Vihet re njëfarë konfuzio ni në lidhje me dekriminalizmin e politikës, duke kuptuar me këtë term vetëm subjektet e ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i quajtur ndryshe “ligji i dekriminalizimit”.
Në fakt, vetë koncepti i dekriminalizimit të politikës është shumë më i gjerë. Për ta thjeshtuar shpjegimin kemi dekriminalizimin nga poshtë, i cili realizohet përmes ligjit që cituam më lart dhe dekriminalizimin në sferat e larta, që realizohet përmes Reformës në Drejtësi.
I pari po funksionon falë angazhimit të fortë të ambasadave të SHBA dhe BE-së, kontrolleve nga partitë dhe institucionet, plus mësimeve nga pësimet e atyre që kanë gënjyer. Dora në zjarr nuk vihet, krimi në politikë dhe politika në krim janë një thurje e fortë në Shqipëri.
Por do të jetë vërtet e vështirë që në Kuvendin e ri të pas 25 prillit të kemi individë që nuk duhet të jenë aty sepse janë dënuar si pjesë e malavitës. Thënë këtë, duhet të shtojmë se zhurma për ketë arritje, e sinqertë apo e kërkuar, është më madhe se arritja.
Për dy arsye.
Së pari, sepse ish-të dënuarit e kandiduar apo emëruar nga kjo kategori nuk është se u vetofruan, vetëkandiduan, ua hodhën apo iu imponuam partisë e liderit; nuk është se hynë në institucione me forcë apo si ilegalë, nga dritaret, nga oxhaqet.
Jo! Asgjë nga këto. Ata u thirren, u morën. U morën jo si të rehabilituar, çfarë ishin në të vërtetë ata që e kishin kryer dënimin dhe kishin filluar një jetë të re, por për atë që kishin qenë para se të kryenin dënimin, pra, për aktin që kishin bërë. Ky ka qenë akti më cinik i “promovimit” të tyre në politikë, cinizëm i promovuesve, sigurisht, që do t’u kushtonte të promovuarve me zhvillimet që mori kjo ngjarje.
Së dyti, sepse jo të gjithë ata që kanë ngjyer gishtin me narkotrafiqe dhe që janë shumë, meritojnë të penalizohen. Pas hapjes së vitit 1990, Shqipëria hodhi në dhe të huaj një numër shumë i të madh bijsh e bijash të saj, të çdo moshe. Pa letra, pa asgjë, shumica e tyre punuan dhe u integruan me dinjitet në vendet ku shkuan.
Një pjesë, kryesisht djem adoleshentë e të rinj, ranë në rrjetat e krimit dhe narkotrafikut, përfunduan burgjeve ose u dëbuan. Disa më të drejtë, disa duke marrë edhe faturën e paragjykimit racor në procese plot me shkelje, pa asnjë mbrojtje nga Shqipëria e tyre. Kjo është një histori e zymtë e pastudiuar në detaje.
Por qoftë edhe për faktin se i la si jetimë këta njerëz, qasja e Tiranës politike në momentin që vendosi të bënte një ligj restriktiv për individët me rekorde kriminale nuk duhej të orientohej në dënimin e tyre me shenjën e grupit, duke i futur të gjithë në një thes, por duhej të kishte qenë realiste dhe më njerëzore me të gjithë ata që kanë qenë fëmijë, adoleshentë, të rinj apo edhe më të rritur kur kanë gabuar dhe nuk rezultojnë të kenë qenë përsëritës (recidivistë) më vonë. Kazusi e tregon ligjin me mirë se teoritë dhe retorika.
Një person që para njëzet e pesë vitesh, fjala vjen, është dënuar apo dëbuar nga një vend fqinjë për një dorë apo dy duar hashash dhe ka bërë një jetë korrekte që atëherë (ka plot të tillë), papritur, kjo Shqipëria që e nisi qyryk kujtohet dhe i thotë “pa të shohim ç’ke bërë atëherë” dhe vendos ta ndalojë për gjithë jetën të zgjidhet apo emërohet në disa poste.
Ndalimi është posaçërisht i hidhur për ata që nuk e kanë çuar nëpër mend të kandidojnë gjëkundi. Ata kuptojnë se nuk mund të rehabilitohen. Shqipëria “puritan” i ka shënjuar me damkën e turpit përgjithmonë. Si për të provuar se nuk ka më të pistë se puritanët, siç citohet të ketë thënë Shën Agostini.
Ndalimi kësisoj i një ish-shpërndarësi droge në Shqipërinë e pandëshkueshmërisë shumëvjeçare ku korrupsioni i zyrtarëve të lartë i grabit vendit çdo vit miliona e miliona euro, sipas raporteve të KLSH dhe shumë indikatorëve të tjerë, është një sarkazëm me vetë.
