MENU
klinika

Takimi i Enverit dhe Hysni Kapos me Paçramin në 1973

“Ty Fadil, të kanë kritikuar edhe shoku Hysni e Ramiz, por ti je…”

27.03.2021 - 10:05

Publikohet dokumenti arkivor i nxjerrë nga Arkivi Qëndror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), që i përket 30 marsit të vitit 1973, ku ndodhet process-verbali i takimit të Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos, me Fadil Paçramin, që asokohe ishte në funksionin e sekretarit të Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës (që mbulonte artin, kulturën dhe propagandën), takim i cili bëhej me kërkesën e vetë Paçramit, pas akuzave të ashpra që kishte hedhur ndaj tij ‘udhëheqësi kryesor i Partisë’, në fjalën e mbajtur më 15 dhe 16 mars të atij viti në aparatin e Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku ai për herë të parë kritikoi Festivalin e 11 të Këngës në Radio – Televizion, duke hedhur akuza të rënda ndaj Todi Lubonjës dhe Fadil Paçramit, si: “fajtorët dhe përgjegjësit kryesorë, që me veprimet e tyre kishin lejuar dhe përhapur një fryme liberale në art e kulturë”!

“Le të flasim hapur, ti, Fadil, ke vënë në institucione të ndryshme kulturore të kryeqytetit një sërë kuadrosh, të cilët mbajnë qëndrime përbuzëse dhe mospërfillëse ndaj rregullave e disiplinës së Partisë, ndaj forumeve dhe autoritetit të saj. Unë flas mbi bazën e të dhënave të nxjerra nga ato që ke thënë vetë, ti i ke marrë në mbrojtje këta njerëz. Nuk je ti që u ke thënë shokëve të Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës: “Çfarë doni ju që shkoni për kontroll në Kinostudio ose në Teatrin e Operës dhe të Baletit? Përse përziheni ju në këto çështje”?! Ti the se këto nuk janë vijë në punën tënde, por pika-pika bëhet vija. Pikërisht këto qëndrime që mban ti, paraqesin rrezikshmëri. Në qoftë se ti i rrumbullakos kështu çështjet, në qoftë se nuk i shpjegon drejt e sinqerisht ato, por flet me ton akademik edhe para meje, që Partia më ka ngarkuar me detyrën e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të saj, sigurisht e ke të vështirë të korrigjohesh. Ti e heq veten teoricien dhe mendon se mund të flasësh teorikisht, po mos i rrumbullakos gjërat. Më kanë thënë, gjithashtu, se ti në një mbledhje paske hedhur idera “të mëdha”, në të cilat bie në sy një lëmsh i madh ideologjik”. Kështu i’u drejtua mes të tjerash Enver Hoxha sekretarit të Komitetit të Partisë së Tiranës, Fadil Paçrami, gjatë një takimi me të në datën 30 mars të vitit 1973, ku ishte prezent dhe sekretari I Komitetit Qëndror të PPSH-së Hysni Kapo, (që në rrugë partie mbulonte organet e ‘Diktaturës së Proletariatit’), takim i cili ishte kërkuar nga vetë Paçrami, pas fjalës së Enver Hoxhës mbajtur në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor në datën 7 janar të atij viti, vetëm pak ditë pas Festivalit të 11 të Këngës në Radio-Televizion si dhe fjalës së mbajtur më 15 dhe 16 mars të po atij viti në mbledhjen e aparatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, (me temë: “Lufta ndaj qëndrimeve liberale në art e kulturë dhe ndikimi i tyre në jetën e vëndit”), ku Enver Hoxha për herë të parë kritikoi Festivalin e 11 -të dhe hodhi akuza të ashpra ndaj Fadil Paçramit e Todi Lubonjës, duke i bërë ata fajtorë dhe përgjegjës kryesorë për atë festival, etj. Lidhur me këto e të tjera, na njeh ky dokument arkivor ku ndodhet proces-verbali i takimit të Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos me Fadil Paçramin të mbajtur më datën 30 mars të vitit 1973, të cilin Memorie.al e publikon të plotë dhe për herë të parë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Proçes-verbali i bisedës së Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos me Fadil Paçramin në 30 mars 1973

SHOKU ENVER HOXHA: Si je?
FADIL PAÇRAMI: Mirë, shoku Enver. Unë erdha të bisedoj me ju, lidhur me diskutimin që bëtë në mbledhjen e organizatës-bazë të aparatit të Komitetit Qendror të Partisë.

