MENU
klinika

Çfarë thotë raporti për koncesionet?

BB kërkon përmirësim të skemës së pensioneve

14.04.2021 - 11:15

Banka Botërore i ka vënë në dukje qeverisë shqiptare se përgjatë 2021 duhet të përmirësojë patjetër skemën e pensioneve. Në një raport të publikuar ditën e djeshme, BB ka evidentuar problematikat dhe rritjet e ekonomisë shqiptare në vitet e fundit dhe ka paraqitur pikat ku duhet të bëhet më shumë kujdes në 2021. Në këto pika si prioritet shihet skema e pensioneve, për të cilën banka vlerëson se është arritur një farë përmirësimi në dy vitet e fundit, por ka nevojë për politika të reja më efikase. BB thekson se, në këto kohë pandemi shtohet më shumë nevoja për një skemë pensionesh më të rregullt dhe për të eliminuar ato problematika që rëndojnë mbi pensionistët në vend.

“Progres është bërë edhe drejt konsolidimit fiskal, veçanërisht përmes mbështetjes së Bankës Botërore për shlyerjen e një borxhi të prapambetur, një strategjie parandaluese si dhe për reformën e pensioneve. Gjithsesi, është e rëndësishme të monitorohet ecuria e parametrave kryesorë siç janë shpenzimet e pensioneve, kontribuuesit dhe të ardhurat kontributive, normat e zëvendësimit dhe moshat mesatare të daljes në pension për të mbajtur nën kontroll efektet e reformave. Për më tepër, tendenca demografike dhe rënia e lehtë e niveleve të zëvendësimit vërejtur kohët e fundit sugjerojnë nevojën për të eksploruar burimet plotësuese të të ardhurave nga pensioni për individë me të ardhura të mesme të ulëta”, thuhet në raport. Për më tepër, raporti thekson se, ka hapësirë për të punuar në disa aspekte specifike të sistemit të pensioneve si regjimet e veçanta dhe mbulimi i pensioneve të fshatit. Sakaq, Banka ka garantuar se do të vazhdojë të japë asistencën e saj për qeverinë shqiptare në përmirësimin e skemës së pensioneve.

PPP po rrisin detyrimet e prapambetura

Banka Botërore vazhdon të këmbëngulë se duhet pasur më shumë kujdes me projektet koncesionare. Në këtë raport, BB i ka renditur koncesionet si një nga pikat më problematike në vitet e fundit sepse janë shtuar shumë në numër. Sipas Bankës ato janë një kontingjent jo transparent dhe i paqartë në këtë kohë pandemie, të cilat po rrisin më shumë detyrimet e prapambetura, që duhen reduktuar urgjentisht. “Vazhdojnë të mbeten problematike detyrimet kontingjente të paqarta të krijuara nga Partneritetet Publike Private në rrugë nga ana e qeverisë.

Këto detyrime cilësohen të paqarta pasi në një situatë shoku nuk mund të vlerësohen qartësisht se cilat do të jenë efektet që do të sjellin në ekonomi dhe në financat publike, sidomos në këto kushte krize për shkak të pandemisë të shkaktuar nga Covid-19. Partneritet publike-private në rrugë, të rregulluara në mënyrë joadekuate jashtë buxhetit janë shumëfishuar, duke shkaktuar rritje të detyrimeve. Mangësitë në menaxhimin e financave publike dhe konsolidimin fiskal rrjedhin kryesisht nga një mjedis i vështirë i ekonomisë politike”, thekson raporti. Përgjithësisht Banka Botërore ka cilësuar se situata fiskale në vend mbetet e brishtë edhe për vitin 2021, pavarësisht projekteve dhe përpjekjeve që janë bërë gjatë këtyre viteve për të përmirësuar disa aspekte.

Sidoqoftë, BB vlerësoi se, përparim i mirë po bëhet drejt përmirësimit të ofrimit të shërbimeve publike për të bërë proceset më transparente dhe më miqësore ndaj qytetarëve. “Programi i Bankës Botërore ishte një miks i duhur i huasë dhe asistencës teknike, përforcuar nga puna analitike. Mbështetja ndihmoi për të bërë përparime në fushat kryesore. Në menaxhimin e financave publike, forcoi disa aspekte të menaxhimit të shpenzimeve, përfshirë procesin e buxhetimit afatmesëm dhe sistemit të informacionit për menaxhimin financiar”, vlerëson BB.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Rritja e borxhit, pa produktivitet"

Cikli i rrezikshëm i borxhit