“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: A mund të jetë pagjumësia shenjë paralajmëruese për ndonjë problem shëndetësor?
Mjeku: Po, ndonjëherë pagjumësia mund të jetë shenjë paralajmëruese për sëmundje që kanë lidhje me shëndetin mendor. Nëse një person vjen dhe ankon pagjumësinë, por nuk është kjo e vetmja ankesë e tij, atëherë detyra e mjekut psikiatër është të zbulojë se çfarë fshihet pas këtij çrregullimi.
Shpeshherë çrregullimet e gjumit mund të jenë sinjal alarmi për fillimin e një gjendje anksioze, paralajmëruese të ndonjë çrregullimi madhor të humorit siç është gjendja maniakale, apo çrregullim depresiv, duke vazhduar më tej me sëmundje të rënda të cilat pagjumësia i shoqëron gjithmonë kur flitet për çrregullime të mendimit, çrregullime psikotike, skizofreninë etj.
A i vlerësojnë pacientët sa duhet çrregullimet e pagjumësisë?
Në fakt, ankesa për pagjumësinë, unë do të thoja që vjen në vendin e parë përsa i përket ankesave që bëhen pa komplekse në shëndetin mendor. Pacientët kanë më tepër barriera të vijnë dhe të tregojnë për gjendjen emocionale, për ankthet, për ndryshimet e humorit etj, sesa të trokasin në derë për të treguar që nuk bëjnë një gjumë të mirë.
Për ne kjo është një gjë shumë e mirë, sepse nëpërmjet pagjumësisë ne mund të zbulojmë edhe problematika të tjera për të cilat personi ka shumë më tepër vështirësi për t’i treguar. Pra, duke qenë se është një ankesë që nuk ka problem të shfaqet, bën statistikisht të zë një vend goxha të konsiderueshëm në tabelën e ankesave që kanë më tepër prurje në shëndetin mendor.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.