Sidoqoftë, duke mbështetur zbatimin e ligjit të dekriminalizimit për persona recidivistë apo me rekorde kriminale të vërteta, nuk ka arsye për të festuar, ndërkohë që peshqit e mëdhenj apo të mesëm të korrupsionit, grabitjes dhe dëmtimit të vendit notojnë të qetë në akuariumet e tyre të mbrojtura.
Dekriminalizimi nga lart, ai në sferat e larta, nuk ka nisur akoma. Shqipëria shkon në këto zgjedhje vetëm më dekriminalizimin nga poshtë.
Plot me shpresë e besim te reformimi i drejtësisë, njerëzit në masë kanë pritur që minimalisht të kishte transparencë ligjore për morinë e akuzave në adresë të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë.
“Akuzat pa hetim e gjykim e helmojnë jetën publike”, thoshte Makiaveli. Ndërkohë që zbardhja e tyre vetëm e shëndosh atë. Vonesat, që mund t’i quajmë të tilla në raport me pritshmëritë, kanë shpjegimin e tyre.
SPAK është ngritur, por është dashur të ngrihej dhe të fillojë nga puna edhe Byroja Kombëtare e Hetimit për kompletimin e institucionit të hetimit dhe akuzës. Kjo ka marrë kohën e vet. Vënia në funksion të plotë e BKH-së përkon në kohë me periudhën paszgjedhore. Nga ai moment nuk do të ketë më justifikime për të mos hetuar dhe çuar në gjykatë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të përfshirë në afera korrupsioni dhe keqbërjeje publike.
I vetmi shpjegim për qëndrimin duarkryq të hetuesve, prokurorëve dhe gjyqtarëve të vetuar do të ishte kapja politike dhe e drejtësisë së re. Sepse- ta sqarojnë sërish- kapja politike e drejtësisë në Shqipëri nuk ka kuptimin e ndërsimit dhe hakmarrjes ndaj kundërshtarit politik, por ka kuptimin e mosveprimit të drejtësisë në sferat e larta, e pandëshkueshmërisë në këto sfera.
Kjo është historia jonë shumëvjeçare, ky ka qenë pakti i pashkruar: drejtësia të mos shkelë në sferat e larta. Në shkëmbin të bëjë sipas qejfit në sferat e tjera; ketë histori kemi provuar të mbyllim më reformën në drejtësi, për të nisur historinë e re të drejtësisë së pavarur, të guximshme, me integritet.
Në qofte se nuk fillon, do të thotë se kapja vazhdon. Sipas përcaktimit “drejtësi e kapur është ajo që nuk vepron”, ka plot njerëz që mendojnë se ajo vazhdon të jetë e kapur përderisa nuk po jep shembuj domethënës të goditjes së korrupsionit të madh apo thjesht zbardhjes se akuzave të mëdha. Të gjithë ata që nuk duan veprimin e saj, duhet të jenë dhe janë të kënaqur të jetë kapur nga Rama apo çdo Kryeministër tjetër pas tij.
Por nuk duhet të ngutemi të nxjerrim përfundime. Duhet të mbajmë besimin, të mbështesim dhe inkurajojmë me sa mundemi drejtësinë e pakapur. Le të fillojë nga puna Byroja Kombëtare e Hetimit, le t’ia lemë kohës të flasë.
Dhe me fjalën kohë nuk nënkuptoj kalandrat greke, por verën dhe vjeshtën e këtij viti kur “makina” e drejtësisë së re nuk do të ketë më asnjë pjesë mangët për t’u nisur. Zgjedhjet e 25 prillit janë më mes. Qytetarët kanë mundësi të kontribuojnë me votë për dekriminalizim lart. Ata kanë një ide pothuajse të pagabueshme për të korruptuarit dhe abuzuesit e mëdhenj, që synojnë të ripërtërijnë mbrojtjen imunitare përmes votës.
Ata nuk duhen votuar. Përfaqësuesja më e lartë e SHBA-së në Tiranë, ambasadorja Kim, ishte e qartë në mesazhin e saj të fundit për këto zgjedhje kur duke adresuar si probleme të mëdha korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë, pohoi praninë e kriminelëve në listat e kandidatëve për deputetë.
Kuptohet se nuk e kishte fjalën për subjektet e dekriminalizmit nga poshtë, që janë ndaluar e po ndalohen, por për zyrtarët dhe ish-zyrtarët e lartë që nuk janë prekur akoma. Këta janë sinonimi i pandëshkueshmërisë.