 

 

SHOKU ENVER HOXHA: Duhet të kishe ardhur më parë të diskutonim për këto çështje dhe jo tani, pasi fola unë. Me sa duket, ti nuk ke ardhur më përpara, se nuk e ke ndier nevojën e konsultimit. Arsyen përse nuk e ke ndier këtë nevojë të takon ty ta thuash sinqerisht. Kurse, pas kritikës që të bëra në mbledhjen e komunistëve të aparatit të Komitetit Qendror të Partisë, ti nxitove të kërkoje takim menjëherë me mua, megjithatë unë nuk të prita shpejt, me qëllim që të kishe kohë të mjaftueshme për t’u thelluar në kritikën time dhe në gabimet e tua, për të cilat duhet t’u hapje zemrën Partisë dhe shokëve që të njohin. Unë i njoh gabimet e tua dhe shpresoj se tani ti do të kesh reflektuar më shumë rreth tyre.

FADIL PAÇRAMI: Megjithëse ndoshta me vonesë, mendoj se edhe tani mund të flasim. Unë kam nevojë edhe për këshilla. Kritika që më bëtë ju ishte e hapët, e fortë dhe e rëndë për mua. Pas fjalës suaj ndiej njëfarë presioni, se çfarë do të bëj unë tani? Unë pranoj hapur se kam rënë në gabimin e theksimit të rrezikut të konservatorizmit. Jam nisur gjithnjë nga pozitat antiobskurantiste dhe antiklerikaliste.

SHOKU ENVER HOXHA: Unë nuk kam parë në shtyp ndonjë artikull tëndin ku të trajtohej ndonjë problem me rëndësi që ngrinte Partia kundër fesë dhe traditave fetare.

FADIL PAÇRAMI: Për këto probleme kam bërë fjalë në raporte.

SHOKU ENVER HOXHA: Unë nuk kam pasur mundësi t’i lexoj të tëra raportet e tua. Meqë pretendove se në pikëpamjet kundër konservatorizmit të paska udhëhequr antiobskurantizmi dhe antiklerikalizmi, po të pyes: Ke shkruar ndonjë artikull kundër fesë dhe paragjykimeve fetare që komunistët dhe populli i Tiranës ta merrnin në dorë si direktivë të trajtuar në bazë të dokumenteve të Partisë?

FADIL PAÇRAMI: Jo, artikuj nuk kam shkruar, por që nga fillimi unë kam mbajtur një qëndrim antiobskurantist dhe antiklerikal.

SHOKU ENVER HOXHA: Unë e kuptoj se jo vetëm ti, po të tërë anëtarët e Partisë janë angazhuar me luftën kundër klerikalizmit dhe obskurantizmit, por duke luftuar kundër këtyre dy rrymave të ideologjisë reaksionare, ata nuk kanë rënë as në konservatorizëm, as në liberalizëm, përkundrazi në praktikë kanë mbajtur kurdoherë qëndrim të drejtë. Kur një njeri rrëshqet ose devijon në një drejtim, sepse i kushton tërë vëmendjen një drejtimi tjetër, atëherë në këtë drejtim të fundit, në rastin tënd konkret në luftën kundër obskurantizmit dhe klerikalizmit që përmende ti, ai duhet të dallohet në mënyrë të veçantë. Mirëpo unë nuk kam parë tek ti një qëndrim të veçantë kundër fesë. Asnjë anëtar partie dhe asnjeri tjetër në vendin tonë nuk ka mbetur pa folur kundër fesë dhe institucioneve fetare. Pastaj në personin tënd, aktualisht ne nuk e shikojmë shkarjen në gabime si pasojë të pikëpamjeve të tua antiklerikale. Të jesh ateist dhe të mbash qëndrim liberal, kjo nuk shkon, shpjegimi yt paraqet një kontradiktë të madhe.

FADIL PAÇRAMI: Pikëpamje të tilla antiklerikale i kam pasur që kur isha në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës, bile edhe atje tekstet i vendosa mbi këtë bazë.

