Kur na ndajnë dy ditë nga zgjedhjet e 25 prillit, Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dalë me një apel për të gjithë qytetarët, që të dalin dhe të votojnë në mënyrë qytetar këtë të dielë.
Në një postim në Facebook, Kreu i Shtetit thotë se të gjithë i kanë sytë nga Shqipëria, ndaj në 25 prill ai tha se duhet ta manifestojmë me qytetari dhe kulturë demokratike.
“Në këto orë të mbetura nga Referendumi historik i 25 Prillit, bëj thirrje, që të shmanget çdo incident artificial dhe provokim i qëllimshëm, që synon të dëmtojë zgjedhjet dhe imazhin e Shqipërisë“, shkruan Kreu i Shtetit.
Postimi i plote i Presidentit
“Të dashur qytetarë, nëna, baballarë, motra, vëllezër dhe ju të reja dhe të rinj!
Mbeten vetëm 48 orë, kur me votën tuaj ju do të përcaktoni vullnetin e Sovranit për drejtimin e vendit.
Të gjithë i kanë sytë te Shqipëria, vendi më problematik i rajonit dhe i Europës për zbatimin e standardeve të demokracisë dhe të zgjedhjeve.
Le të manifestojmë me qytetari dhe kulturë demokratike, vullnetin tonë të lirë për zgjedhjen e përfaqësuesve tanë në drejtimin e vendit.
Prandaj , në këto orë të mbetura nga Referendumi historik i 25 Prillit, bëj thirrje, që të shmanget çdo incident artificial dhe provokim i qëllimshëm, që synon të dëmtojë zgjedhjet dhe imazhin e Shqipërisë.
Një thirrje të posaçme, u drejtoj të gjithë forcave të ruajtjes së rendit, Policisë së Shtetit dhe punonjësve të administratës publike, që të tregojnë integritet dhe të ushtrojnë detyrën e tyre duke zbatuar me rigorozitet vetëm ligjin duke mos u bërë palë me politikën.
E ritheksoj, që këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme !
Sepse ato janë jo vetëm për 4 vite, por për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Prandaj, të tregojmë qytetari dhe kulturë demokratike në këto zgjedhje sepse ato duhet të jenë një moment bashkimi dhe feste e demokracisë.
Pjesëmarrja e çdo qytetari në zgjedhje është jo vetëm një detyrim qytetar, por edhe një akt i domosdoshëm patriotik.
Me votën tuaj të lirë, ju vendosni për Shqipërinë në Europë!
Ju vendosni për Shqipërinë e shqiptarëve!
Më 25 Prill vendosni Ju! Vendos Sovrani!”