MENU
klinika

Studenti i Medaljes së Artë

Busti i fshehur në studion time – rrëfimi i rrallë i skulptorit

30.04.2021 - 11:54

          Thanas Papa, me origjinë nga fshati Paftal i Beratit, pasi përfundoi liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në vitin 1952, fitoi një bursë shtetërore dhe ndoqi studimet e larta në Institutin “Rjepin” të Akademisë së Arteve të Bukura të Leningradit, ku asokohe studionin edhe disa bashkatdhetarë të tij, si: Jakup Keraj, Shaban Hadëri, Kristaq Rama, Sali Shijaku etj., disa prej të cilëve, ai i merrte si ndihmës të tij, gjatë punëve që bënte në Institutin e Restaurimeve dhe Mbrojtjes së Monumenteve të Kulturës të Bashkimit Sovjetik. Dëshmitë e rralla të Thanas Papës, nga diplomimi me ‘Medalje Ari’ me “Skënderbeun mbi kalë” gjë e cila në atë akademi nuk kishte ndodhur që prej dhjetë vitesh dhe vlersimi nga ana e kryetarit të komisionit të vlersimit të diplomave të studentëve në Institutin “Rjepin”, skulptorit të famshëm rus, Tomskij, që ajo punë të derdhej në bronz dhe të shtypej edhe si kartolinë. Kthimi i Thanasit në Shqipëri ku me porosi nga “lart”, ai realizoi disa nga bustet e udhëheqësve kryesorë, si Nikita Hurshovit, Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, etj., si dhe jeta e tij plot peripeci pasi ndiqej nga Sigurimi i Shtetit për t’u arrestuar pas divorcit me bashkëshorte ruse, Valentina, (e cila në vitin 1961 u detyrua të kthehej në Bashkimin Sovjetik me vajzën e vogël dy vjeçe) dhe shpëtimi prej burgut nga mbrojtja që i bëri atij ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, që dëgjonte këngë labe në shtëpinë e tij, me magnetofonin që Thanasi kishte sjellë nga Leningradi!

“Biseda ime me Mehmet Shehun zgjati rreth dy orë dhe ndërsa unë punoja për t’i dhënë shkëlqimin e mëparshëm bustit prej bronxi që kisha punuar që në vitin 1960, ai më mbante me muhabet. Në përfundim, pasi e kisha pastruar bustin, ai më tha: “Ore, po ky qenka ndryshe” dhe më falenderoj duke u shprehur: “Nga thellësitë e zëmrës ju falenderoj për këtë dhuratë të bukur që më bëre”. Kur unë i thashë: ‘Uzina’, ai m’u përgjigj: “Lëre, lëre, e di”. Në fund kur po ndaheshim, Mehmeti më tha: “Na dil ndonjëherë nga shtëpia, mos na harro”. Kështu e kujton skulptori i njohur Thanas Papa (“Artist i Merituar”), atë takim me ish-kryeministrin Mehmet Shehu, në vilën e tij në “Bllok”, ku kishte shkuar me kërkesën e tij, për të parë bustin që i kishte realizuar disa vite më parë.


Po kush është Thanas Papa dhe cila është e kaluara e tij? Ku është diplomuar ai dhe përse u caktua pikërisht Thanasi për të realizuar bustin e kryeministrit Mehmet Shehu në atë kohë? Cilat ishin peripecitë që e ndoqën Thanas Papën deri në fundin e viteve ’80-të dhe kush ishte njeriu që e mbrojti atë për të mos përfunduar prapa hekurave të burgut, si disa prej kolegëve dhe miqve të tij që ishin diplomuar në vendet e ish-Lindjes Komuniste në vitet ’50-të?! Lidhur me këtë dhe plot fakte e ngjarje të tjera nga jeta e tij, na njeh vetë 90 vjeçari Thanas Papa, nëpërmjet kësaj interviste të dhënë ekskluzivisht për Memorie.al.

Zoti Thanas, shkurtimisht, cila është origjina e familjes suaj dhe ku jeni shkolluar fillimisht?

