Aktorja franceze zgjedh të protestojë krejtësisht nudo, mbrëmjen e çmimeve “César Awards”. Kjo, si shenjë proteste ndaj qeverisë, për më shumë mbështetje aktiviteteve kulturore gjatë situatës pandemike.
Corinne Masiero, 57-vjeçarje, mbante nën kostumin e gomarit, fustanin me njolla gjaku, para se të zhvishej në skenën e mbrëmjes simotër të çmimeve “Oscar” për Francën, ato “César Awards”.
Prej më shumë se tre muajsh, kinematë janë mbyllur në Francë. Masiero ishte e ftuar në ceremoninë e të premtes, që mbahej me distancë për të prezantuar çmimin e kostumeve më të mira.
Aktorja u zhvesh në skenë, me mesazhin “Pa kulturë, pa të ardhme”, të shkruar në trup.
Dhe duke iu drejtuar drejtpërdrejt, kryeministrit francez Jean Castex, ajo kishte parullën tjetër mbi shpinë, ku lexohej: “Na ktheni artin, Zhan”.
Aktorë dhe regjisorë të tjerë, bënë kërkesa të ngjashme gjatë shfaqjes, duke thënë se fëmijët mund të shkojnë në dyqanet “Zara”, por jo në kinema dhe kjo ishte e pakuptimtë.
Dhjetorin e kaluar, qindra aktorë, regjisorë teatri, muzikantë dhe kritikë, si dhe shumë përfaqësues të kulturës në Francë, protestuan në Paris dhe të tjera qytete, kundër mbylljes nga ana e qeverisë, të vendeve kushtuar aktiviteteve kulturore.