SHOKU ENVER HOXHA: Më fal që të pres fjalën, por këtu duhet të flasësh si duhet. Nuk i vendose ti tekstet shkollore, ato nuk janë veprat e tua, por të shumë autorëve, që kanë derdhur djersë mbi to. Ti nuk e ke marrë mundimin ndonjëherë që të vish tek unë për t’u konsultuar për luftën kundër klerikalizmit. Pastaj, veprimtarinë tënde, siç kam dëgjuar, e ke përdorur si mjet për t’u hedhur kundër disa shkrimtarëve si, bie fjala, Llazar Siliqit, i cili nuk është klerikal. Më kanë raportuar që ti ke thënë për Llazarin, se ai është klerikal. Këto njoftime që më kanë ardhur janë të sakta. Më duket si zor që ti të kesh arritur me të vërtetë në konkluzionin se lufta kundër klerikalizmit dhe konservatorizmit të paska shtyrë të biesh në liberalizëm! Ti e di fare mirë se ke bërë një luftë në stil të gjerë kundër një morie kuadrosh për motive personale. Kjo ka dalë e vërtetuar në të gjitha organizatat-bazë të Partisë. Në kuadrin e luftës kundër klerikalizmit, i paske bërë ti këto veprime, që janë në kundërshtim me detyrën tënde si sekretar i komitetit të Partisë? Këto veprime kanë rëndësi për gjithë Partinë, por dhe për ty personalisht se je komunist.

FADIL PAÇRAMI: Unë them se vazhdimisht kam qëndruar në pozitat e luftës kundër obskurantizmit.

SHOKU ENVER HOXHA: Atëherë çfarë kërkon ti nga unë?

FADIL PAÇRAMI: Unë erdha t’jua shpjegoj këto gjëra, se ndiej nevojën për të shprehur ato që kam, si dhe për të marrë ndonjë këshillë nga ana juaj.

SHOKU ENVER HOXHA: Dakord. Këshilla ime e parë është që gabimet e tua të ndreqen absolutisht nga ana jote. Partia kërkon nga ti që të thellohesh shumë në gabimet që ke bërë. Kjo mënyrë arsyetimi, me këtë përmbajtje të bisedës që bëre këtu, sipas mendimit tim, nuk të ndihmon për t’u thelluar në shkaqet e gabimeve të tua. Forma dhe sidomos përmbajtja e këtyre fjalëve që dëgjuam, të pengojnë seriozisht për të shikuar fundin e vërtetë të gabimeve. Unë personalisht, si dhe të tërë shokët, mendoj që këto çështje duhet të shtrohen medoemos në Plenumin e Komitetit Qendror të Partisë. Unë do të dëshiroja që analiza e këtyre të metave, gabimeve e shtrembërimeve t’i shërbejë, para së gjithash, spastrimit të ndërgjegjes. Kjo punë e domosdoshme do të bëhet me sukses jo duke gjetur “arsye” për të fshehur të metat dhe gabimet, ose për t’i zvogëluar ato, po përkundrazi, duke zbuluar burimet dhe shkaqet e vërteta të shfaqjeve të tyre. Unë kujtoj se nuk është mirë që pikëpamjet e tua të dëmshme të kalohen lehtë, ashtu si i paraqet ti këtu. Duke vënë në dukje punën që ke bërë, në një kohë kur kritikohesh për gabime në punën e Partisë, duket qartë prirja për mbrojtje me argumente pa vend dhe për zvogëlim të gabimeve. Qëllon që një njeri të ketë një të kaluar të mirë, por në një moment të caktuar me veprimet që bën, gabon vetë, çakërdis edhe shokët.