Unë kam lindur në vitin 1931 në fshatin Paftal të Beratit prej nga është dhe origjina e familjes sime. Pas mbarimit të shkollës Unike në qytetin e Beratit në vitin 1947, unë fitova një bursë shtetërore për të ndjekur Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, të cilin e mbarova me rezultate të shkëlqyera. Në një klasë me mua në atë kohë ishin edhe: Dhimitër Buda, Jorgji Gjinari, Kristaq Rama, Jakup Keraj, Shaban Hadëri, Gjinovefa Heba, Kujtim Spahivogli, etj.

Po pas mbarimit të Liceut, ku studiuat?

Pas mbarimit të Liceut, mësuesi im i vizatimit, Dhimitër Çani, nguli këmbë që unë të vazhdoja studimet e larta, pasi sipas tij kisha shumë talent. Kështu pas mbarimit të maturës, mua dhe Jakup Kerajt nga qyteti i Shkodrës, na u akordua një bursë shtetërore për të vazhduar studimet e larta universitare në Institutin “Rjepin” të Arteve të Bukura të Leningradit, të cilin e mbarova gjithashtu me rezultate të larta, duke marrë “Medalje Ari”.

Sa kohë vazhduan studimet në atë institut?

Në atë institut unë studjova për gjashtë vite me rradhë dhe kur erdhi puna e diplomës, unë zgjodha për të bërë Skënderbeun mbi kalë. Pasi e paraqita projekt-diplomën, skulptori i famshëm rus që ishte dhe zv/presidenti i Akademisë dhe gjithashtu edhe Kryetar i Komisionit të Vlersimit të diplomave, tha: “Ajo që kërkon të bëjë Thanasi, është jashtë të gjitha mundësive të një studenti”. Por unë ngula këmbë se do ta realizoja atë gjë dhe për gati një vit e përfundova punën e diplomës, duke punuar nga 12 deri në 14 orë në ditë.

Si u vlerësua puna juaj, kur u bë mbrojtja e diplomave?

Kur u bë mbrojtja e diplomave në institutit tonë, kryetari i komisionit të vlersimit të diplomave, skulptori i famshë rus, Tomskij, (i cili kishte bërë monumentin e Skënderbeut në Tiranë) dha vlersimin maksimal për mua. Gjithashtu edhe komisjoni e vlersoi punën time si diplomë e shkëlqyer, duke më akorduar “Medalje Ari”, së bashku me studentin rus, Jevgeni Nikollajeviç, gjë e cila nuk kishte ndodhur në atë Akademi që prej dhjetë vitesh. Pas këtyre vlersimeve maksimale që m’u dhanë, komisjoni vendosi që puna ime e diplomës, pra “Skënderbeu mbi kalë” të derdhej në bronx dhe ajo u ekspozua në ekspozitën e përgjithshme të Bashkimit Sovjetik për vendet e Europës Lindore, duke e bërë edhe kartolinë.

Gjatë asaj kohe që studiove në atë institut, a pate mundësi që të punoje edhe jashtë mureve të shkollës në atë profesion?

Gjatë atyre viteve, Instituti i Restaurimit dhe Mbrojtjes së Monumenteve të Bashkimit Sovjetik, i cili bashkëpunonte me shkollën ku studjoja unë, më aktivizoi në disa punë për restaurime skulpturash që ishin të vendosur në vende publike të cilat ndodheshin diku në periferi të Leningradit. Për realizimin e atyre punëve, unë morra si ndihmësa, bashkëatdhetarët e mi, Shaban Hadërin, Kristaq Ramën dhe Sali Shijakun, të cilët i paguaja rregullisht në bazë të punës që bënin, pasi për restaurimin e tyre unë merrja një pagë që ishte shumë e kënaqshme për një student. Gjatë atyre viteve, unë morra dhe një diplomë tjetër për “Restaurimin e Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës”.

Cila ishte puna e parë që bëre në Shqipëri, pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik?

