Tashmë është bërë e ditur që Elseid Hysaj do të largohet nga Napoli, pasi nuk ka rinovuar kontratën e tij. Mbrojtësi shqiptar shumë shpejt mund të bëhet një futbollist i Milanit.
Ata që dukeshin thjesht si zërat e zakonshëm të merkatos, tashmë kanë gjetur konfirmim nga Alfredo Pedulla, një nga ekspertët e njohur të merkatos në Itali. Ky i fundit, duke shkruar në faqen e tij zyrtare, ka theksuar se firma e futbollistit shqiptar po afron gjithnjë e më shumë.
Kjo pasi ka një dialog të vazhdueshëm mes palëve. Sipas tij, ka një diferencë të vogël mes kërkesës së Hysajt dhe ofertës së Milanit, por ajo nuk cilësohet e paarritshme nga palët.
“Kërkesa e mbrojtësit shqiptar që është në fundin e kontratës me Napolin, është 3 milionë euro në sezon, por mund të mbyllet me 2,5 milonë euro plus bonuse.
Meqë po flasim për një profil të ri, nuk është ende 27 vjeç, Milani ka preferuar që të kërkojë një parametër zero të besueshëm, ndërsa e vlerësoi të tepruar kërkesën prej rreth 20 milionë eurosh të Manchester United për Dalot.
Koha që është zgjedhur për këto diskutime, tregon dëshirën për të finalizuar lëvizjen me sigurinë e pjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve, por nuk përjashtohet që koha të jetë edhe më e shkurtër deri te firma”, shkruante Pedulla në artikullin e tij.