Nuk përjashtohet që në punë e sipër shokët edhe mund të gabojnë, por në qoftë se dëshirojnë të ndreqen, ata duhet të thellohen në gabimet që t’i ndihmojë Partia, t’u japë dorën, kurse mënyra me të cilën e paraqit çështjen ti, nuk të jep mundësi të thellohesh në gabimet që ke kryer. Siç thanë të tërë shokët në plenumin e Komitetit të Partisë të Rrethit të Tiranës dhe në organizatat-bazë të Partisë, është e pamohueshme që ti ke bërë një politikë personale, sidomos në lidhje me kuadrot e kulturës. Po të arsyetosh në mënyrë të përgjithshme dhe pa i analizuar problemet konkretisht, nuk mund të gjesh forca për ta nxjerrë veten nga fajet e rënda. Këto mendime që ke, nuk të lejojnë të shikosh rrezikshmërinë e qëndrimit që mban dhe të devijimit nga rruga e Partisë. Ti duhet t’i kuptosh mirë këto çështje, se nuk je kuadër i ri. Pse nuk i ke zbatuar rregullat, vendimet, disiplinën dhe politikën e Partisë për kuadrin? Ti i njeh të gjitha këto rregulla të vendosura prej kohësh, por i ke shkelur për të përkrahur elementë jo të shëndoshë. Mund të mbrohet një njeri që gabon për herë të parë, që ka një biografi të mirë, që është gjer në fund besnik i atdheut dhe i Partisë, por jo të përkrahet cilido edhe kur ai nuk e meriton përkrahjen. Nuk është aspak në frymën e Partisë sonë qëndrimi yt, që merr nëpër këmbë atë, i cili nuk vepron sipas dëshirës sate. Në qoftë se ti i shikon thellë dhe me sy kritik këto qëndrime, atëherë duhet t’i dënosh. Në rast se ti nuk mban qëndrim ndaj këtyre gabimeve, atëherë do të shtrëngohemi ne të marrim masa për të përmirësuar punën.

Le të flasim hapur, ti, Fadil, ke vënë në institucione të ndryshme kulturore të kryeqytetit një sërë kuadrosh, të cilët mbajnë qëndrime përbuzëse dhe mospërfillëse ndaj rregullave e disiplinës së Partisë, ndaj forumeve dhe autoritetit të saj. Unë flas mbi bazën e të dhënave të nxjerra nga ato që ke thënë vetë, ti i ke marrë në mbrojtje këta njerëz. Nuk je ti që u ke thënë shokëve të Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës: “Çfarë doni ju që shkoni për kontroll në Kinostudio ose në Teatrin e Operës dhe të Baletit? Përse përziheni ju në këto çështje”?! Ti the se këto nuk janë vijë në punën tënde, por pika-pika bëhet vija. Pikërisht këto qëndrime që mban ti, paraqesin rrezikshmëri. Në qoftë se ti i rrumbullakos kështu çështjet, në qoftë se nuk i shpjegon drejt e sinqerisht ato, por flet me ton akademik edhe para meje, që Partia më ka ngarkuar me detyrën e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të saj, sigurisht e ke të vështirë të korrigjohesh. Ti e heq veten teoricien dhe mendon se mund të flasësh teorikisht, po mos i rrumbullakos gjërat. Më kanë thënë, gjithashtu, se ti në një mbledhje paske hedhur idera “të mëdha”, në të cilat bie në sy një lëmsh i madh ideologjik. Mua nuk më ke thënë asgjë që të kisha mundësi të gjykoja nëse pikëpamjet dhe mendimet e tua ishin të drejta apo të shtrembra. Nga sa po shoh, ti paske ardhur sot tek unë për të më mbushur mendjen se gjoja liberalizmi yt qenka i rastit. Këtë gjykim tëndin nuk mund ta pranojmë. As liberalizmi, as konservatorizmi nuk lindin bashkë me njeriun, por si njëri dhe tjetri, formohen dalngadalë, në fillim si koncepte, si mënyra të menduari, pastaj shfaqen në veprimtarinë praktike. Gjer tani akoma nuk më ke thënë pikëpamjen tënde për të gjitha gabimet që ke bërë.