Puna e parë që bëra pas kthimit nga Bashkim i Sovjetik ishte busti i “Heroit të Popullit”, Musa Fratari dhe pas saj, ishte busti i Nikita Hurshovit, i cili u bë me porosi për t’u vendosur në një nga sallat e Hidrocentralit “Karl Marks” mbi lumin Mat. Bashkë me bustin e Hrushovit, u porosit edhe ai i Enver Hoxhës dhe për realizimin e tyre u ngarkuam unë dhe Shaban Hadëri. Mua më takoi që të bëja Hrushovin, pasi Shabani kërkoi vetë që të bënte Enver Hoxhën. Pasi i realizuam, të dyja punët tona u pritën shumë mirë dhe pasi i derdhëm në bronx, ato u vendosën në vendin e caktuar pranë Hidrocentralit “Karl Marks” mbi lumin Mat.

Po pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, çfarë u bë me bustin e Hurshovit, që kishit realizuar ju?

Kopjen e bustit të Hurshovit që unë kisha ruajtur në studion time e theva, pas insistimit të mikut dhe kolegut tim, piktorit të njohur Guri Madhi, i cili kur e pa, më tha: “Thanas, thyeje shpejt se do të na marrësh më qafë”. Ndërsa për origjinalin që ishte vendosur në hidrocentralin “Karl Marks”, nuk e mësova kurrë të vërtetën se ç’u bë me të, pasi nuk guxoja të pyesja njeri!

Gjatë gjithë krijimtarisë suaj si skulptor, a keni pasur raste të tjera që keni bërë figura politikanësh e udhëheqësish që më pas, janë shpallur “armiq” dhe u është dashur që t’i thyeni?

Po, më ka qëlluar me bustin e ish-kryeministrit Mehmet Shehu, por ndryshe nga ai i Hurshovit, kopjen e bustit të Mehmet Shehut që e mbaja në studio, nuk e theva, por e fsheha dhe e ruajta të padëmtuar, deri pas viteve ’90-të. Siç e shikon (na e tregon në studio), ai është ende në gjendje të mirë.

Si ju lindi ideja për të realizuar bustin e Mehmet Shehut?

Bustin e Mehmet Shehut ma kërkoi Hajredin Çeliku, ish-Drejtori i Uzinës “Enver”, i cili donte t’ia bënte dhuratë kryeministrit në vitin 1960, me rastin e ditëlindjes së tij.

Po pse ua kërkoj pikërisht juve Hajredin Çeliku atë porosi?

Në atë kohë, pasi kishte dëgjuar për bustin e Hurshovit që kisha bërë unë nga shkrimi i Andon Kuqalit në gazetën “Drita”, Hajredini më erdhi në studio së bashku me sekretarin e organziatës bazë të partisë së uzinës “Enver” dhe më bënë kërkesën.

Si vepruat pas asaj kërkese?

Pas kësaj, unë i telefonova menjëherë Fiqret Shehut, bashkëshortes së kryeministrit dhe pasi i tregova për porosinë që më kishin bërë, i thashë se brenda mundësive, të më siguronte disa foto të shokut Mehmet, gjatë periudhës që ai kishte qenë në Luftën e Spanjës.

Si u përgjigj ajo, u tregua e gatshme?

Fiqreti me të cilën njihesha shumë mirë, më tha se do të më njoftonte në telefon, pasi të bisedonte me Mehmetin.

Në ç’rrethana ishit njohur me bashkëshorten e kryeministrit Mehmet Shehu?

Me Fiqretin unë njihesha që nga viti 1958-’59, kur unë bëra një skulpturë me porosi të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, e cila do vendosej në Parkun “Rinia” në qendër të kryeqytetit, përballë Hotel “Dajtit”. Pasi e mbarova skulpturën (për të cilën pozuan dy vajza gjimnaziste të cilat sot janë muzikante shumë të njohura), ajo nuk m’u aprovua nga komisjoni artistik, i cili e quajti atë si “vepër formaliste”. Pas kësaj, unë shkova tek Fiqreti që asokohe ishte në funksionin e sekretares së Komitetit të Partisë për Tiranën dhe i shpjegova të gjithë problemin. Ajo pasi më dëgjoi me vëmendje, më tha se do të krijonte një komisjon tjetër me në krye Baki Kongolin dhe e mbajti fjalën.

