MENU
klinika

"Ata që s’votojnë nuk kërkojnë dot llogari nesër!"

Meta, thirrje për pjesëmarrje nga Sheshi i Flamurit: Vlora do të thotë fjalën e saj në këtë moment historik

25.04.2021 - 17:35

Presidenti Ilir Meta ka dhënë një tjetër mesazh për votuesit nga Sheshi i Flamurit në Vlorë, ndërkohë që na ndan më pak se një orë nga mbyllja e procesit të votimit.

Kreu i shtetit shprehu besimin që pjesëmarrja e lartë e votuesve do të vazhdojë në gjithë vendin, ndërsa theksoi se Vlora do të kontribuojë në këto momente historike për vendin.

“Kam vetëm një mesazh për të gjithë qytetarët e Shqipërisë: Pjesëmarrje, pjesëmarrje. Që të tregojnë se e kemi kuptuar rëndësinë dhe fuqinë e votës sonë. Kjo është një ditë historike sepse jemi njohur si një vend problematik për standardet e zgjedhjeve. Është e domosdoshme që kjo ecuri e mrekullueshme të vazhdoj kështu derisa të përmbyllet procesi i votimit. Mos harrojnë që për votën e lirë sa shumë njerëz janë martirizuar dhe kanë vuajtur dhe ne nuk kemi si të mos e përdorim këtë mundësi. Ndaj edhe unë besoj shumë që pjesëmarrja shumë e lartë në gjithë vendin do të vijojë, dhe besoj që edhe këtu në Vlorë, pavarësisht nga vështirësitë, përsëri mendoj që Vlora i ka mundësitë të japë kontributin e saj në momentet historike të vendit. Në fund të këtij procesi duhet të fitoj Shqipëria”, tha Meta.

Kreu i shtetit iu drejtua qytetarëve që ende nuk kanë shkuar për të hedhur votën e tyre, duke u kujtuar se nëse ata nuk e ushtrojnë këtë të drejtë nesër nuk do të munden ti kërkojnë llogari Parlamentit apo deputetëve.

“Nuk mundet kurrë një qytetar nesër, ai që do mungojë, ti kërkojë llogari Parlamentit, apo deputetit. Vlora ka qenë është dhe do të jetë edhe më shumë Vlora me të cilën krenohen të gjithë shqiptarët, sepse do të jetë Vlora që në një moment historik do të thotë fjalën e saj dhe kam shumë besim te Vlora. Sa më e lart të jetë pjesëmarrja aq më shumë do të shtohen shanset për ti çelur shumë shpejt negociatat me BE. Ti japim mesazh Europës që jemi një popull, një klasë politike që kemi reflektuar. Për mua është e rëndësishme të fitoj Shqipëria dhe i ftoj shqiptarët të jenë pjesë e këtij qëllimi madhor. Prej zgjedhjeve kemi mbetur kaq pas. Vetëm pjesëmarrja e madhe dhe mbarëvajtja e shkëlqyer e procesit do të na bëjë që ne të çelim rrugën drejt Europës dhe të fitojmë kohën e humbur”, tha Meta.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çfarë thotë për pranimin e rezultatit nga liderët?

Meta flet mbi përplasjen me Yuri Kim: Pjesëmarrja e lartë në votime tregon se…