Unë nuk kërkoj t’i thuash tash, por mendoj që ti duhet të bësh autokritikë me shkrim, ku të tregosh se cilat janë konceptet e tua liberale dhe cilët faktorë kanë ndikuar në formimin e tyre. Kur thua se në veprat e tua nuk paska as gabime liberale, as konservatore, unë nuk e marr vesh se ku qëndrojnë atëherë këto gabime në këtë fushë. Ndryshe nga sa thua ti, unë kam mendimin se gabimet që ke bërë nuk janë vetëm incidente të shkëputura në praktikën e punës sate, përkundrazi ato kanë një vazhdimësi. Ty të ka thirrur me dhjetëra herë shoku Ramiz Alia, që mendon jashtëzakonisht drejt për këto çështje. Edhe shoku Hysni të ka udhëzuar shumë mirë, kurse ti, duke i lënë mënjanë udhëzimet e shokëve të tjerë, përmend vetëm kritikën që të kam bërë unë. Me sa duket, të gjitha kritikat që të kanë bërë ty shokët e tjerë, si shoku Ramiz, shoku Hysni e shoku Manush, të kanë hyrë nga njëri vesh e të kanë dalë nga tjetri. Ti mund ta mohosh, por ka shumë të tjerë që provojnë se ti ke thënë: “U mbushëm me burokratë” dhe, kur të është thënë se do të vijnë aty shokë nga Komiteti Qendror, ti përsëri ke thënë: — “Edhe ata janë burokratë”! Këto çështje duhej të të shtroheshin në mbledhje të organizatës-bazë të Partisë, por meqë nuk t’u shtruan atje, do të diskutohen në mbledhjen e Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë. Ti mund ta mohosh që ke thënë: “Përse të shkoj në Komitetin Qendror? Po të jetë nevoja, le të më thërresë vetë shoku Hysni Kapo, se edhe unë kam personalitetin tim”! Por mos harro se personaliteti yt, nuk është në një nivel me personalitetin e shokut Hysni ose të shokut Ramiz. Kur komunistët shkojnë në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë, qoftë kur i thërresin, apo me iniciativën e tyre, ata paraqiten si shokë, pa menduar se ai person që do t’i presë është më shumë apo më pak personalitet. Këtë çështje nuk e shtroj të shkëputur nga shfaqjet e tjera që janë dukur e duken tek ti. Por le të kthehemi përsëri te çështja kryesore, te pikëpamjet e tua liberale, që nuk kufizohen vetëm në mbrojtjen e elementëve liberalë të institucioneve të ndryshme, por pjesë-pjesë, që përbëjnë një të tërë, kalojnë edhe në sfera të tjera. Ti ke arritur të thuash para gjithë kolektivit: “Unë nuk kam përgjegjësi për festivalin”! Ç’është ky qëndrim i çuditshëm dhe i palejueshëm që mban ti?

FADIL PAÇRAMI: Unë kam thënë që nuk kam përgjegjësi të drejtpërdrejtë.
SHOKU ENVER HOXHA: Jo, ke deklaruar pikërisht se nuk ke përgjegjësi për organizimin e dobët të Festivalit të këngës në Radio-Televizion, duke arsyetuar se Radio-Televizioni varet nga sektori i propagandës të Komitetit Qendror të Partisë. Me këto shprehje ti ke atakuar Komitetin Qendror të Partisë, prandaj Partia nuk mund të të lejojë të veprosh në këtë mënyrë. Partia do të arrijë në ato konkluzione që na shpien faktet, na shpie e vërteta. Në qoftë se ti nuk e pranon të vërtetën, duke u nisur nga parimi që të mohosh gjithçka, ky nuk mund të jetë një qëndrim komunist. Në qoftë se flet me gjuhën e fakteve dhe të provave, ky është qëndrim i ndershëm prej komunisti. Ti po bisedon këtu sikur ne jemi “tabula rasa” për sa i përket njohjes së pikëpamjeve dhe të veprimtarisë tënde liberale dhe oportuniste. Udhëheqja nuk mund të jetë dakord me ty kur e paraqet çështjen sikur vetëm ti paske të drejtë, kurse të tjerët nuk tregokan të vërtetën. Ti ke ndërhyrë për gjithçka, duke mënjanuar të tjerët, të cilëve u takonte të merreshin me disa probleme. Ti ke arritur gjer atje sa të fyesh aktorët e Teatrit Popullor, duke thënë se ata duheshin larguar që andej se “interpretojnë si në Teatrin e Bogdanit”! Aktorët e teatrit janë ankuar për këtë fyerje që u ke bërë.

FADIL PAÇRAMI: Unë këtë e kam pranuar se kam gabuar.