A e aprovoi ai komision me në krye Baki Kongolin, punën tuaj?

Komisjoni që u krijua e aprovoi punën time në skulpturë e cila u vendos në Parkun “Rinia” dhe përveç kësaj ndërhyrje të shoqes Fiqret, e cila vuri në vend një padrejtësi që po më bëhej mua, ajo më pati bërë dhe një të mirë tjetër në vitin 1958, kur ajo shkoi vetë në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës dhe kërkoi dy shtëpi, një për mua dhe një për Vasil Naçon.

Të kthehemi te biseda juaj në telefon me Fiqretin, për fotografitë që u duheshin për bustin e Mehmetit?

Fiqretja më morri në telefon, pasi kishte biseduar me Mehmetin dhe kur ajo i kishte treguar për kërkesën time, ai i ishte përgjigjur: “E di pse i duan, por nuk i jap fotot se m’i prishin. Unë i kam kujtim. Po të duan, të marrin Ladin, (djalin e madh), se ai më ngjan për atë periudhë që kërkojnë ata”.

A erdhi Ladi, për të pozuar?

Po erdhi menjëherë dhe për dy javë me rradhë që punova unë për portretin e Mehmetit, Ladi që në atë kohë ishte gjimnazist qëndronte 1 deri në 2 orë pa lëvizur në studion time. Pasi e mbarova bustin në baltë, telefonova Fiqireten dhe i thashë që të vinte për ta parë dhe ajo më tha: “Atë gjë ta kam besuar ty, Ladin e ke dhe nuk ma merr mëndja se ka nevojë që të vij unë atje”. Pas kësaj thirra në studio Petro Markon, i cili erdhi bashkë me të shoqen dhe më tha: “Të ka pozuar Mehmeti”? Atij i pëlqeu shumë puna që kisha bërë dhe foli shumë mirë për të. Më pas thirra dhe Hajredin Çelikun i cili sa e pa më tha që ta derdhja shpejt në bronz duke më vënë në dispozicion Uzinën “Enver” për të gjitha ato që më duheshin.

A ia dërguan bustin Mehmet Shehut dhe si e priti ai atë dhuratë?

Hajredin Çeliku i’a dërgoi dhuratën me rastin e ditëlindjes dhe siç më tregonte Foto Stamo, Mehmeti e kishte pëlqyer shumë dhe kush i shkonte në shtëpi, ai e çonte te korridori ku kishte vendosur bustin dhe i thoshte: “Ja si kam qenë në Spanjë”.

Po nga familja Shehu, a ju morën në telefon për t’ju falënderuar?

Më mori Fiqiretja dhe më tha: “Thanas, na ke befasuar të gjithëve, dhe në veçanti Mehmeti e ka pëlqyer shumë”. Po kështu, kur e takova njiherë rastësisht Fiqireten ajo më tha se Mehmeti ishte bërë pishman që nuk m’i kishte dhënë fotografitë.

A ju paguan për bustin e Mehmetit?

Sipas rregullit, pagesa bëhej nga porositësi, pra nga Uzina “Enver”. Më dhanë 20.000 lekë të vjetra.

Pasi bëtë bustin, a patët rast që të takoheshit personalisht me Mehmet Shehun?

Aty nga viti 1968, në uzinën “Dinamo”, takova djalin e dytë të tij, Skënderin dhe e pyeta nëse busti që i kisha bërë e ruante ende shkëlqimin. Ai më tha që nuk merrte vesh nga këto gjëra dhe më ftoi në shtëpi që ta shikoja vetë. Pas kësaj unë mora në telefon Fiqireten dhe ajo më tha: “hajde në shtëpi”.

