore, situata shfaqet edhe më kaotike. Ndryshimi i orës dhe mosorganizimi i duhur nga ana e stafit ka shkaktuar një kaos të vërtetë, veçanërisht në orët e para të paradites. Për të mos humbur ditën e paracaktuar për vaksinim, të moshuar mbi 80 vjeç kanë rezistuar përtej orës së thirrur, e përtej lodhjes, shpesh edhe duke rrezikuar. “Normalisht, ky nuk është vend për t’u vaksinuar. Ne po e marrim më shumë virusin këtu. Vijnë e futen pa radhë. Jam 87 vjeçe dhe po pres”, shprehet një e moshuar në Qendrën Shëndetësore Nr.3 në kryeqytet, teksa ankohet se aty nuk ka rregull dhe nuk po respektohet distanca.

E njëjta panoramë ishte dje edhe në rrethe. Pasi u furnizuan dy ditë më parë me dozat e “Coronavax”, në disa qytete të mëdha të vendit nisi injektimi për të moshuarit mbi 80 vjeç. Ata ishin zgjuar herët për të kapur orarin e paracaktuar nga mjeku i familjes dhe ndenjën në radhë, në pritje të thirrjes së emrit duke u shprehur me entuziazëm se “ia hodhën”. “Nuk e ndjemë fare gjilpërën. Jemi shumë të kënaqur që na erdhi radha më në fund”. 19 qendra vaksinimi në qendër të qytetit të Korçës e deri te zonat më të largëta janë hapur e ngjashëm edhe në të tjera në vend që nga kjo e hënë hapin dyert për atë që autoritetet e quajnë vaksinim masiv.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Të moshuarit, frikë nga virusi jo vaksina kineze

“Sinovac” mbërrin në Fier Vlorë, dhe Durrës