MENU
klinika

Asnjë ftesë

Kurti “injoron” opozitën për negociatat me Serbinë

24.04.2021 - 10:11

Partitë opozitare parlamentare thonë se ende nuk kanë marrë ndonjë ftesë nga kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, në lidhje me vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Ende nuk dihet edhe qasja e Kurtit në lidhje me këto negociata që për ndërmjetësuesin, Bashkimin Evropian, duhet të fokusohen në zgjidhjen përfundimtare, e për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo zgjidhje duhet të jetë njohja reciproke.

Kurti do të qëndrojë në Bruksel javën e ardhshme për të takuar liderët e Bashkimit Evropian.

Por, zëdhënësi për informim i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, thotë se do ta trajtojnë dialogun nga prizmi i partisë më të madhe opozitare.

“Qytetarët e kanë mandatuar këtë qeveri që t’i adresojë temat me rendësi jetike për ta. Ndërsa PDK-ja ka marr mandat për të qenë në opozitë dhe si e tillë ne do të sillemi karshi temave me rëndësi”, deklaron Bytyçi duke mos saktësuar ndonjë angazhim konkret në lidhje me dialogun.

E pa ftesë, por me ide pak më të çartë për këtë çështje është Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në një përgjigjej për arbresh.info, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi thotë se si parti opozitare, roli i tyre do të jetë nga Kuvendi.

“Na jemi në opozitë dhe krejt punën do ta bëjmë nga Kuvendi i Kosovës si parti opozitare, duke vlerësuar e kundërshtuar nëpërmjet komisioneve e seanca aty ku kemi hapësirë. Lidhur me bashkëpunimin, nga Kuvendi do të shohim atë, pasi është Qeveria ajo që e ka për detyrë raportoj në Kuvend për procesin e dialogut”, shprehet Gashi.

Ndonëse nuk kanë marr ende ndonjë ftesë nga Kurti si udhëheqës i Qeveris, Aleanca për Ardhmërinë Kosovës nuk e di nëse do të jenë bashkëpunues ose jo në këtë proces.

“Kjo është pyetje hipotetike. Një kërkesë e tillë nuk ka ardhur në Aleancë. Mund të përgjigjemi vetëm kur të kemi një kërkesë të tillë dhe pas trajtimit të saj nga organet e Aleancës”, deklaron Lulëzim Blaka zëdhënës i AAK-së, për Arbresh.info

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në letrën që i dërgoi presidentes, Vjosa Osmani, ka shprehur mbështetjen e plotë për Kosovën në negociatat me Serbinë.

“Do të kërkohet fleksibilitet dhe kompromise të vështira gjatë rrugës, dhe ShBA do të jenë partner i juaji në çdo hap”, thuhet në letrën e Biden.

Njohja reciproke dhe kompromiset e vështira i janë përmendur nga ShBA-të edhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq./arbresh