A shkuat në shtëpinë e tij?

Unë shkova menjëherë dhe si për çudi, deri tek vila e tyre nuk më ndaloi njeri. Por më pas mësova se këtë gjë e kishte urdhëruar Fiqretja, e cila doli vetë deri tek porta e jashtme dhe më shoqëroi deri lart ku ndodhej busti i Mehmetit në koridor. Pas pak aty erdhi vetë Mehmeti, i cili, pasi më përqafoi përzemërsisht më pyeti për familjen, për punën, dhe nëse do të kisha ndonjë hall, t’i thosha atij për gjithçka. Fiqretja pasi na qerasi u largua, dhe unë mbeta vetëm me Mehmetin. Biseda zgjati rreth dy orë dhe ndërsa unë punoja për t’i dhënë shkëlqimin bustit të tij prej bronzi, Mehmeti më mbante me muhabet. Në përfundim kur e pastrova bustin nga oksidimi. Mehmeti tha: “Ore… po ky qenka ndryshe” dhe më falenderoi duke u shprehur: “Të falenderoj nga thellësia e zemrës për këtë dhuratë të bukur që më bëre”. Kur unë i thashë: ‘uzina’, ai më tha: “Lëre, lëre, e di”. Pasi dola, më tha:, “Na dil ndonjëherë nga shtëpia, mos na harro”.

A pate peripeci më pas dhe a e kërkove ndihmën e Mehmetit, siç të porositi ai?

Problemet dhe peripecitë mua, nuk mu ndanë deri në fund të viteve ‘80 dhe të gjitha këto më vinin si pasojë e martesës sime me shtetasen ruse, Valentina Cvetkova, me të cilën u ndamë në fundin e vitit 1961. Pas asaj ndarjeje, unë shihesha me sy tjetër nga regjimi komunist dhe isha nën survejim të plotë. Më kujtohet mirë, marsi i vitit 1962, pak kohë pasi ish-bashkëshortja ime, Valentina, bashkë me vajzën e vogël 2 vjeçe ishte larguar për në Bashkimin Sovjetik, kur në studion time erdhi Guri Madhi. Ai kishte sjellë dhe një shishe verë dhe pasi e hapi me këmishën time të vjetër, më detyronte mua të pija, kurse vetë nuk pinte fare. Kur unë e pyeta se përse nuk pinte ai, mu përgjigj: “Edhe unë do të pi, por ta dhashë ty në fillim që të të çliroj. Këto që po t’i them, mbaji vath në vesh. Që nga ky moment, ti nuk dëgjon, nuk sheh, dhe nuk flet. Pra je shurdh, i verbër, dhe memec. Ti ke ikur nga kjo botë, më dëgjove”? Guri, më tha që t’i kapja buzët e mia me dorë dhe ti shtrëngoja fort. Kur unë i thashë se po më dhëmbin, ai mu përgjigj: “Më mirë të të dhëmbin buzët, sesa koka”. Pastaj mori shishen e verës që ishte përgjysmuar prej meje dhe më tha: “Unë e lashë verën për në fund dhe doja të isha esëll kur të t’i thoja ato fjalë. Mos më pyet më për këtë” dhe e ktheu verën me fund. Nuk ishte e vështirë t’i kuptoje ato fjalë që më tha Guri, që ishte një nga miqtë e mi më të mirë. Ai erdhi tek unë për të më thënë që të mbyllja gojën, pasi isha vënë në shënjestër për t’u arrestuar nga Sigurimi I Shtetit dhe për t’u burgosur. Guri e dinte mirë atë gjë, pasi një nga vëllezërit e tij Stavri, ishte Drejtor i Sigurimit të Shtetit në Drejtorinë e Tiranës, ndërsa vëllai tjetër Raqi, ishte në Institutin e Studimeve Marksiste Leniniste.

Në atë situatë që ndodheshit, a tentuat të shkonit ndonjëherë te Mehmet Shehu, ashtu siç u kishte thënë vetë ai?

