MENU
klinika

"Reporterët pa kufij"

Liria e shtypit: Shqipëria 1 vend më lart, por “problematike”

20.04.2021 - 16:13

         Organizata “Reporterët pa Kufij” (RSF) vlerëson se gazetaria, që ajo e quan vaksinën kryesore kundër dezinformimit, është bllokuar plotësisht ose pjesërisht në 73 për qind të 180 vendeve të botës.

Në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit 2021, organizata tha se ka pasur një përkeqësim dramatik të gjendjes së gazetarisë.


Vendet në këtë tregues klasifikohen në mjedise “të mira”, “pak a shumë të mira”, “problematike”, “të këqija” ose “shumë të këqija”, për lirinë e shtypit.

Shqipëria
Në treguesin që përfshin 180 vende, Shqipëria renditet e 83-ta, duke u ngjitur me një pozicion nga viti i kaluar, kur ishte në të 84-in.

Në pjesën për Shqipërinë, thuhet se “qeveria e shtoi trysninë mbi medien në vitin 2020, duke kërcënuar përsëri me miratimin e ligjit kundër shpifjes, pavarësisht kritikave nga organizatat e lirisë së shtypit dhe këshillimit kundër tij, nga Komisioni i Venecies”.

I bllokuar nga një veto presidenciale në vitin 2020, ky ligj, thuhet në raport, “ka të ngjarë të ojë në rritje të censurës në një vend ku qeveria tashmë kufizon qasjen e gazetarëve në informacionin e kontrolluar nga shteti dhe përdor ndarjen e licencave për të kontrolluar natyrën e medieve transmetuese”.

Sjellja e qeverisë ndaj medies, inkurajoi biznesmenët dhe zyrtarët proqeveritarë t’i padisnin gazetarët, ndërsa përdorimi i gjuhës denigruese i ka shndërruar gazetarët në shënjestra të mundshme sulmi –  thuhet në raport, ku nënvizohet se sulmet fizike janë të zakonshme dhe autoritetet kanë dështuar në dënimin e autorëve.

Në fillim të krizës së koronavirusit, kryeministri Edi Rama,-  thuhet në raport – nxiti publikun të “mbrohet nga media” dhe refuzoi ndihmën kur pandemia i përkeqësoi problemet financiare të medies deri në atë pikë, sa botimi i gazetave u ndërpre, për rreth gjashtë javë. Po ashtu, të ardhurat nga reklamat ranë, kur disa programe u pezulluan pasi që qeveria ndaloi praninë e më shumë se dy personave në një studio.

Përpjekjet për të kriminalizuar gazetarinë u rishfaqën kur policia arrestoi dhe keqtrajtoi gazetarët gjatë demonstratave – thuhet në raportin ku përmenden edhe akuzat për korrupsion dhe krim të organizuar, ndaj dy kanaleve televizive që janë kritike ndaj qeverisë dhe bashkisë së Tiranës, “Ora News TV” dhe “Channel One”, në verën e vitit 2020.

Raporti vë në dukje, se me gjithë kërcënimet ndaj pavarësisë editoriale, mediet krijuan platformën e vetëkontrollit etik – e para e këtij lloji në Shqipëri.

Kosova
Kosova ka shënuar një rënie prej tetë vendesh krahasuar me vitin e kaluar. Treguesi i “Reporterëve pa kufij” e radhiti në vendin e 78-të, ndryshe nga një vit më parë, kur ishte në vendin e 70-të.

Media në Kosovë, si pothuajse çdo gjë tjetër në vend, mbetet e ndarë etnikisht – thuhet në pjesën për Kosovën.

“Qasja në informacione të caktuara, shpesh është e kufizuar për një grup të veçantë etnik ose politik dhe mediet, priren të përqendrohen në çështje që lidhen me kombësinë dhe t’i mbulojnë ato, vetëm nga këndvështrimi i tyre”, – thuhet në raport, duke theksuar se disa gazetarëve nga Serbia u është refuzuar hyrja në Kosovë, në fillim të vitit 2021, me arsyetimin se nuk u kanë paraqitur autoriteteve të Kosovës, asnjë paralajmërim.

“Gazetarët dhe mediet në Kosovë, janë të ekspozuara ndaj një mjedisi armiqësor, që përfshin sulme fizike dhe verbale, sulme kibernetike, trysni për autocensurë dhe mungesë transparence në lidhje me pronësinë e medieve” – thuhet në raport, duke shtuar se mediet financiarisht të paqëndrueshme “janë të brishta përballë ndikimit politik dhe se, si rezultat i pandemisë, shumë gazeta u desh të mos botohen më”.

Aty thuhet se policia shfrytëzoi orën e ndalimit të lëvizjes, për shkak të covid-19, si shkas për arrestimin e redaktores së gazetës në internet “KoSSev”, Tatjana Lazareviç.

