MENU
klinika

Nga Alfred Peza

Kush po e përdor vaksinimin për fushatë elektorale?

02.04.2021 - 21:15

Të bësh gjithçka për të realizuar sa më parë, procesin e vaksinimit të popullsisë për tu mbrojtur nga covid-19, është detyra Nr. 1 e çdo qeverie, e çdo shteti dhe e sistemit të tij shëndetësor kudo në botë. Nuk ka një tjetër sfidë më të rëndësishme sesa kjo, tani që jemi në kulmin e pandemisë globale, për çdo politikan, lider dhe i zgjedhur nga populli për të qeverisur.

Një nga akuzat më qesharake që po bëjnë opozitarët tanë dhe propaganda e tyre, është ajo se qeveria e Kryemimistrit Edi Rama po e përdor vaksinimin masiv të popullsisë, për fushatë elektorale. Ja përse:

Shqipëria ka regjistruar mbi 172 mijë të vaksinuar, në një proces që është shtrirë në të gjithë vendin, e ku çdo ditë po përfitojnë për të marë dozën e shumëpritur rreth 20-25 mijë qytetarë. Këto ritme të vaksinimit masiv të popullisisë, e kanë bërë sot Shqipërinë, të ngjitet në lartësinë e nivelit të vendeve anëtare të BE në këtë proces.

Sipas Our World in Data (https://ourworldindata.org/covid-vaccinations) të cilën kushdo mund ta kontrollojë në çdo kohë online, Shqipëria administron 0.32 doza për 100 banorë. Gjermania ndodhet në kuotën e 0.34 dozave për 100 banorë. Ndërkohë që vendet anëtare të Bashkimit Europian në total, janë në kuotën e 0.36 dozave për 100 banorë. Duke na bërë ne, që të ecim “rrotë më rrotë” me ta.

Siç duket përmes këtyre shifrave, shtetet janë në garë me kohën dhe me njëra- tjetrën, për të siguruar sa më shumë vaksina për qytetarët e tyre. Sepse vetëm kështu, do ia dalin që ta fitojnë luftën ndaj pandemisë, duke rikthyer normalitetin e jetës social- ekonomike, kulturore e sportive në vendet e tyre. E bashkë me to, edhe lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve me shtetet e tjera.

Liderët politikë kudo në botë as nuk e kanë uruar, as nuk e kanë diktuar dhe as nuk e kanë në dorë faktin se përse ky proces po ndodh pikërisht tani. E për rrjedhojë, askush nuk mund të akuzohet se përse nuk e bëri më parë, vaksinimin e popullsisë. E shumta, ndonjërit prejt tyre që është më i vonuar, mund ti kërkohet llogari se përse u kujtua që të vepronte prapa të tjerëve, apo pse nuk ia doli të ishte në një hap me ta. Por kaq.

Për rrjedhojë edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, nuk mund të akuzohet sot, se përse ia doli që ta realizonte tani procesin e vaksinimit masiv të qytetarëve tanë. Sepse përmes kësaj, ai thjeshtë sa ka bërë siç duhet detyrën, për të cilën shqiptarët e kanë votuar.

Nuk është faji i tij se kulmi i këtij procesi, përkon rastësisht në kohë, edhe me fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri. Sepse qeveria do ta realizonte po njëlloj vaksinimin, edhe nëse zgjedhjet do mbaheshin më herët, apo nëse do caktoheshin për më vonë gjatë këtij viti.

Edi Rama nuk e kishte në dorë, përkimin në kohë të procesit të vaksinimit me fushatën elektorale, ndaj ai nuk mund të fajqësohet për këtë. Ai mund të gjykohet, për mënyrën sesi po e udhëheq procesin e imunizimit të popullsisë, nga efektet e virusit vrasës covid-19. Ose mund të gjykohej, nëse do ta kishte vonuar atë, në raport me qeveritë e shteteve të tjera.

Nëse Edi Rama po e bën mirë detyrën e tij në lidhje me çështjen e vaksinimit masiv të popullsisë, në raport edhe me vendet e Ballkanit apo BE, atëherë notën për këtë do ja vendosin shqiptarët me votë. Kjo është edhe arsyeja se përse e gjitha çfarë po ndodh, nuk ka të bëjë fare me përdorimin e procesit të vaksinimit, në funksion të fushatës elektorale të PS. Madje, krejt e kundërta është e vërtetë.

Nëse ky proces do të ishte në dorë të qeverive dhe jo në varësi të konjukturës ndërkombëtare të prodhimit dhe shpërndarjes së vaksinave, çdonjëra prej tyre duke nisur nga SHBA, Britania e Madhe, BE, Rusi, Kinë dhe shtete të tjera nga më të fuqishme e më të pasurat e planetit, do ta kishin përfunduar atë me kohë. Sepse çdo udhëheqës përveç të tjerash, do donte që të dilte para popullit të vet, si shpëtimtari i jetës dhe shëndetit të tyre.

Ndaj nëse dikush po bën propogandë me vaksinimin masiv të shqiptarëve, ata janë opozitarët tanë dhe liderët e tyre. Të cilët në vend që të inkurajojnë qytetarët për tu vakisnuar sa më parë, nuk po lënë shpifje, truk dhe fake news pa përdorur, për të dekurajuar njerëzit që ti drejtohen pikave të vaksinimit. Provë e qartë se nëse do ishin vetë në krye të qeverisë sot, ndryshe nga Edi Rama, do ta bënin fushatën e tyre elektorale sipas parimit “një vaksinë, një votë”!