MENU
klinika

Ku bazohet vendimi i Komitetit të Ekspertëve

Kthehen në klasa maturantët e zonave të nxehta!

01.04.2021 - 07:40

Maturantët e qyteteve më problematike në luftën kundër COVID19 do të kenë mundësi të ulen në banka dy muaj përpara se të futen në sezonin e provimeve.

Ky është vendimi i fundit i Komitetit të Ekspertëve, lindur jo thjesht si nevojë, por edhe pas stabilizimit të shifrave të infektimeve.

“Duke u bazuar në shifrat e infeksionit Sars Cov2 në grupmoshën 15-20 vjeç dhe duke marrë parasysh rezultatet që kemi arritur me vaksinimin masiv sidomos tek arsimtarët, në kushtet e momentin që zhvillohet viti shkollor, maturat do të fillojnë mësimin në klasë”, deklaroi kryetarja e Komitetit të Ekspertëve, Mira Rakacolli, duke e kushtëzuar ndryshimin e vendimit me monitorimin e shifrave në vijimësi gjatë kohës që maturat do të jenë në hapura.

Sa i takon incidencës së dy javëve të fundit, situata epidemiologjike dukshëm ka pësuar ulje, por sipas drejtoreshës së ISHP-së, Albana, Fico, jemi ende në fazë delikate. Vendimi për hapjen e maturave vjen vetëm pak ditë pas studimeve me bazë shkollat që përsërisin atë që është thënë në krye të herës, që kyçja e tyre as i ul, as e rrit incidencën e rasteve. Një gjë e tillë është përshëndetur nga ministrja e Arsimit, Evis Kushi, e cila nënvizon se shkollat janë gati të çelen kundrejt respektimit të të gjithë protokolleve.

“Jam optimiste për sugjerimin e fundit të Komitetit të Ekspertëve për rikthimin në bankat e shkollës të maturantëve nga 10 bashkitë që deri më sot konsideroheshin zona me rrezikshmëri të lartë infeksioni. Shkollat e mesme pranë këtyre bashkive janë plotësisht të përgatitura për të mirëpritur nxënësit sipas të gjithë protokolleve anti-COVID”. Prej dhjetorit, nxënësit e parauniversitarit kanë zhvilluar mësim sipas skenarit të dytë, mësimit të alternuar midis shtëpisë dhe shkollës. Ndërsa në pikun e valës së dytë dhe të ashpër të virusit, Komiteti vendosi të mbyllë maturat në dhjetë qytetet, vatra të virusit. Ndërsa universitetet, që prej fillimit, vijojnë të qëndrojnë të kyçura.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Dyshime si për variantin anglez ashtu dhe për atë afrikano-jugor”

VOA: Shqipëria ashpërson masat pas rritjes të rasteve të reja me COVID-19