SHOKU ENVER HOXHA: Të pranosh në përgjithësi se ke gabuar, kjo është njëra anë e çështjes, por të zbulosh shkaqet e gabimeve që ke bërë, kjo ka shumë rëndësi për ty si komunist. Të thellohesh përse ke gabuar në marrëdhëniet e tua jo me një e dy, por me shumë persona. Përse kanë ndodhur këto gabime në marrëdhëniet e tua me të gjithë? A mund të mos mendojë Partia se këto qëndrime shprehin jo një rast, por një vijë të ndërtuar nga ti në punën me njerëzit? Shoku Jordan Pani të tha në mbledhjen e plenumit se, kur ai kishte thirrur Koço Vasilin, për t’i bërë disa vërejtje lidhur me punën e tij në Teatrin e Operës dhe të Baletit, ti, me qëllim që ta mbroje, kishe shkuar te shoku Jordan si shoqërues i Koços! Të gjitha këto, që po të përmend unë, dalin nga process-verbalet e mbledhjeve. Nuk shtrohet çështja për të ngarkuar ty fajet që ka bërë Koço Vasili, se ai i mban vetë përgjegjësitë e tij, por ne po të vëmë në dukje ato fakte që vërtetojnë se ti ke qenë liberal. Ne nuk po dëgjojmë nga ti se në ç’drejtime e kupton liberalizmin tënd dhe si e gjykon ideologjikisht këtë çështje. Unë jam i detyruar të të përmend disa shfaqje në veprimet e tua konkrete që të të ndihmoj të kuptosh se ka je treguar liberal.

FADIL PAÇRAMI: Jam treguar liberal në konceptet për krijimtarinë artistike dhe në poezi ku vihen re hermetizëm dhe paqartësi ideore. Ka ndodhur që krijuesit tanë kanë hedhur mendime të errëta dhe të papërcaktuara, kurse unë nuk kam reaguar, duke menduar se ata ishin të rinj dhe kishin kohë të piqeshin nga ana ideoartistike. Për këto të meta u kam thënë edhe shokëve, por as ata nuk kanë reaguar plotësisht.

SHOKU ENVER HOXHA: Mos i hidh ujë verës! Mos kërko të mbytësh të tjerët, se, edhe sikur të duash ti, nuk të lë Partia. Ka njerëz që, për të larë veten, mundohen të mbytin të tjerët, por edhe nga kjo anë Partia jonë i ka sytë hapur. Prandaj ti, fol më parë për veten tënde.

FADIL PAÇRAMI: Unë, në veprat që kam krijuar, nuk prirem nga koncepte liberale.

SHOKU ENVER HOXHA: Të këshilloj të jesh modest. Shpeshherë, gjatë bisedës na i theksove ato pesë dramat që ke bërë, duke përsëritur shprehjen: “Veprat e mia”, por nuk na the asnjë fjalë nëse kjo veprimtaria jote ka krijuar klane dhe vështirësi në Teatrin Popullor. Pse nuk flet për këto grupe që janë krijuar, apo edhe për këto janë gojët e liga që flasin kundër teje? Nuk të kanë pëlqyer edhe veprat e shkrimtarëve të tjerë?

FADIL PAÇRAMI: Edhe krijuesit e tjerë kanë pasur rreth vetes njerëzit e tyre simpatizues.

SHOKU ENVER HOXHA: Pse, duke theksuar rëndësinë dhe seriozitetin e unitetit, ke deklaruar në mbledhje që nuk është e drejtë të thuhet se janë krijuar klane, kur tani vetë po thua që edhe shkrimtarët e tjerë kanë pasur rreth vetes simpatizuesit e tyre. Këto grupime s’janë gjë tjetër, veçse klane, sepse si mund të shpjegohet që dramat e tua vihen në skenë më përpara se ato të shkrimtarëve të tjerë? Unë po bëj përpjekje që ti t’i kapërcesh këto qëndrime, prandaj të thashë që në fillim se baza e veprimeve të tua shikohet në qëndrimin konkret. Ti nuk i ke analizuar me frymë të shëndoshë gabimet që ke bërë, sepse i ke vlerësuar si jo të shëndosha kritikat që të janë adresuar. Në një mbledhje shumë serioze ku mori pjesë shoku Ramiz, ai të dha mundësinë për të bërë autokritikë, kurse ti ke folur atje në mënyrë lakonike për unitetin dhe nuk i ke shpjeguar gabimet e kryera gjatë veprimeve të tua konkrete. /Memorie.al/