Nga “Feja e terrorit” përmes “Fesë të moralit” drejt “Fesë kozmike”. Cilat janë nevojat dhe ndjenjat që e kanë çuar Njeriun te besimi fetar?
– Te Njeriu primitiv, në vend të parë është frika: frika nga uria, nga bishat e egra, nga sëmundjet, nga vdekja. Në këtë gjendje inferiore ndaj mjedisit të vet, shpirti i njeriut imagjinon qenie pak a shumë të ngjashme me veten, nga vullneti dhe veprimi i të cilave ai mund të ndëshkohet apo shpërblehet. Prandaj ai u lutet atyre t’a ndihmojne dhe u blaton flijime dhe dhurata për t’i bërrë dashamirëse.
Në këtë kuptim, une e quaj këtë fe – “Feja e Terrorit”: e cila, në mos është krijuar, të paktën është forcuar dhe bërrë e qëndrueshme prej një kaste priftërinjsh që thotë se janë ndërmjetësit mes këtyre qenieve të frikëshme dhe popullit. Mbi këtë privilegj kjo kastë e bazon pozicionin e vet dominues dhe shpesh mbreti ose kreu i shtetit, bashkon në sovranitetin e tij funksionet pushtetore me ato priftërorë, për t’i dhënë sa më shumë vendosmëri dhe forcë regjimit ekzistues.
– Ka edhe një tjetër origjinë të organizimit fetar – ndjenjat shoqërore.
Babai dhe Nëna, krerë të komuniteteve të mëdhenj njerëzorë, janë të vdekshëm dhe të gabueshëm. Aspirata për dashuri, për mbështetje, për udhërrëfyes prodhon idenë hyjnore, sociale dhe morale.
Eshtë Zoti-Hyj që mbron, vepron, shpërblen dhe ndëshkon. Eshtë ai Zot që, sipas horizontit të njeriut, dashuron dhe inkurajon jetën e fisit, njerëzimit dhe jetën vetë; është ai Zot ngushëllues në fatkeqësitë dhe shpresat e zhgënjyera, mbrojtës i shpirtërave të të përtejmes.
E tillë është ideja për Zotin, e parë në aspektin moral dhe shoqëror. Në Shkrimet e Shenjta të popullit hebre mund të ndiqet fare mirë evolucioni i idesë nga “feja e terrorit” në “fenë e moralit”, që më pas vazhdon në Testamentin e Ri.
Fetë e të gjithë popujve civilë dhe veçanërisht edhe te popujve orientalë, janë në thelb fe morale. Kalimi nga “feja e terrorit” në “fenë e moralit” përbën një progres të rëndësishëm në jetën e popujve.
Megjithatë, të gjithë këto fe kanë një pikë të përbashkët: karakterin antropomorf, që e përfytyrojnë Zotin në formën e njeriut.
– Por ka edhe një shkallë të tretë të jetës fetare dhe kjo është ajo e “Fesë kozmike”. Ajo nuk mund të kuptohet plotësisht nga ata që nuk e ndiejnë, duke qenë se nuk i korrespondon aspak një ideje të një Zoti antropomorf.
Individi është i vetëdijshëm për kotësinë e aspiratave dhe objektivave njerëzore dhe pranon rendin e admirueshëm që manifestohet sa në natyrë aq edhe në botën e mendimit. Ekzistenca individuale i krijon përshtypjen e një burgu dhe ai dëshiron të jetojë në dijeni të plotë të asaj që ekziston, në unitetin e vet universal dhe në kuptimin më të thellë.
Që në shkallët e para të evolucionit të fesë, për shembull në psalmet e Davidit, gjenden treguesit e parë të fesë kozmike. Por elementët e kësaj feje janë më të fortë tek budizmi, siç e kemi mësuar prej shkrimeve të admirueshëme të Schopenhauerit.
Gjenitë fetarë të të gjithë kohërave e ndjejnë këtë fe kozmike, e cila nuk njeh as dogma dhe as Zotër të konceptuar sipas imazhit të njeriut. Pra, nuk ka asnjë Kishë që të bazojë mësimet e saj themelore në fenë kozmike. Si rrjedhojë, pikërisht mes heretikëve të të gjithë kohërave gjejmë njerëz të frymëzuar prej kësaj feje superiore, që nga bashkohësit janë konsideruar herë ateistë dhe herë shenjtorë.
Albert Ajnshtajni nga” “Bota, si e shoh unë”
***
Albert Ajnshtajn u lind në Ulmi të Gjermanisë në 14 mars 1879, në një familje hebrenjsh.
Kur mbushi pesë vjeç, i ati i dha një busull, që menjëherë i krijoi Albertit një interes për gjilpërën magnetike dhe fenomenet natyrore që shkaktonin lëvizjen e saj në të njëjtin drejtim. I ati i shpjegoi se kjo shkaktohej nga fusha magnetike dhe forca e rëndesës.
Për jetën në vitet e fëmijërisë, Albert Ajnshtajni tregonte se nuk e kishte me qejf shkollimin. Metoda mësimore, ku nxënësve nuk u lejohej të bënin pyetje e bënte të ndihej si në burg.
Me teoria më të rëndësishme të tij, ajo e relativitetit, Ajnshtajni shpjegon se drita lëviz gjithmonë me të njëjtën shpejtësi, pavarësisht nga burimi. Ai shtoi se, koha dhe masa mund të ndryshojnë, dhe varen nga vendndodhja e një njeriu në raport me një objekt, apo një ngjarje.
Ajnshtajni botoi në vitin 1905, veprën e tij më të rëndësishme, njëhersh një nga dokumentet më të rëndësishme shkencore në histori, të titulluar “Teoria e relativitetit”. Dhjetë vjet më pas, ai botoi një vëllim të zgjeruar të kësaj vepre, me titullin “Teoria e përgjithshme e relativitetit”, që përfshin idetë themelore për të përshkruar fenomene natyrore lidhur me kohën, hapësirën, masën, lëvizjen dhe forcën e rëndesës.
Nobelist në Fizikë, për zbulimin e ligjit të efektit fotoelektrik. Ky ligj shkencor shpjegon përse disa metale emetojnë elektrone pasi mbi sipërfaqen e tyre bie drita. Ky zbulim çoi në zhvillimin e elektronikës, përfshirë edhe radion apo televizionin.
Ajnshtajni u shua në moshën 76-vjeçare, më 18 prill 1955, në Shtetet e Bashkuara.