MENU
klinika

Mesfushori shqiptar

Operohet Memushaj, rikthehet në shtator

09.04.2021 - 16:36

Ledian Memushaj kryen me sukses operacionin në gju. Është vetë klubi i Pescara-s që njoftoi për ndërhyrjen e suksesshme kirurgjikale të mesfushorit të Kombëtares shqiptare.

Me këtë operacion për pastrimin e gjurit, sezoni për mesfushorin vlonjat përfundon këtu dhe koha e rikuperimit pritet të variojë nga 4 muaj deri në gjashtë të tillë. Ledian Memushaj pati dëmtim dhe shqetësime në gju edhe në fazën e parë të sezonit dhe u gjet një zgjidhje mjekësore pa ndërhyrje kirurgjikale për shmangien e dhimbjeve.

Lojtari kreu periudhën e rikuperimit. Sapo u kthye në fushë për të kërkuar kapjen e formës më të mirë, kaloi Covid-19 dhe u desh të qëndronte afro 30 ditë në karantinë, për shkak se i zgjati së tepërmi periudha që rezultonte pozitiv.

Tani që lojtari u rikthye, ishte edhe në ndeshjet e fundit të Kombëtares, atij iu përsëritën edhe një herë tjetër dhimbjet në gju. Para ndeshjes në San Marino, Memushaj u testua dhe u njoftua fillimisht në formacionin titullar, mirëpo pak minuta para nisjes së ndeshjes u bë edhe largimi i tij nga protokolli, për shkak të gjendjes fizike të pamundur.

Memushaj do të mungojë në dy ndeshjet miqësore të Kombëtares në fillim të qershorit, kundër Uellsit dhe Çekisë, të dyja në transfertë, për t’u rikthyer në ndeshjet kualifikuese të Botërorit në fillim të shtatorit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN