Gjykata e Lezhës ka dhënë sot masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ për 4 të arrestuarit në protestën kundër hidrocentralit në Thirrë, të Mirditës.
Protesta e banorëve në Thirrë është zhvilluar në 11 prill dhe policia vuri në pranga organizatorin e protestës, si edhe tre shtetas kosovarë.
Banorët e Thirrës shprehen kundër ndërtimit të hidrocentralit në zonën e tyre, me arsyetimin se u janë falsifikuar firmat dhe nga ndërtimi i këtij HEC-i kanë dëme të shumta.
Ndërkohë avokati i tyre thotë se arrestimi është i pavlefshëm, ndërsa shtoi se ata janë banorë të acaruar që po u merret jeta, sepse uji është jetë.
Avokati: Arrestimi ishte komplet i pavlefshëm dhe i paligjshëm. ishte më tepër si një lloj presioni ndaj policisë që këta njerëz të mos kërkojnë të drejtën e tyre dhe të mos flasin.
Janë banorë të acaruar që po u merret jeta se uji është jetë, bënë disa thirrje dhe policia e ktheu në protestë. Është një akt qytetarie që të protestosh kur shohim sot se nuk ka ngelë asnjë lum pa u marrë.
Organi i akuzës kërkoi burg sepse Besnik Paci një personalitet në atë zonë qenka i rrezikshëm dhe mund ta përsërisë prapë. Kjo është një farsë, që nuk mund të them politike, por është një denoncim i madh nga prokuroria dhe policia vendase.