“Fati i shumë gazetarëve të zhdukur, veçanërisht atyre që u zhdukën ose u rrëmbyen gjatë konfliktit të vitit 1999, është ende i panjohur” – përfundon raporti.

Nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut radhitet në vendin e 90-të, Serbia në vendin e 93-të dhe Mali i Zi në vendin 104-të.

Menjëherë pas publikimit të raportit të Gazetarëve pa Kufij, Asociacini i Gazetarëve të Kosovës tha se “gjetjet e këtij raporti duhet të jenë alarm për institucionet e vendit në funksion të krijimit të një ambienti më të mirë dhe të sigurt të të bërit gazetari”.

Situata në botë
Sipas “Reporterëve pa kufij”, vetëm në 7 për qind të vendeve të botës, mjedisi për gazetarinë është shumë i mirë – ky, niveli më i ulët prej vitit 2013.

Të dhënat e Indeksit, që mat kufijtë e qasjes në informacion dhe pengesat për mbulimin e lajmeve, konfirmojnë përpjekjet dhe masa për bllokimin e gazetarisë dhe se, gazetarët e kanë gjithnjë e më të vështirë të hulumtojnë dhe raportojnë për tema të ndjeshme, veçanërisht në Azi, Lindjen e Mesme dhe Evropë.

Sekretari i përgjithshëm i RSF-së, Christophe Deloire Orgazuara, thotë se “Gazetaria është vaksina më e mirë, kundër dezinformimit” .

“Por, për fat të keq, prodhimi dhe shpërndarja e saj shpesh bllokohet nga faktorë politikë, ekonomikë, teknologjikë dhe ndonjëherë edhe kulturorë. Në përgjigje të përhapjes së dezinformimit përtej kufijve, në platformat digjitale dhe në mediet sociale, gazetaria është rruga kryesore për të siguruar që debati publik të bazohet në një rreze të gjerë dhe të larmishme faktesh” – shpreh ai.

Evropa regjistroi një përkeqësim të konsiderueshëm në treguesin mbi “abuzimet”, me më shumë se dyfishin e akteve të dhunës në Bashkimin Evropian dhe Ballkan, krahasuar me një përkeqësim prej 17 për qind në mbarë botën. Sulmet ndaj gazetarëve dhe arrestimet arbitrare u rritën në Gjermani, Francë, Itali, Poloni që ka rënë dy vende më poshtë, ndërsa Greqia shënon një rënie prej pesë vendesh.

Evropa dhe kontinenti Amerikan, vazhdojnë të jenë kontinenti më i favorshëm për lirinë e shtypit, i marrë si rajon edhe pse në atë amerikan, u regjistrua përkeqësimi më i madh, për sa u takon shkeljeve rajonale (deri 2,5 për qind).

Renditje të tjera
Norvegjia renditet e para, në Indeks, për vitin e pestë me radhë edhe pse, mediet e vendit janë ankuar për mungesën e qasjes në informacionin shtetëror mbi pandeminë. Finlanda e ka mbajtur vendin e dytë, ndërsa Suedia është në vend të tretë, që vitin e kaluar e kishte Danimarka, vend që këtë vit renditet i katërti. Kjo radhitje konfirmon qartë, suksesin e “modelit nordik” në përkrahjen e lirisë së shtyit.

Vendi që ka zbritur nga klasifikimi “mirë” në “pak a shumë, mirë” është Gjermania, në vendin e 13-të, pasi ka rënë dy vende. Dhjetëra gazetarë të këtij vendi u sulmuan nga mbështetës të grupeve ekstremiste dhe atyre të teorive të konspiracionit gjatë protestave kundër kufizimeve të vendosura për të luftuar panandeminë.

Në të njëjtin grup janë Shtetet e Bashkuara, në vendin e 44-të, megjithëse viti i fundit i presidencës së Donald Trumpit u shoqërua nga një numër rekord sulmesh kundër gazetarëve (rreth 400) dhe arrestime gazetarësh (130).

Rusia është në vendin e 150-të, një më poshtë se vitin e kaluar dhe në kategorinë e vendeve me gjendje “të keqe”. Ajo e përdori aparatin e saj shtypës për të kufizuar mbulimin mediatik të protestave në mbështetje të kundërshtarit të Kremlinit Alexei Navalny.


Kina, që vazhdon të përdorë censurën, mbikëqyrjen dhe nivelet e propagandës në internet, në nivele të pashembullta, është përsëri mes vendeve me gjendje “shumë të keqe”. Ajo është në vendin e 177 mes 180 vendeve.

Menjëherë pas Kinës, është e njëjta treshe e vendeve totalitare, që janë gjithmonë në tre vendet e fundit: Turkmenistani, Koreja e Veriut dhe Eritrea./VOA/