Javier Marias/
Javën e kaluar shkruajta në lidhje me atë budallallëkun – po jua rikujtoj – kërkuan me doemos që përkthyesit e poetes së re, Gorman, të ishin gra me ngjyrë dhe aktiviste. Rastit të hollandezes së papërshtatshme, iu bashkangjit dhe përkthyesi nga Katalonja, Obiols, të cilit pasi kishte përkthyer vargjet e ¨Vështromë por mos më prek¨, ia hodhën poshtë përkthimin, vetëm sepse ishte djalë, i bardhë, i ndjeshëm dhe nuk ishte aktivist. Në fakt nuk jam i sigurt nëse renditeshin kështu të metat e tij.
Ky artikulli do të ofendonte Institutin Ndërkombëtar të Mirësisë që ndonjëherë koinçidon me Institutin e Fallsitetit. E keni imagjinuar ndonjëherë cili do të ishte reagimi nëse do kishte ndodhur e kundërta. Pra imagjinoni sikur vepra një poeteje të re, të bardhë, amerikane, do të përkthehej në Hollandë apo kudo nga një grua me ngjyrë dhe në moshë. Rrjetet sociale do organizonin kryengritje. Nëse gazeta e përditshme Volkskrant (që ka një prestigj të mrekullueshëm në Hollandë) do t´ia jepte mundësinë një aktivisteje të bardhë, për ta kontrastuar zgjedhjen. E përditshmja Meulenhoff do ta rishikonte vendimin dhe do të kërkonte për një përkthyes më të përshtatshëm për ta shmangur ¨vuajtjen, frustrimin, nxehjen dhe zhgënjimin e disa njerëzve¨. Përkthyesja me ngjyrë do të jepte dorëheqjen dhe do deklaronte: ¨I kuptoj shumë mirë njerëzit që janë lënduar për shkak të vendimit që sapo mora¨.
Në fakt të gjitha këto që sapo shkruajta as nuk imagjinohen dot. Do kishte nisur lufta. Britma ¨racizëm¨ do ishte dëgjuar në gjithë planetin. Do ishin ngritur akuza me gjasme për shkak të supremacisë, diskriminimit seksual, moshor, racor. Volkskrant do kishte humbur shumë ndjekës dhe do kishte kërkuar publikisht falje. Meulenhoff do kishte humbur të gjithë besueshmërinë. Poetes së re nuk do t´i publikonte më njeri gjë, as në atdheun e saj, as asgjëkundi, sepse vendimi i saj do të ishte konsideruar i qëllimshëm, i bezdisshëm, sigurisht racist dhe i paparaqitshëm.
I gjithë ky qëndrim kuptohet në Georgia, Alabama etj. Njerëzit me ngjyrë andej i skllavërizuan, i persekutuan, i zhdukën, deri nga fundi i shek. XIX, është e vërtetë, e pamohueshme dhe duhet të jemi të vëmendshëm që mos të përsëriten kurrë më.
Megjithatë, këto fakte nuk e heqin mundësinë e racizmit kundrejt të bardhëve, se po sillet e gjithë bota sikur ne të gjithë jemi pronarë plantacionesh e skllevërish, sikur të ishte faji ynë që para një shekulli e ca, bota ishte ashtu si ishte? A është ky lloj racizmi i mirë e i pranueshëm?
Mesa duket po. Ndoshta dhe rekomandohet, nuk janë të pakta rastet që të bardhët përçmohen për shkak të ngjyrës së lëkurës, niveli i frikës se do na quajnë racistë, është po aq i lartë sa niveli i urrejtjes ndaj vetes tonë vetëm sepse jemi të bardhë. Në krahasim me këto autokritika, bëmat e Stalinit janë dashamirëse. Diçka e ngjashme ndodh me seksizmin toksik. Në mbrëmjen gala të organizuar për shpërndarjen e çmimeve Goya, dëgjohen zërat anonimë, groteskë të aktorëve dhe prezantuesve që bënin komente të ndyra e denigruese.
Shumë gra bënin komente të tipit: ¨Shikoje ça prapanice, ça gjoksi¨ e të tjera si këto.
Të tilla komente lexohen dhe nëpër novela që i kanë vënë emrin ¨romantike¨, të shkruara, të lexuara mbi të gjitha nga gratë, nëpër programe televizive e komedi spanjolle. Thënë nga gra, asnjëri nuk indinjohet; por nëse e thonë burrat sigurisht që do shkaktonte indinjim; në fakt lexueset dhe spektatoret ndërsa flasin të tilla gjëra, argëtohen: ¨ Sa i mirë, sa qejf, do ta kisha kafshuar të gjithin¨. Nuk dëgjohen rrallë këto fjalë të pahijshme.
Kam përshtypjen që ka një shpjegim për këto situata aq të kundërta: të bardhët nuk janë të paarmatosur dhe burrat nuk është se nuk dinë të mbrohen. E gjitha kjo është komplet e pakrahasueshme me rrezikun që ndjejnë të zinjtë, aziatikët, hebrenjtë e gratë. Megjithatë, a është e pranueshme mënyra si u trajtua çështja e një përkthimi? Përkthyesja hollandeze, e bardhë dhe djali nga Katalonja e kanë punë përkthimin.
Të mos tua japësh këtë mundësi për shkak të gjinisë, moshës së re, racës, a nuk është ky diskriminim në punë?Iu është privuar puna për arsye që nuk kanë të bëjnë fare me aftësitë e tyre për të punuar. Tani le të nxehen institucionet e mirësisë e të falsitetit. Meqë nuk kam llogari në Twitter, nuk mund të ma bllokojnë, siç bënë me Obiols. Ndoshta do më heqin të drejtën për të shkruar në këtë gazetë. S´ka rëndësi, unë nuk do shkruaj në shtyp për të mos thënë të vërtetën, nuk do shkruaj si ca e ca që shkruajnë vetëm që të jenë në rregull, vetëm aq, asgjë më shumë.
*Javier Marias është shkrimtar, përkthyes dhe redaktor Spanjoll. Ka fituar disa çmime kombëtare e ndërkombëtare. Ka dhënë mësim në Oxford University, Universidad Complutense de Madrid. Kontribuon në të përjavshmen ¨El País Semanal¨. *
Ky artikull u përkthye në Shqip nga Albana Murra.