Edhe pse unë që ndodhesha në atë situatë, nuk shkova asnjëherë që të kërkoja ndihmën e Mehmet Shehut, pasi, rastësia e solli që të kisha ndihmën e Ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu.

Përse sulmoheshit ju dhe në ç’rrethana e kishit siguruar mbrojtjen e Kadri Hazbiut?

Siç e thashë më lart, sulmet ndaj meje vinin për faktin se unë kisha qenë i martuar me një shtetase ruse dhe se kisha një fëmijë dy vjeçe me të. Pra që nga viti 1961, ata që më sulmonin, më përmendnin faktin që unë nuk po martohesha të krijoja familje të re, pasi e kisha mendjen tek ish gruaja që ndodhej bashkë me vajzën në Bashkimin Sovjetik. Në vitin 1967, kur doli Letra e Hapur e Komitetit Qendror të PPSH-së, mua më thirrën në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, dhe më thanë që do të më dëbonin nga Tirana.

Ç’ndodhi pas kësaj?

Fatmirësisht munda të shpëtoj pa më larguar nga Tirana, pas ndërhyrjes së ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiut, sepse të vëllain e tij Hasanin, e kisha fqinjë dhe shkonim shumë mirë bashkë. Edhe dasmën e djalit të tij, Hasani e bëri tek shtëpia ime, ku Kadriu vinte për të dëgjuar këngë labe në gramafonin që kisha sjellë nga Bashkimi Sovjetik. Gjatë një bisede në shtëpinë e Hasanit, ai më tha: “Thanas, mos u mërzit, se çfarëdo që të thonë për ty, tek mua do të vijnë letrat për firmë” dhe bëri me duar sikur po griste letrat.

Po pas kësaj që u tha Kadri Hazbiu, a vazhduan sulmet ndaj jush?

Edhe pse kisha mbrojtjen e Kadri Hazbiut, sulmet ndaj meje nuk pushuan deri në mesin e viteve ’80-të kur unë u martova me arkitekten Shpresa Leka, tek e cila gjeta mbështetjen e pakursyer për punën time krijuese. Në atë kohë, për t’ju përkushtuar familjes, unë kërkova një leje-krijuese trevjeçare, për të punuar monumentin e Enver Hoxhës mbi kalë në Kongresin e Përmetit. Kur e mbarova atë, erdhi dhe e pa e bija e tij Pranvera, që punonte si arkitekte me bashkëshorten time Shpresën. Ajo, e pëlqeu shumë atë dhe tha se ai monument ishte tepër i veçantë, pasi nuk ngjante me asnjë tjetër. Edhe pse ai monument me ndërhyrjen e Ramiz Alisë doli në ekspozitë, mua nuk m’u dha leja krijuese asnjëherë, deri sa në vitin 1990 dola në pension.

Çfarë bëtë me bustin e Mehmet Shehut, pas eliminimit të tij në vitin 1981?

Disa muaj pas asaj ngjarjeje, në studion time erdhi Guri Madhi i cili më tha: “Thanas, hiqe atë se do na marrësh në qafë”. Kur unë e kundërshtova, ai insistoi duke më thënë: “Ore, po i ke mendt në kokë ti apo jo, hiqe po të them”?! Por duke ndeshur në kundërshtimin tim, ai më tha që të mos e thyeja, por ta fshihja diku dhe ta nxirrja kur t’i vinte koha. Pas insistimit të Gurit, bustin e mbështolla me disa rroba të vjetra dhe e futa në një arkë druri fonderie, për ta çuar në fund të depos, pa i thënë njeriu, ku dhe unë mezi mund ta gjeja. Kështu e ruajta bustin e Mehmet Shehut deri në fillimin e viteve ’90-të, për ta rinxjerrë në dritë pas profecisë së Guri Madhit. Atij busti i bëra disa fotografi dhe ia çova Bashkim Shehut me shpresën se do të mund të gjeja kopjen origjinale të tij. Por, nuk e di se çfarë është bërë me të. /Memorie.al

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale